Suret e Kuranit dhe Masakrat e ISIS

Postuar në 01 Dhjetor, 2015 14:00
Eugjen Merlika

Por ata që besojnë, pasuesit e Moisiut, pasuesit e Krishtit, Sabejtë, ata që besojnë në Zotin dhe në Ditën e Fundit dhe bëjnë të mira, do të kenë shpërblimin e tyre pranë Perëndisë dhe nuk duhet të ndruhen për asgjë e nuk do të kenë asnjë arsye për t’u trishtuar.”- KURANI Surja II Vargu 62

Kaluan dy javë nga ajo mbrëmje e 13 nëntorit 2013 në Paris, që hyri në historinë e fillimit të mijëvjeçarit të tretë me të njëjtën befasi e dhimbje, si 11 shtatori i 14 viteve më parë në Nju Jorkun e kullave binjake. Dy datat i bashkon ngjyra e kuqe e gjakut të qindra njerëzve që largohen nga jeta, ankthi e pasiguria që mbollën në psikozën e botës, cilësimi si “ndeshje qytetërimesh”, apo më mirë përplasje mes qytetërimit dhe të kundërtës së tij.

Sot njerëzimi përballohet me probleme të kundërshtive të vjetra e të reja, të lidhura me interesa po ashtu të vjetra e të reja, që mbajnë parasysh ndryshimet, por që kanë një gjë me të vërtetë të re : janë të zhveshura krejtësisht nga faktorët ideologjikë, që qenë përcaktues në gjithë shekullin e njëzetë. Lindja e Mesme, me gjithësinë e problematikave të saj të ndryshme, mund të quhet një laborator i politikës globale. Në këtë kuadër e reja më e rëndësishme është dalja e një shteti të ri, e atij islamik, në territoret e dy shteteve të tjerë që, në sajë të zhvillimeve të luftës mbas 11 shtatorit në Irak, me ndërhyrjen amerikane dhe të shkallëzimeve skajore të kundërshtisë mes diktaturës siriane dhe një pjese të popullit të saj, shkaktuan shkërmoqjen e tyre territoriale dhe krijimin e një entiteti të ri. Ky shtet i ri, i panjohur zyrtarisht nga asnjë shtet apo institucion i botës së sotme, por i ndihmuar drejt për së drejti apo tërthorazi nga shumë faktorë, është bërë tani problemi më shqetësues i panoramës së përgjithshme botërore.

I lindur në një territor të gjerë me popullsi mbizotëruese myslimane që, prej shekujsh, mbetet e ndarë në dy rryma fetare në luftë me njëra tjetrën, me pika referimi Arabinë Saudite sunite dhe Iranin bektashi, shteti islamik i vetëquajtur “Kalifat” dhe i drejtuar nga një “kalif” i vetëshpallur e i panjohur deri para dy vitesh, Al Bagdadi, ka vënë në qendër të synimeve të tij pushtimin e Perëndimit të krishterë, nëpërmjet luftës kundër “të pafeve”. Në këtë strategji objektivi kryesor mbeten të krishterët, kudo që të jetojnë, por edhe ata popuj myslimanë që mbajnë me ta marrëdhënie normale shtetërore, ekonomike, politike, kulturore etj. Ushtarëve të tij që, çuditërisht e fatkeqësisht, janë edhe nga Evropa veç atyre nga Vendet myslimane, Kalifati u ka shtënë në kokë idenë se jeta e vërtetë fillon mbas martirizimit, që duhet bëhet duke marrë me vete sa më shumë jetë “të pafesh”, pa asnjë dallim. “Të pafetë”, simbas tyre, janë gjithë ata njerëz të krishterë, apo të besimeve të tjera, përfshirë edhe myslimanë, që nuk pajtohen me “bëmat” e kalifit. Ata duhet të vriten me të gjitha mjetet, në të gjitha mënyrat e pa as më të voglin ngurrim. Kuptohet se një mendësi e tillë pjell përbindësha e një praktikë terrori të pafre, “pa din e iman”. Për të hasur të ngjashmit e tij, duhet të kërkojmë në periudhat më të errëta të historisë njerëzore.

