Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Perry: “Sulmet bërthamore mund të ndodhin çdo moment. Armët bërthamore nuk ofrojnë më siguri”
Tensionet në botë sa vijnë e ngrihen, me rishfaqjen e Rusisë në skenë, me fuqizimin e Kinës, Indisë, Iranit, por edhe me forcën e madhe të terrorizmit që është përftuar përmes Shtetit Islamik. Në këtë kuadër nuk mungojnë as parashikimet apokaliptike, të cilat zënë fill nga një përvojë e Luftës së Ftohtë, apo edhe e Luftës së Parë Botërore, cilësuar edhe si një luftë që nisi për shkak të keqkuptimit nga keqllogaritja reciproke. Një këmbanë alarmi ka lëshuar edhe ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, William Perry, i cili ka deklaruar së fundmi se shpërthimi i një bombe bërthamore në një qendër të banuar, është shumë i ngjashëm në çdo moment, në vitin që vjen, apo edhe vitin tjetër. Mediat i referohen kujtimeve të Perryt që janë publikuar këto ditë në të cilat ai kujton edhe ditët e krizës së raketave në Kubë, ku u thirr në mënyrë sekrete në Washington për të analizuar të dhënat e shërbimeve sekrete. “Çdo ditë që shkoja në qendrën e analizës mendoja se kjo do të ishte dita ime e fundit mbi tokë”, shkruan Perry, duke shtuar se “bota shmangu një holokaust bërthamore si për shkak të fatit të mirë, ashtu edhe si pasojë e menaxhimit të mirë”. Në një intervistë të dhënë para një muaji, Perry sqaron edhe një incident të vitit 1979, kur një natë në orën 3:00 të mëngjesit, u zgjua nga një telefonatë nga një qendër komande nën tokë që përgjigjej për lajmërimin e sulmeve; telefonatë në të cilën u njoftua se kompjuterët tregonin se 200 raketa bërthamore ishin drejtuar nga Bashkimi Sovjetik drejt SHBA-së. “Ishte natyrisht një alarm fals, por ishte edhe një nga shumë eksperiencat e Luftës së Ftohtë që më ka dhënë një mundësi të konkludoj se armët bërthamore nuk vlejnë më për sigurinë tonë”. Sipas tij, SHBA nuk ka nevojë për baza toklësore të lëshimit, por mund të mjaftohet te bombarduesit strategjikë dhe nëndetëset. Në finale një apel për heqjen dorë nga gara e armatimeve me Rusinë: “E shoh si imperative që të ndalet kjo dreq gare bërthamore përpara se të marrë udhë sërish, jo vetëm për kostot, por për rrezikun që na krijon të gjithëve”, vijon Perry, ish-sekretar i Mbrojtjes nën presidencën Clinton.
http://www.militarytimes.com/story/military/pentagon/2015/12/29/former-p...
Add new comment