Megjithëse politika toskë-gegë është më e vdekur se bunkeri…

Postuar në 15 Dhjetor, 2015 15:44
Ndriçim Kulla*

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha iu përgjigj me urtësi dhe ironi ndonjë gjesti të pakujdesshëm të kryeministrit Rama, që mund të kuptohej si përpjekje për të bërë politikë në frontin toskë-gegë. Them gjesti të pakujdesshëm, se nuk besoj që kryeministri Rama të ketë një plan për të bërë politikë në këtë front inekzistent. Basha i ftoi edhe toskët edhe gegët që të ngrihen në protesta kundër Qeverisë “Rama”, duke mos u joshur nga ftesa që, dashur pa dashur, po i bënte rivali politik për ta zhvendosur këtu frontin e politikës shqiptare. Teza e politikës toskë-gegë është akoma më e vdekur se politika që përfaqëson bunkeri i djegur në qendër të Tiranës. Por, ndaj tezës së politikës toskë-gegë duhet treguar kujdes sa herë shfaqet qoftë edhe në formën më të butë, sepse janë bërë shumë përpjekje që ajo të përdoret për t’i përçarë shqiptarët.

Është një fakt i njohur ai që shqiptarët ndahen në toskë dhe në gegë. Të gjithë kombet e mëdhenj dhe të vegjël kanë pak a shumë ndarje të tilla, që vijnë nga dialektet gjuhësore dhe nga diferencat kulturore ndërmjet krahinave. Kjo ndarje ka qenë pengesa e fundit, më e parëndësishme për shqiptarët në procesin e shtetformimit dhe ndërtimin e demokracisë. Por, kryesisht nga jashtë vendit kanë ardhur dhe nxitjet për zmadhimin e ndikimit në politikë të faktit që shqiptarët janë të ndarë në toskë dhe në gegë. Jo rrallë disa të huaj janë përpjekur ta shpjegojnë konfliktin politik në Shqipëri si tregues të armiqësisë toskë-gegë. Këta shihen pak a shumë si dy tributë e mëdha afrikane hutu dhe tuci, të cilët janë vrarë historikisht me njëri-tjetrin dhe që në fund të shekullit të kaluar e bënë këtë duke u maskuar me arsye politike. Veçanërisht i shohin kështu konfliktet politike pas krijimit të shtetit shqiptar. Studiuesi francez Bernard Lory, në librin e tij “Europa ballkanike: nga 1945 në ditët tona”, thotë: “Por Shqipëria është një vend i vështirë për t’u qeverisur, së cilës i duhet të përballojë ndarjet e thella në planin gjuhësor (dialekti gegë dhe ai toskë, përkatësisht në Veri dhe Jug të Shkumbinit).”

Kjo është mënyra tipike sesi spekulojnë disa autorë të huaj me ndarjen e shqiptarëve në toskë dhe në gegë. Ata me këtë “vrasin me një gur dy zogj”, sepse, jo vetëm gjejnë një tezë të thjeshtë për të shpjeguar problematikën politike shqiptare në të cilën nuk duan të thellohen, por i japin tablosë shqiptare që përshkruajnë edhe një ngjyrë ekzotike, të një lufte tribale që kamuflohet me arsye politike. Këtë tezë e përdorin më shumë autorët që shkruajnë kalimthi për Shqipërinë, siç është rasti i Bernard Lory, në librin  të cilit Shqipëria trajtohet si temë bashkë me vendet e tjera të Ballkanit. Kuptohet se në një trajtim të tillë të shkurtër nuk mund të pritet që të sillen fakte për të mbështetur këtë tezë. Dhe Bernard Lory nuk shpjegon asgjë se si ato që ai i quan ndarjet e thella gegë-toskë, pengojnë qeverisjen e vendit. Një diçka e ngjashme gjendet edhe në librin e studiuesit amerikan Joseph Rothschild, i cili në librin e tij “Kthimi në diversitet: histori politike e Evropës Qendrore dhe Juglindore nga Lufta e Dytë Botërore e këndej” e shikon konfliktin politik mes palëve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si luftë toskë-gegë, kur thotë: “Ajo që binte në sy në këtë qëndrim ambig ishte fakti se, komunistët ishin shumë herë më të dobët në Shqipërinë e Veriut e të Mesme (ku ndodheshin edhe bazat e Abaz Kupit gjatë luftës), klanet gege të së cilës kishin lidhje vëllazërore me shqiptarët e Jugosllavisë, sesa në jug, popullsia toske e së cilës kërcënohej nga revanshizmi grek.”