Sot ISIS është mishërimi i terrorit “xhihadist” që, simbas tyre, është “rruga e Zotit”, mbasi kuptimi i fjalës “xhihad” i përgjigjet pikërisht atij termi. Veç ndërlikimeve të interesave ekonomike e politike të rajonit e përbërësve të tij së bashku me përkrahësit e tyre, mendoj se thelbi i çështjes lidhet edhe me konceptin e mësipërm. Sa i përgjigjet së vërtetës interpretative të Kuranit teza e Al Bagdadit është një gjë tepër e diskutueshme. Ka vargje të Kuranit që, të marra të shkëputura, mund të jenë prè e interpretimeve skajore të rrymës vahabite, duke ushqyer idetë vrasëse të grupit drejtues të Rakës.

“Luftojnë për çështjen e Zotit ata që shesin jetën e këtushme për të blerë atë të përtejmen. Çfarë shpërblimi të madh do t’u japim, edhe nëse vriten edhe nëse fitojnë, atyre që luftojnë për çështjen e Zotit.” Kështu shkruhet në vargun 74 të surjes IV të Kuranit. A mjaftojnë vetëm këta dy rreshta për të përligjur serinë e pafund të masakrave të ISIS, ku Parisi dhe Bamako janë të fundit shfaqje të tyre të llahtarshme? Kurani ka një larmi të pafund mesazhesh që anashkalohen nga arkitektët dhe ithtarët e terrorit, të cilët synojnë me të gjithë mjetet të shkaktojnë një përplasje epokale ndërmjet dy besimeve më të përhapura në botë, asaj islame dhe asaj të krishterë. Një synim i tillë bie ndesh kryekëput me mësimet e Kuranit, i cili shpesh vë në dukje rolin e Krishtit apo të Shën Mërisë në vizionin epror të Zotit. Ja çfarë thuhet në surjen e III, në vargun 45 : “Kujto kur Engjëjt thanë : o Maria, Zoti të jep lajmin e gëzueshëm të një Fjale prej Tij. Emri i Tij do të jetë Jezu (Isà) biri i Maries. Do të jetë i ndritshëm në këtë botë e në tjetrën e do të jetë pranë Zotit.” Si mund të pajtohet lufta e ISIS kundër botës së krishterë, kur fjala e Zotit, e shprehur në Kuran, bën një vlerësim të tillë për figurat kryesore të krishterimit ? Si mund të përligjen vrasjet masive të njerëzve të thjeshtë në Evropë apo në Vendet myslimane, madje edhe në vetë tempujt e Perëndisë, në faltoret ku njerëzit luten, në xhamitë apo në kisha ?

“Ai që vret me dashje një besimtar, ka ndëshkimin e tij në Xhehnem, në të cilin do të qëndrojë përjetë. Përmbi të është zemërimi dhe mallkimi i Zotit me një mundim të pafund.”, shkruhet në surjen IV, në vargun 93. Në surjen VI, vargu 151, në “Urdhërimet e Zotit”, ndërmjet të tjerash thuhet : “Mos vrisni se Zoti ka ndaluar të vritet, veçse për arsye të drejtë!” Në surjen v, vargu 32, jepet porosia e të Plotfuqishmit : “Për hir të kësaj i kemi shkruar bijve të Izraelit se ai që vret një njeri pa e shkëmbyer me një tjetër njeri të vrarë, ose me një shkatërrim të kryer mbi tokë, është njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit së bashku. Nëse dikush mban në jetë një njeri është njësoj sikur të mbante në jetë gjithë njerëzimin.” Surja XVll, vargu 33, përcakton vullnetin e Zotit : “Mos vritni njerëzit që Zoti ka ndaluar të vriten, veçse për motive të drejta. Hakmarrësit të atij që është vrarë pa të drejtë ne i kemi dhënë pushtet. Ai nuk duhet ta teprojë në të vrarë e do të ndihmohet.”

