Shqipëria hap “shkollën e riedukimit” kundër ekstremizmit të dhunshëm

Postuar në 26 Nëntor, 2015 12:12

Shqipëria zyrtare ka pretendime të mëdha sa i përket rolit të vet në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo bëhet e ditur nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati që është shfaqur në një intervistë për “Deutsche Welle”. Bushati pyetet për konkluzionet e konferencës së ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Institutin Aspen, realizuar me ftesë të ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier dhe atij italian, Gentiloni dhe ka ndër të tjera këtë përgjigje: “Natyrisht u diskutuan programet, me të cilat vendet që janë pjesë e aleancës kundër të ashtuquajturit "Shtet Islamik" bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, përpjekjet që bëhen për shkurajimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, edhe përpjekjet që po bën Shqipëria posaçërisht në këtë drejtim edhe përmes krijimit të qendrës rajonale për përballimin e ekstremizmit të dhunshëm, si pjesë e strategjisë kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm, të miratuar në Këshillin e Minstrave javën e kaluar. Kjo qendër rajonale që do të ngrihet vitin e ardhshëm në Shqipëri, me mbështetjen e partnerëve strategjikë do të fokusohet tek elementët edukativë, ata të bashkëjetesës fetare, pra për të punuar me komunitete të ndryshme, për të rrezatuar atë që është unike në Shqipëri apo hapësirën shqiptare për sa i përket bashkëjetesës më të mirë fetare. Ka disa forma si mund të luftohet ekstremizmi i dhunshëm, ndër to edhe programet edukative, kulturore, të cilat ne synojmë t'i kultivojmë sa më shumë që të bëhen shembull rrezatues edhe për vende të tjera”. Ngjan disi paradoksale që qeveria shqiptare, që perceptohet si një agregat institucionesh të korruptuara nga raporte të ndryshme ndërkombëtare, por nga shoqëria, të ushtrojë një rol edukativ. Më tej akoma, vitin e kaluar qeveria ka ndërmarrë disa akte që nga komunitete të caktuara fetare janë cilësuar si përçarëse, pa folur këtu për përdorimin e tolerancës së një virtyt inherent ndër shqiptarët. Kjo e fundit e bën disi të tepërt edukimin. Lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizimit e pranon edhe këtë qasje, të cilën vetë Europa po e zhvendos nga shoqëritë e veta, por ajo është një luftë komplekse. Në këtë kuadër fjalëve siç është edukimi, nëse kjo qendër do të jetë vetëm për edukim(!) i duhen shtuar edhe mjete të tjera. Mirëpo vetëm këto dy ditë shërbimi sekret është ankuar se nuk ka fonde të mjaftueshme për të realizuar detyrimet e veta në përballjen me sfidat e reja.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ne fakt edhe parlamenti edhe qeveria si shkolle riedukimi jane bere!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.