Edhe në këtë libër Shqipëria zë një vend të vogël, midis shumë vendeve të Europës Qendrore dhe asaj Juglindore. As ky autor nuk provon të sjellë fakte në mbështetjen e tezës së tij. Teza e tij  nuk qëndron fare. Kjo për faktin se Abaz Kupi geg kishte qenë aleat i komunistëve në Frontin Nacional-çlirimtar që me Konferencën e Pezës dhe nuk u largua nga Fronti për shkak se Enver Hoxha ishte tosk, por për arsye se komunistët kishin nisur të shpreheshin kundër ish-mbretit Zog, besnik i të cilit ishte Abaz Kupi. Dhe Abaz Kupi u largua nga Fronti Nacional-çlirimtar vetëm në dhjetor 1943, më pak se një vit para çlirimit të Shqipërisë. Komunistët vërtet qenë të dobët në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, por Fronti Nacional-Çlirimtar ishte i fortë në këtë pjesë të Shqipërisë sa kohë që komunistët ishin në aleancë me zogistët e Abaz Kupit domethënë deri më pak se një vit pas përfundimit të luftës.

Tezën e ndikimit të ndarjes toskë-gegë në konfliktet politike në Shqipëri e përdorin edhe autorë të tjerë të huaj në libra tema e të cilëve ka të bëjë vetëm me shqiptarët dhe Shqipërinë apo Kosovën. Por as këta autorë sjellin argumente për të provuar tezën e tyre. Një autor i huaj tipik i kësaj linje është studiuesi kanadez, Robert C. Austin, i cili në librin e tij “Shtegu i pashkelur i Fan S. Nolit”, thotë: “Mbas Kongresit të Lushnjës, Noli gradualisht u bë zëri i jugorëve të pakënaqur…Këta jugorë, të armatosur me atë që ata besonin se ishte një përvojë ekonomike, politike dhe kulturore superiore, e ndjenin se e kishin hak të ishin sunduesit e Shqipërisë së re. Kjo nuk do të thotë se Noli kishte pikëpamje lokaliste të kundërta me pikëpamjet e vërteta kombëtare. Vetëm se ai asnjëherë nuk e vuri veten në pozitat e politikanit mbarëkombëtar dhe ndikimi i tij mbeti në Jug të vendit”.

Mund të sillen shumë fakte kundër kësaj teze. Krahu i djathtë i Nolit në qeveri ishte një geg, Luigj Gurakuqi, ndërsa mbështetësi kryesor i Nolit sa i përket forcës ushtarake ishte po një geg, Bajram Curri! Disa nga mbështetësit kryesore të Ahmet Zogut, rivalit kryesor politik të Nolit ishin toskë, dhe pa mbështetjen e tyre Zogu nuk do t’ia kishte arritur kurrë që ta përmbyste qeverinë e Nolit në 1924. Koço Kota, nga Korça pati një rol vendimtar me forcat ushtarake që kishte grumbulluar, për të marrë Korçën në dhjetor 1924, kur Zogu ndërmori një aksion ushtarak për të përmbysur qeverinë e Nolit. Jugori Myfit Libohova pati një rol vendimtar, së bashku me forcat e tij, për marrjen e Jugut të Shqipërisë në dhjetor 1924. Zogu vetë nuk e kapërceu Shkumbinin kur e përmbysi qeverinë e Nolit në dhjetor 1924. Eqrem Vlora pati gjithashtu një rol vendimtar në ndërprerjen e qëndresës kundër Zogut në Shqipërinë e Jugut dhjetor 1924, gjë që e tregon me hollësi në kujtimet e tij.

Ndonjë studiues, madje edhe antropolog ka dashur që ndarjen toskë-gegë ta paraqitë edhe si racore. Antropologu Eugene Pittard, i cili ka shkruar në librin “Le Races et le Histoire” (1932): “Lumi i Shkumbinit, me valët e tij të murrme i ndan shqiptarët në dy grupe: Në veri janë gegët, në jug janë toskët. Mes këtyre grupeve ka ndryshime dialektore. Një analizë antropologjike do të zbulonte ndoshta dhe ndryshime etnike. Kam bërë për këtë gjë krahasime, duke përdorur sidomos veçoritë e treguesit cefalik. Kam gjetur se gegët janë pak më të gjatë dhe më pak brakicefalikë se toskët”.

Por, brenda të njëjtit komb mund të gjesh ndryshime të tilla nga zona në zonë, për nga gjatësia dhe treguesi cefalik (përmasat e kafkës). Njerëz shtatlartë gjen shumë edhe mes toskëve, ashtu siç gjen shumë njerëz të shkurtër mes gegëve.