Ishin këta disa prej vargjeve të Kuranit të cilët, me gjithë qartësinë e tyre, më duket se kanë nevojë për një sqarim nga ata që merren me studimin e tij e që kanë autoritetin për të shpjeguar mesazhin e tyre. Çështja e interpretimit të doktrinave fetare, më shumë e Islamizmit, është bërë mjaft e mprehtë në njëzet vitet e fundit, kryesisht në dy më të fundit, si pasojë e strategjisë të ashtuquajtur “xhihadiste”, që synon të shkaktojë sa më shumë viktima të pafajshme, nëpërmjet dhunës së armatosur, në pjesën më të madhe të rasteve, vetëvrasëse. Bëhet ende më urdhëruese kjo kërkesë, kur këta krime masive fillojnë me shprehjen “Allah i akbar” (Zoti është i madh) e paraqiten si një vënie në jetë e vullnetit të Tij. Është e vërtetë që besimi mysliman nuk ka një hierarki të përcaktuar si ajo e besimeve të tjera, sidomos të krishtera, por ka autoritetet më të larta në të gjitha bashkësitë islame, si në Vendet myslimane edhe në ata të mërgimit. Këta autoritete, përballë veprimesh terroriste që rrezikojnë të kryhen çdo ditë “në emër të Zotit”, mendoj se e kanë për detyrë të ngrenë zërin e tyre, jo vetëm për të dënuar dhunën, por edhe për të argumentuar se doktrina e Kuranit nuk e nxit atë. Kjo kërkon edhe shpjegimin e atyre thënieve që mund të interpretohen si urdhra t’Allahut për ta ushtruar atë. “Arsyeja e drejtë “ apo “motivet e drejta”, të cilët vargjet e Kuranit i quajnë justifikuese e të ligjshme për të vrarë, duhet të jenë të përcaktuara mirë e qartë, pa lënë shteg për keqkuptime, akoma më keq për ligjërim të krimeve. Këtë duhet ta bëjnë autoritetet fetare myslimane, duke filluar nga ata më të lartit e atyre Vendeve, nëse duan të shmangin zyrtarisht interpretimin krimnxitës që banditët e kalifatit shpalosin, çdo ditë, nëpërmjet propagandës së tyre në rrjetet sociale. Në këtë drejtim vlen të vihet në dukje një shkrim i Myftiut të Madh të Egjiptit dhe Kryetar i Dar al-ifta al-Misriyyah, Institutit të Studimeve Islamike dhe qendër e Drejtësisë Islame, Shefki Allam, të botuar në sitin internet të Al Arabija, mbas masakrës së Parisit. Është një analizë e thellë e problemit të terrorizmit të shtetit islamik, duke vënë theksin edhe mbi faktin e interpretimit të librit bazë të Islamizmit.

“E gjithë bashkësia islame është në zi, ashtu sikurse i gjithë populli francez, sepse një sulm i përmasave të tilla, në të vërtetë, është një sulm kundrejt gjithë njerëzimit, siç thuhet në Librin tonë të Shenjtë. Kam qenë absolutisht i qartë e pamëdyshje në dënimin e të gjitha akteve të terrorizmit dhe xhelatërisë si ky dhe ritheksoj se Islami nuk pranon por dënon ekstremizmat e çdo lloji….” Një qëndrim i tillë është mbajtur edhe nga autoritete të bashkësive myslimane në Francë e Itali, por mungon nga ana e klerikëve të lartë sunitë të Vendeve të Gjirit….

Ai lloj qëndrimi që i shërben jo luftës por harmonisë mes popujve, në respektin e ndërsjellë të besimeve dhe mënyrave të jetesës, nuk mund të mos na kujtojë Mbledhjen e Prishtinës që, pak ditë më parë, pohoi vullnetin e autoriteteve myslimane të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë për të dënuar, pa as më të voglin dyshim masakrat e fundit në Paris. Ai dënim shtrihet edhe te të gjithë aktet e tjera kriminale të shtetit islamik, të kryera në Vende të ndryshme të botës, me viktima të të gjitha besimeve e të shumë kombësive, kryesisht në mosha të reja. Në kujtesën e përgjithshme të gjitha ato meritojnë të njëjtin nderim e shkaktojnë të njëjtën dhimbje. Mbledhja e Prishtinës qe shprehje e ruajtjes së traditës më të mirë të Islamizmit shqiptar, paqësor e atdhetar, faktor paqeje e mirëkuptimi në Kombin tonë, ashtu sikurse edhe besimet e krishtera. Të gjithë së bashku ndihmojnë në ravijëzimin e një profili kombëtar, të trashëguar nëpërmjet harmonisë së besimeve dhe bashkësive përkatëse, profil që duhet ruajtur e për të cilin duhet të jemi krenarë e ballëlartë.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.