Qeveria takson vetëm naftën e importit, prodhimi i ARMO-s pa asnjë efekt në buxhet
Për vitin 2016 vlerësohet që konsumi i karburanteve të rritet me 3,4% më shumë se këtë vit. Monitor thotë se për efekt të të ardhurave në buxhet qeveria parashikon të taksojë vetëm naftën e importit duke mos llogaritur taksimin e naftës vendase edhe ne rast se prodhimi do të vijojë normalisht si këtë vit.
“Supozohet se e gjithë kjo sasi karburanti do të importohet, dhe nuk do të ketë prodhim vendas. Pra, të gjithë taksat e aplikueshme mbi karburantin janë të ardhura që vilen nga administrata doganore” argumentoi ministria e Financave në materialin shpjegues se si do të realizohen të ardhurat në buxhetin e vitit 2016.
Kjo për arsye se institucionet taksambledhëse hasën vështirësi në taksimin e prodhimit vendas të naftës këtë vit, pavarësisht se nafta e përpunuar nga impiantet e ARMO-s këtë vit zuri gati 30 për qind të nevojave të tregut.
Ministria e Financave ka bërë të ditur se për vitin 2015, parashikohet një konsum total prej 516,121 ton karburant, nga të cilat rreth 474,923 ton karburant janë në import dhe 41,199 ton karburant janë prodhim vendi.
Në tremujorin e dytë 2015, në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 0,7 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, dhe është rritur 12,8 % krahasuar me tremujorin paraardhës.
Add new comment