Kolë Jakova, dramaturgu ynë "klasik"
Fillimtarët janë përherë të përkëdhelurit e kohës. Por kur fillimtari bëhet udhë, çel një udhë, vetjakësohet si udhë, ai është trefish i përkëdhelur. Kolë Jakova për të gjithë ne që jemi tubuar sot këtu në këtë sallë është më së pari dramaturgu, drejtori i parë i Teatrit Popullor dhe Filarmonisë (1945-1946), ndërsa për shënimet enciklopedike është edhe shkrimtari me “Fshati midis ujërave”, poeti me “Heronjtë e Vigut” dhe “Garda krutane”, sikurse edhe atdhetari.
Vinte nga qyteti i teatrit, Shkodra. Pati drama shqipe emra në vitet e monarkisë që e bën pasion dhe ëndërr dramën si Floqi, Fishta, Haxhiademi, Zef Harapi, por guri që vuri Jakova në strukturat e rënda të dramës qe vërtet një gur themeli. Është e padiskutueshme se ai mbetet një dekan i dramës, nga pikëpamja e strukturimit të saj, në dramaturgjinë shqipe pas Luftës II Botërore, guxoj të them edhe më tutje. Vitet ikin dhe ujërat kthjellohen, logjika dhe argumenti estetik fillon dhe përjashton tepritë dhe ndotjet futur nga rrjedhat jashtëartistike.
Arti ka ligje të rrepta. Për artin dua të flas. Dhe unë çmoj pa kurrfarë kompleksi se dramat e Jakovës kanë rrokur tema e konflikte të mprehta politike e sociale, shoqëruar nga spikama të forta ekonomike, që sendërtohen në marrëdhëniet familjare, aty ku ndihet më së shumti kapërcimi i stadit patriarkal e zakonor të jetës në trevat malore drejt një raporti moral dhe psikologjik të ri e më të emancipuar. Sprova e parë e tij qe komedia “Dom Gjoni” (1948), ku spikati pikërisht një nga vetitë e tij: Gjetja e një strukture artistike funksionale, e organizuar me një prolog dhe tri akte, konflikti i fortë, dialogu i shkathët dhe koloriti gjuhësor.
U bë e dallueshme edhe aftësia e tij në thurjen e ngjarjeve dhe fabulës në tërësi, duke ndjekur parimin piramidal, ku nga ekspozeja kalohet në disa peripeci radhazi, të gjitha në formë të vijueshme dhe gjegjësisht varësisë shkak-pasojë, pa rikthime apo pranëvendosje episodesh, peripeci të cilat ushqejnë ngjarjen kryesore dramatike a tragjike, për të mbërritur shpejt në një kulm, me katastrofën e pashmangshme. E gjitha kjo në dramat e Jakovës pasohet me zgjidhje disi të zgjatura, nganjëherë të sforcuara dhe jo logjike.
Suksesin e dramës së parë të tij e tradhtoi komedia “Motori”, e cila vuante nga skematizmi, patetika dhe naivitetet logjike. Drama që e ngriti lart talentin dhe emrin e Kolës ishte “Toka jonë” (1954), e cila është kthyer në një vepër antologjike në traditën e dramaturgjisë shqipe të të ashtuquajturit Realizëm Socialist. Kjo dramë dhe vetë emri i Kolë Jakovës ka shijuar sa parajsën aq dhe ferrin, sa lavdërimet pa fund aq dhe mallkimet dhe talljet pa fund. Por unë s’dua të bie në rrjetën e anatemës politike, sikurse nuk kam aspak të drejtë të mbroj pjesën e mashtrimit ndaj të vërtetës që kjo vepër ka.
Por, për qejfin tim, para se të shkruaja këto radhë, e rilexova shpejt e shpejt dramën dhe mbeta i po të njëjtës përshtypje teksa e këqyr si format dramatik, si strukturë, si pushtet estetik. Rilindja shpirtërore e njeriut dikur të ndëshkuar me pa të drejtë dhe të përbuzur, që përfaqësohet nëpërmjet fatit të Lokes, përbën trungun ku lidhen gjithë nyjat e tjera të subjektit dramatik. Sado që veprimi dhe konflikti ngërthehen fort pas rrethanës social-politike gjatë zbatimit të reformës agrare në vitin 1946, manipulimit të faktit historik si dhe antagonizmit të pushtetit të ri komunist në shpronësimin e dhunshëm të kulakëve, e vërteta e dramës dhe thelbi i saj, sipas meje, mbetet gjithëpo aq edhe çlirimi i njeriut nga mashtrimi, e keqja dhe rivendosja e të drejtës së nëpërkëmbur.
