Në pranga për një "nder" 3 milionë lekë prokurori i Fierit. Pazaret me drejtësinë kanë zbritur në rrugë
Gjyqtarët dhe prokurorët janë vënë publikisht nën akuzë për deformimin e rëndë të sistemit të drejtësisë dhe kthimin e saj në një pazar me përfitime personale në miliona euro pasuri. Shpresat për një reformim të sistemit dhe pastrim të trupës së korruptuar dhe inkriminuar janë të pakta për aq kohë sa kjo do t'i besohet njerëzve që e kanë ngritur këtë sistem dhe janë më të interesuarit ta mbajnë në këmbë atë. Shembull tipik është arrestimi i Prokurorit të Fierit, i cili u vu në pranga sepse kishte marrë rryshfet për zbutjen e masës së dënimit të një shtetasi, autor i një aksidenti me pasojë vdekjen.
Për këtë "nder" prokurori Petrit Vukaj dyshohet se ka marrë rryshfet 3 milionë lekë të vjetra. Por pasi Gjykata kishte pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorit për ulje të masës së dënimit i pandehuri u kërkon dy personave sekserë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij. Përtej fabulës që tregon katandisjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, arrestimi i prokurorit të Fierit nuk ngjall shpresë se drejtësia po fillon të pastrojë veten për aq kohë sa zellin për të reformuar veten sistemi do ta tregojë me arrestime për pazare ordinere që kryhen në katet e poshtme të prokurorive dhe gjykatave.
Add new comment