Të tjerë autorë të huaj, që janë dhe njohës të mirë të Shqipërisë, kanë vënë re se ndarja toskë-gegë nuk është aspak e thellë dhe armiqësore dhe se ndarja gjuhësore toskë-gegë nuk shkon përtej ndarjes të rëndomtë dialektore që është në të gjitha gjuhët. Noel Malcolm shkruan në librin “Kosova: një histori e shkurtër”: “Dallimet gjuhësore ndërmjet gegëve dhe toskëve janë të dukshme, por jo aq të mëdha sa të pengonin komunikimin e ndërsjellë; në shumë aspekte dallimet nuk janë më të mëdha se ndasitë që ekzistojnë ndërmjet Skocisë dhe Jugut të Anglisë.”

Kjo vërtetohet edhe nga fakti që autorët e mëdhenj toskë apo gegë, poetët dhe shkrimtarët, nuk kanë pasur kurrë vështirësi për t’u lexuar nga popullsia tjetër. Gjergj Fishta me poemën e tij epike “Lahuta e Malcis” ka qenë shumë i lexuar në Jugun tosk deri në kohën kur u ndalua nga regjimi komunist dhe më pas do të ishte përsëri shumë popullor, sa midis gegëve aq edhe midis toskëve, pas vitit 1990 kur “Lahuta e Malcis” ka njohur shumë botime. Në gjysmën e romaneve të Ismail Kadaresë, një shkrimtar tosk, ngjarjet zhvillohen në Gegëri. A do të mund të kishte ndodhur një gjë e tillë, në qoftë se midis dy zonave dhe dy popullsive do të kishte një ndarje kaq të madhe dhe madje armiqësi?

Jacquez Bourcart, një studiues francez që më pas u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës, i cili qëndroi në Shqipëri në vitet 1917-1920 me Ushtrinë e Francës, dhe vizitoi si Jugun ashtu dhe Veriun e Shqipërisë, e gjeti ndarjen krahinore dhe gjuhësore të Shqipërisë më të vogël se në Francë. Ai shkruan në librin e tij “Shqipëria dhe shqiptarët”: “Shpesh herë nga studiues të ndryshëm kundërvihen dy dialektet e shqipes, ai gegë dhe ai toskë, të cilët mendohet se u përkasin dy tipeve etnikë të ndryshëm, atij të veriut dhe atij të jugut të Shqipërisë. Por ky dallim, i paraqitur në trajtën e sipërpërmendur, është mjaft i thjeshtëzuar. Në të vërtetë, në një vend ku rrugët e lidhjeve midis viseve janë mjaft të vështira, krahinat e ndryshme kanë ruajtur tiparet e tyre të veçanta, doket e zakonet si dhe dialektet e tyre. Ndërkaq mund të themi se në të vërtetë vërehen më shumë ndryshime midis dialektit të Dibrës dhe atij të Mirditës, që janë krahina gjeografikisht mjaft afër njëra-tjetrës, sesa midis dialektit qytetar të Korçës dhe atij të Shkodrës. Sidoqoftë autori i këtyre radhëve mundi të udhëtojë, i vetëm dhe pa përkthyes, në tërë Shqipërinë e Veriut dhe u mor vesh për bukuri duke folur vetëm dialektin toskë të Korçës. Në fund të fundit mund të thuhet se uniteti gjuhësor i Shqipërisë është më i ndijshëm se ai i Francës. Dhe do të jetë shumë e lehtë që ky unitet të përsoset më tej, pasi shkollat të kenë përhapur përdorimin e një gjuhe të përbashkët letrare, për shembull dialektin e Elbasanit, i cili është ndërmjetës midis toskërishtes dhe gegërishtes.”

Ky akademik francez ka sjellë këtu argumentin më të mirë kundër atyre që e zmadhojnë ndarjen toskë-gegë, duke thënë se me terrenin që ka Shqipëria ndarja toskë-gegë në fakt duhet të kishte qenë shumë më e thellë se ç’ është. Nënkuptohet se fakti që nuk ka ndodhur kështu tregon për lidhjen e fortë mes tyre.

Në 1997, mediat ndërkombëtare e gjetën më të thjeshtë që ta shpjegonin atë që po ndodhte në Shqipëri si një konflikt toskë-gegë, ku Jugu tosk ishte ngritur kundër Berishës që ishte verior, geg. Këto media thoshin se Berisha pritej me armë kur tentonte që të bënte fushatë zgjedhore në Toskëri, në jug të Lumit Shkumbin, por nuk e shpjegonin faktin se përse djali i Mbretit Ahmet Zog, pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu, i cili zhvillonte paralelisht fushatën zgjedhore për referendumin për formën e regjimit, udhëtonte lirisht në Jug për të bërë fushatë për kauzën e tij. Edhe Leka Zogu ishte geg si Berisha. Më pas, Berisha, si kryetar i opozitës zhvilloi fushata të suksesshme në Jug, në sajë të së cilave fitoi dy palë zgjedhje parlamentare.

 *publicist, botues

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.