Drama të ngazëllen me unitetin dhe kohezionin e fortë kompozicional të ngjarjeve, konfliktit, me rrjedhshmërinë logjike, dendurinë e informacionit në njësinë dialogjike të saj, me situatat e skajshme dramatike, aksionin e shpejtë, tensionin.
Në vitin 1949 ai shkruan dramën e dytë madhore, edhe kjo antologjike, “Halili dhe Hajria”, shtysën e së cilës e mori nga kënga e njohur popullore “Fryni era u çil taraba”, ku i bëri jehonë luftës liridashëse të malësorëve të Kelmendit, të udhëhequr nga Halil Garria, kundër ekspeditave të Sulejman Pashës për t’i nënshtruar. Jeni besoj të një mendje me mua se Jakova, me instinktin e tij prej dramaturgu, tragjizmin e këngës arrin ta sublimojë në një nyje me kah të thukët psikologjik, që frymon konfliktin e veprës duke e çuar në zgrip teksa Hajria, tepër e tronditur, e tradhtuar dhe hakmarrëse, vret të shoqin, Bejtashin, dhe, për më shumë, ngërthyer nga furtunat e një Medeje, urrejtjen e saj gati-gati e hamendëson me aktin antimëmësor të vrasjes së fëmijës së vet e në djep që ka me të. A mund të mbytet fryti? Fare thjesht, mund të thuash.
Por që Hajria të mbërrinte te kjo, edhe pse sipas këngës foshnja nuk mbytet, mëma ka luajtur me humnerën e vet midis hakmarrjes, vëllezërve të humbur dhe frytit të një dashurie të tradhtuar. Duke e shmangur aktin tragjik të baladës, Kol Jakova nuk e ka lëshuar nga dora vetë tragjizmin si mbushullimë e epërme emocionale, por e ka shtrënguar fort frerin e këtij kali të azdisur. Afërmendsh se shkrimtari, nëse nuk e zhbiu tragjizmin, i pagoi kamatë realizmit socialist me idenë se shpëtimin dhe rilindjen e vet Hajria nuk e sheh në gjasën e vetëvrasjes, por në hakmarrjen ndaj turqve, e cila tanimë fiton përmasa sociale e kombëtare, përkitazi zgjidhjeve të parapëlqyera të skemave të kohës, duke e shndërruar atë në një prijëse e heroinë.
Tharmi i dramave të Jakovës është çlirimi i njeriut të malësive nga kurthet dhe inercitë antropologjike, që shfaqeshin si anakroni sociale. Aty duket se është shpirti i tij. Pas dramës “Gjetani” (botuar më 1972), e cila trajton problemin e afirmimit të normave të reja në krijimin e familjes me dashuri, kundër zakoneve prapanike të fejesave në djep, ai sërish përkap një temë interesante lidhur me emancipimin e meseve fshatare te drama “Perkolgjinajt” (botuar më 1965). Shpërbërja e familjes patriarkale, këputja e verigave që mbaheshin fort nga një vetëdije e prapambetur, krijimi i marrëdhënieve të reja nga ndikimi i industrializimit të vendit dhe progresi social, sjellin në dramë konflikte e motive të forta dramatike.
