Taksat u mblodhën edhe me hu, po ku shkojnë?
59 miliardë lekë ka përcaktuar qeveria shqiptare këtë vit si fond investimesh i cili rezulton të jetë më i vogli që nga viti 2007. Shifra në fjalë pasqyron dështim të hapur në politikat fiskale të vitit që po lëmë pas, i cili u karakterizua nga ndërhyrjet represive të shtetit dhe nga shtrëngimet e mëdha në funskion të mbledhjes së të ardhurave. Për opozitën projektbuxheti 2016 e shton barrën fiskale por pa sjellë me vete rritje të investimeve dhe cilësi shërbimesh. Mund të pyetet për çfarë shërben kjo politikë fiskale dhe ku shkojnë paratë që u merren shqiptarëve? Shpresa e vetme që mbetet është që të paktën këtë ta dijë qeveria e cila siç raporton “Monitor” e ka ndarë fondin e investimeve në 1300 projekte. Dhe pas pretendimit të ministrit të Financave Shkëlqim Cani se projekti i ri siguron rritje 3.4%, ndërkohë që edhe në fillim të vitit 2015 u tha se buxheti do të sillte rritje 3% për të arritur 2.7%, shpërndarja e investimeve do të jetë: “30.9 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 28.4 miliardë lekë financim i huaj. 84,9% totalit të investimeve të planifikuara për vitin që vjen shkon për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja”.
Që ta kuptojmë më mirë këtë qeveria dhe kryeministrin kur thotë se “po punohet për gjeneratën tjetër” vjen zëri i shpenzimeve si më poshtë:
· 500 mln lekë për asistencë teknike- Janë dy projekte “Asistence stafi për projektin Rimëkëmbja e sektorit energjetik” që kushtojnë 45 milionë lekë. 164 milionë lekë të tjera do të kushtojnë projektet për përmirësimin emenaxhimit të financave publike dhe përmirësim i kapaciteteve të administratës fiskale.
· Rikonstruksionet 1.1 miliardë lekë
Për përmirësimin e ambienteve në Presidencë do të përdoren 15 milionë lekë, 35 milionë lekë do të përdoren për rikonstruksiontë zyrave të AKU (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit), për ambientet e të cilit edhe më parë janë investuar shuma të mëdha. 170 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të gjykatave në disa rrethe. Ministria e Arsimit do të shpenzojë 101 milionë lekë për rikonstruksion ambientesh, Ministria e Jashtme 75 milionë lekë dhe Ministria e Brendshme rreth 120 milionë lekë. Ministria e Financave do të shpenzojë për përmirësimin e ambienteve të saj 91 milionë lekë. Më shumë se 30 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të vilave qeveritare dhe 100 milionë lekë për ministrinë e Zhvillimit Urban.
· Mobilimi i zyrave 335 mln lekë
Do të shpenzohen rreth 3 milionë dollarë për mobilimin e zyrave të institucioneve publike në vend. Vetëm Ministria e Ekonomisë dhe institucionet në varësi të saj do të përdorin 30 milionë lekë vitin që vjen për mobilimin e ambienteve. Ministria e Financave do të shpenzojë 68 milionë lekë, Ministria e Brendshme 80 milionë dhe ShërbimiInformativ 30 milionë lekë. Ministria e Mjedisit do të shpenzojë për zyrat 10 milionë lekë. Prokuroria rreth 32 milionë lekë dhe gjykatat rreth 35 milionë lekë.
· 800 mijë dollarë për vetura të reja
Qeveria ka autorizuar 93 milionë lekë ose rreth 800 mijë dollarë për blerjen e autoveturave. Shërbimi Informativ Shtetëror ka planifikuar të shpenzojë 31 milionë lekë për makina dhe parkun e automjeteve. KLSH do të bëjë një blerje 4 milionë lekë për automjet,vitin që vjen, prokuroria 30 milionë lekë, gjykatat 30 milionë lekë, njësia e turizmit në Ministrinë e Ekonomisë do të shpenzojë 10 milionë lekë për automjete. ALUIZNI do të blejë një makinë 3 milionë lekë dhe Agjencia për Administrimin e mallrave të sekuestruara do të blejë një mjet 1 milionë lekë dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar do të blejë një automjet me vlerë 1.8 milionë lekë(http://www.monitor.al/buxheti-2016-investimet-shkel-e-shko/).
Add new comment