Protesta e 8 Dhjetorit, çfarë kërkon të testojë Lulzim Basha?

Postuar në 06 Dhjetor, 2015 18:29

Lulzim Basha e deklaroi publikisht se protesta e së martës është një aksion që synon të rrëzojë nga pushteti dyshen Rama-Meta. Por a ka demokrat që beson se populli opozitar do të detyrojë qeverinë të dorëhiqet në 8 Dhjetor?

Data megjithë simbolikën që përmbledh nuk i shërben qëllimit që ka deklaruar kryetari i opozitës edhe pse synon të mobilizojë në protestë edhe atë kategori që e sheh raportin me të majtën nga llogoret antikomuniste të së shkuarës.

Përveç kësaj Lulzim Basha përfaqëson në Partinë Demokratike një brez që u katapultua në politikë në rrethana konjukturale dhe aspak si imponim i një fryme me ambicje për të reformuar lidershipin e Partisë Demokratike.

Nga kjo pikëpamje Lulzim Basha nuk përfaqëson asgjë antikomuniste në partinë që ai drejton dhe as mund të jetë bartës i trashëgimisë dhjetoriste, pasi përzgjedhja e tij në krye të Partisë Demokratike është vepër e kryetarit të deridjeshëm të saj, Sali Berisha.

Nëse shqiptarët thirren edhe pas 25 vitesh të rrëzojnë metamorfozën e një klike që sipas opozitës vazhdon të qeverisë vendin, morali për të dalë me një parrullë të tillë nuk i takon më Partisë Demokratike dhe ish-ministrit të saj Lulzim Basha që në planin politik nuk bënë asgjë për të dënuar të kaluarën përveçse vetëm me fjalë.

Vetë Lulzim Basha e di që thirrjet për revolucion nuk do prodhojnë atë që ai kërkon të bëjë me ndihmën e popullit opozitar. Megjithatë ai po përdor terminologjinë e paraardhësit të tij për të mbledhur rreth protestës edhe idhtarët e shefit të tij.

Ankthi i kryetarit të opozitës është se sa qytetarë do t’i përgjigjen thirrjes së tij për t’u mbledhur në sheshin para kryeministrisë, një test që vlen sa për të shuajtur zërat kundërshtarë brenda vetë partisë, por edhe një shenjë se çfarë premisash ka opozita e drejtuar prej tij për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Protesta e 8 Dhjetorit do të tregojë nëse Lulzim Basha është i aftë të krijojë frymën që i duhet shoqërisë për të bërë ndryshimin që i nevojitet. Ky është ankthi më madh i kryetarit të opozitës që po ka shumë pak kohë në dispozicion për të shtuar votuesit dhe për të rregulluar defektet që ka prodhuar karriera e tij konjukturale. Shanset në dukje janë të pakta.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.