Shqipëria mes regjimit hibrid dhe korrupsionit
Qeveria mund të paguajë në faqet e prestigjozes "The Economist" për ta prezantuar Shqipërinë si një vend atraktiv dhe lider i reformave në Ballkan, por në dy raporte të fundit Shqipëria vazhdon të perceptohet si një vend me regjim hibrid dhe shkallë të lartë korrupsioni. Agjencia britanike e kërkimeve dhe analizave “The Economist Intelligence Unit” ka publikuar indeksin e demokracisë për vitin 2015, ku nga katër ndarjet e niveleve të demokracisë: Demokraci e plotë, Demokraci me defekte, Regjime hibrid dhe Autoritarizëm mbetet ne grupin e vendeve të cilësuara si me “regjime hibrid”. Në këtë indeks ku janë në analizë 167 shtete, Shqipëria renditet e 81-ta me vlerësimin e përgjithshëm 5.91, duke u ngjitur 7 vende krahasuar nga një vit më parë. “Shqipëria ka bërë disa përparime në vitin 2015 në reformimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, edhe pse progresi është duke mbetur pas nga grindjet politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës”, thuhet në raportin e “The Economist Intelligence Unit”, raporton TCH. Më dobët, me indeksin 4.36 nga 10, Shqipëria vlerësohet në “Funksionimin e Qeverisë”. “Kultura politike” është vlerësuar me 5. 5.56 pikë ka marrë “Pjesëmarrja në politikë”. “Procesi zgjedhor dhe pluralizmi është vlerësuar me 7 nga 10 pikët e mundshme. Më të vlerësuara në Shqipëri janë “të drejtat e njeriut” me 7.65. Ndërsa organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të mërkurën “Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015”, në të cilin janë përfshirë 168 vende të botës. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka shënuar përparim më të madh duke u radhitur në vendin e 88-të me 36 pikë, ndryshe nga viti 2014 kur ishte në vendin e 110-të. Kosova e e cila vitin e kaluar ishte po ashtu në vendin e 110-të, kësaj radhe është radhitur e 103-ta me 33 pikë, po aq sa kanë edhe Etiopia e Moldavia. Me gjithë përparimin, Shqipëria dhe Kosova radhiten prapa vendeve të rajonit.
Add new comment