I del zëri edhe ministrisë së Gjermenit: 517 mijë euro për spote. Reagon AKPT-ja

Postuar në 08 Janar, 2016 18:37

I kishte shpëtuar zhurmës së akuzave të pafundme që janë bërë ndaj kësaj qeveri pqër tendera e konçesione, por më në fund ka dalë në sipërfaqe. Ministria e Zhvillimit Urban, drejtuar nga Eglantina Gjermeni raportohet të ketë transferuar në datat 18 dhjetor dhe 31 dhjetor 2015, 517 mijë euro në drejtim të një kompanie të quajtur “Kube Studios”. “Këto kalime fondesh nuk rezultojnë të publikuara në buletinët zyrtarë elektronikë të Agjencisë së Prokurimit Publik. Por në përshkrimin e bërë në thesar, ministria e znj. Gjermeni i justifikon kalimin e këtyre fondeve, me “realizimin e spoteve publicitare për prezantimin e planit kombëtar të territorit.  Kjo kompani është e gjitha në pronësi të Efort Kuke, i biri i artistëve të njohur Pali dhe Zerina Kuke. Pas një kërkimi në lidhje me produksionet e realizuara deri tani, zbuloi se shuma e majme prej 517 mijë eurosh, është dhënë për të realizuar gjithsej 5 konferenca nëpër qytete, ku pjesëmarrës ka qenë dhe kryeministri, dhe afro 20 klipe, me një kohëzgjatje maksimale prej 20 sekondash secila”, raporton portali “hashtagalbania”. I njëjti burim shton se në treg spotet e realizuar nuk shkojnë më shumë se 15 mijë euro, çka e bën shifrën e transferuar gati 40 herë më të lartë. 

Reagon Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit

Një ndër prioritetet e qeverisë në fushën e zhvillimit urban është edhe hartimi i planeve kombëtare të territorit. Në këtë kuadër, AKPT-së i është alokuar një fond nga buxheti i shtetit për hartimin e tre planeve. Sipas ligjit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, komunikimi me publikun dhe dëgjesat publike janë detyrim për institucionet hartuese, gjatë procesit të hartimit të planeve dhe përpara finalizimit të tyre. Planifikimi i territorit kombëtar dhe vendor, janë procese të reja të cilat kanë nevojë për një sensibilizim të lartë publik dhe për këtë arsye, nga AKPT është konceptuar një proces komunikimi me publikun, nëpërmjet mediave, për një periudhë 10 mujore. Ky komunikim ka filluar në Nëntor 2015 dhe do të vazhdojë deri në Shtator 2016.
Komunikimi dhe sensibilizimi i publikut për planifikimin e territorit dhe për tre planet kombëtare, përfshin konceptimin e pesë programeve prezantuese të planeve, prodhimin dhe shfaqjen e nje serie me spote sensibilizuese dhe informuese. Platforma e komunikimit, përveç prodhimit të programeve dhe spoteve përfshin edhe blerjen e kohës televizive. Materialet sensibilizuese dhe informuese, kanë filluar të shfaqen dhe do të vijojnë të shfaqen në 6 kanale televize, 3 radio dhe platforma online të ndryshme.
Platforma e komunikimit publik, përfshin shfaqjen e 27 spoteve televizive dhe radiofonike, në një shtrirje kohore 10 mujore, dhe një kohëzgjatje rreth 82,000 sekonda televizive dhe 46,800 sekonda radiofonike. Kësisoj koha për transmetimin e këtyre spoteve përfshihet mes të tjerash në buxhetin e përcaktuar për platformën, bashkë me konceptimin dhe prodhimin e 5 programeve prezantuese për 3 planet.
Procesi nëpërmjet të cilit është ndërtuar komunikimi sensibilizues dhe informues në kuadër të hartimit të planeve kombëtare, është bërë në mbështetje të nenit 16, pika 2, të Ligjit Nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” i ndryshuar, nenit 7 pika b të Ligjit Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, VKM nr.1195 datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për trasmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në mediat e shkruar, dhe për kontratat, për kohë trasmetimi, nga organet e administratës shtetërore”.
Në bazë të Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, “Për Prokurimin Publik”, neni 7, pika b), “Përjashtimet e veçanta”, në të cilën thuhet:
Ky ligj nuk zbatohet në kontratat e shërbimit publik për:
b) blerjen, zhvillimin,prodhimin, bashkëprodhimin e programeve ose të reklamave për transmetimin nga operatorët radiotelevizive ose botimin në median e shkruar dhe për kontratat për kohë transmetimi.
Në bazë të VKM-së nr. 1195, kjo procedurë nuk mbart detyrimin e publikimit në buletinin e APP-së.
Shifra e saktë e fondit të akorduar për Platformën e Komunikimit është tërësisht transparente dhe gjendet lehtësisht në faqen online të Ministrisë së Financave në zërin “Pagesa të Kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Financiare”. Ky fond nuk është aq sa përmendet në artikull dhe aq më teper “i dyshimtë” pasi çdo veprim është bazuar në ligjet e shtetit shqiptar dhe konform procedurave transparente.
Gara për përzgjedhjen e kompanisë fituese që ka punuar për Platformën e Komunikimit, e cila do të jetë në shfaqje deri në Shtator të vitit 2016, ka qenë e hapur dhe fituesi është përzgjedhur sipas ofertës teknike më të mirë dhe ofertës ekonimike më të ulët, mes ofertave të prezantuara, në konformitet total me Ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, VKM nr.1195 datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për trasmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në mediat e shkruar, dhe për kontratat, për kohë trasmetimi, nga organet e administratës shtetërore”.

Comments

Submitted by Ani. S (not verified) on

Ska faj hic kjo. E detyron Rama. Akoma nuk e keni kuptuar qe keta po bejne leket qe ju kerkon Rama.?? Nje kryeminister qe fut ne qeveri krye hajdutin Arben Ahmetajn, si mund te mos jete dhe vete hajdut? Nje kryeminister qe nuk ka ndermend te vjedhe nuk ben qeveri me Ahmetajn. As simple as that. Permenda Ahmetajn si me prototipin e njohur heret per hajduteri , por aty vjedh Beqaj, Gjiknuri, Kumbaro dhe resti i LSI. Tek bejne pasurimin e Rames, partise, zgjatjes se pushtetit te tij dhe te klienteve te vet, bejne dhe parate e tyre se helbete. Qeveria me e paafte e pare ndonjehere dhe me e korruptuara! Kete e di dhe bufi tashme. Kush e pat menduar qe do tju dilte boja kaq shpejt, pa mbushur tre vjet pushtet e pa mbyllur nje mandat

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.