“Projektligji i pronave, me dispozita që bien ndesh me të Drejtat e Njeriut”
Avokati i Popullit është bërë pjesë e diskutimeve për projektligjin e ri të pronave, që ka brenda gjetje origjinale për të hequr qafe pronarët legjitimë. Vërejtjet që sugjeron zyra e drejtuar nga Igli Totozani janë pak a shumë po ato që të gjithë që kanë diskutuar për këtë nismë, kanë ngritur. Po mbajmë shënim dhe nënvizojmë vërejtjet për nenin 6:
“Konstatojmë se neni 6 në tërësinë e tij është në kundërshtim me përmbajtjen e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Protokollit shtesë nr.1, në papajtueshmëri me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. Parashikimi i kësaj dispozite përbën një cënim të rëndë të së drejtës së pronës. Për këtë arsye sygjerojmë që kjo dispozitë të rishihet në tërësinë e saj dhe pronarët të kompensohen për pronën e tyre në bazë të zërit kadastral, që është klasifikuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ligji aktual është shumë i qartë në këtë pikë kur shprehet për kompensimin në të holla, si dhe një nga format e tjera të parashikuara nga ligji, apo kthimin fizik, në natyrë të pronës, pronarit. Kjo formulë nuk ka një bazë mbështetëse në legjislacionin në fuqi dhe nuk mbështetet në parashikimet e bëra në Kushtetutë sa i takon mënyrave të fitimit të pronësisë. Është e pakuptueshme dhe nuk dihet se cila ka qënë metodologjia për përcaktimin e kësaj formule “Kompensimi”, qoftë për ata pronarë që tashmë kanë në dorë një vendim nga KKKP, AKKP, Gjykatat e vendit, apo edhe nga Gjykata e Strasburgut, apo edhe për ata që presin prej shumë vitesh që një vendim i tillë të merret nga organi përkatës kompetent, pra AKKP-ja. Nuk përjashtohen këtu edhe ata pronarë që do të aplikojnë rishtazi, për kthimin apo kompensimin e pronë së tyre, pas miratimit të bazës së re ligjore që do të trajtojë këtë çështje. Formula e re, e trajtimit të pronarëve përbën në thelb ndryshim të vendimeve respektive, por edhe një cënim thelbësor të së drejtës së pronësisë”, thotë Totozani.
Add new comment