Nën zë edhe Dade me Blushin
Në një bisedë informale në Komisionin e Jashtëm, deputetja socialiste Arta Dade ka komentuar deklaratat e deputetit Pandeli Majko për zgjedhjen e kryetarit dhe kongresin e pritshëm, duke kujtuar një moment nga historia politike e Partisë Socialiste, kur Pandeli Majko nga Sekretar i Përgjithshëm kaloi kandidat për kryetar i Partisë Socialiste pas dorëheqjes së Fatos Nanos në vitin 1999. Në zgjedhjet e vitit 1999 në Partinë Socialiste, Pandeli Majko humbi shansin e artë për t’u zgjedhur kryetar i saj. Majko, atëkohë kryeministër në kongresin e PS-së të mbajtur më 9 tetor 1999, humbi me një diferencë të vogël përballë Fatos Nanos (297 vota Nano dhe 261 vota Majko). Më 26 tetor, Majko dha dhe dorëheqjen si kryeministër. Duke iu referuar debatit më të fundit në Partinë Socialiste, deputetja Arta Dade tha se “ne s’jemi në një ndeshje futbolli, por të gjithë duhet të jemi me statutin dhe zbatimin e ligjit”. Mimoza Hafizi ishte deri sot e vetmja deputete që ka dalë publikisht në krah deputetit Blushi për respektimin e statutit dhe për zhvillimin e garës për kreun e Partisë Socialiste.
Add new comment