Në vazhdën e kësaj problematike, por me temën e kolektivizimit të zonave të thella malore në mesin e viteve ‘60, procedon tashmë drama tjetër, Lugajanët (botuar më 1977), ku ka një artific që e dëmton të vërtetën dhe lëkundjen e natyrshme të malësorit dhe mosbesimin e tij për formën e re të pronësisë. Pas dramës “Perkolgjinajt”, K. Jakova shkroi edhe dy drama cilësore, “Lulet e shegës” (1976) dhe “Përmbytja e madhe” (1978), të cilat vazhdojnë të konsolidojnë individualitetin dhe stilin e tij si autor që pëlqen ngjarje e konflikte të forta, të hapura, me një vizatim më kompleks të heroit dhe pështjellimit të tij shpirtëror, me artikulime mesazhesh të rëndësishme, me dialogë të ngjeshur, lakonikë, me rrokje edhe më të gjerë të jetës dhe kontradiktave të mprehta të saj, që zhvillohen në mjedise të ngushta familjare e miqësore, me një gjuhë plot ngjyrime e frazeologji, me përshkrime e hollësi shprehëse të kulturës së jetesës, rrethanës historike, mjedisit etj.
Sado që nga pikëpamja strukturore “Lulet e shegës” ka një konflikt e situatë të rënduar dramatike, nga pikëpamja e të vërtetës historike i paguante haraç fabrikimit të “armiqve”, që vinin nga të përmbysurit, antikomunistët dhe të shpronësuarit me dhunë prej regjimit komunist, gjithashtu krijimit të miteve të reja politike. Drama “Përmbytja e madhe” (botuar më 1977), shkruar sipas motiveve të poemës së mëparshme të autorit “Qiriri i fundit”, vijon në hullinë e hapur edhe më parë prej tij në shtjellimin e marrëdhënieve të reja që krijoheshin në familjen rëndom patriarkale të malësisë së veriut si pasojë e industrializimit të vendit dhe futjes së frymës së progresit dhe emancipimit të jetës përgjithësisht dhe të femrës veçanërisht. Edhe në këtë dramë zgjidhja është e sforcuar, vjen nga faktorë të jashtëm, përpjekjen për të hedhur digën në erë, çka ndërgjegjëson personazhet e tjerë dhe ofron një fund “optimist” e patetik.
Thurja kompozicionale e dramave të K. Jakovës ndjek përgjithësisht parimin e dramës “klasike” tradicionale, realiste, me shtjellimin linear të ngjarjeve, me konfliktin midis dy palëve përgjithësisht antagoniste, ose me një personazh të lëkundur në mes që anon përherë nga “e reja”, “progresivja”, duke përqafuar, më në fund, qëndrimin politik dhe ideologjinë e kohës; kryesisht këta janë tipa fshatarësh të lidhur fort pas zakoneve dhe traditave, në zgrip të veprimeve dhe ndryshimeve thelbësore, çka përjetohen si dilema të forta psikologjike. Ekspozetë janë të gjetura, dinamike, me veprim të përshpejtuar, ku bëhet paraqitja e gjithë personazheve dhe e problemit qendror. Autori shquhet për fabula të gjetura, për përqendrimin e veprimit dhe për një konceptim dramatik të ngjarjes që shkon, herë-herë, deri në përfundim tragjik.
Aktorët që kanë luajtur nëpër dramat e tij s’e kanë pasur hiç të vështirë të dallojnë se cilësi e stilit të tij ka qenë edhe dialogu shprehës, i karakterit teatror, ku fjala e folur paraqitet dhe konceptohet kryeherit si fjalë vepruese; ajo bëhet parësore duke tejkaluar ndjeshëm elementet parazitare e rrëfimore. Besoj se kushdo që ka luajtur në dramat e tij në mishërimin e personazhit e ka ndihmuar ngjyrimi frazeologjik krahinor i veriut, idiomat dhe shprehjet popullore, hollësitë mjedisore dhe ato të mënyrës së jetesës. Do më lejoni të vazhdoj edhe pak para se ta mbyll: subjektet e dramave të Kolë Jakovës përgjithësisht strukturohen në veprime njëlinjore, në kohë të rrjedhshme, horizontale, bazuar mbi përplasjen e fortë dhe të drejtpërdrejtë të personazheve, brenda shenjimeve pak a shumë klasike të tyre, pro-kundër, e bardhë - e zezë, si protagonistë apo si antagonistë. U përpoqa të sjellë veçse pak nga prushet e vatrës dramaturgjike të Kolë Jakovës. Është një vatër që qit zjarr sa herë i shpupurisim gacat. Vatra e një dramaturgu, që pa pikë mëdyshje mund ta quanim “klasiku ynë i pazëvendësueshëm”.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment