“Qeros jam edhe unë”

Postuar në 17 Nëntor, 2015 05:58

Ai thithte fort duhanin që e mbante mes gishtave eshtërorë dhe fliste butë si me fjalë të brendshme:

Pa ejani ta mburrim njëri-tjetrin/ Dhe mos kursejmë as fjalë lavdërimi,

T'ia bëjmë shoku-shokut komplimentin/ Në çaste dashurie dhe pendimi.

Pa ejani dhe çiltërisht të qajmë/ Kur veç e veç dhe ku me shoqërinë,

Mëri për fjalët sharëse mos mbajmë/Se dashuria fqinje ka mërinë.

Pa ejani, dhe gjysmë fjale qoftë Për ne pendim, pajtim dhe marrëveshje:

Që kush gaboi, më tutje mos gaboftë/Nëse kupton se jeta ka një vdekje”.

Pastaj lëshonte shtëllungën e tymit që i ngjitej flokëve të bardhë, shoqëruar me një qeshje sysh. Kjo e bezidste sa s’ka bashkëbiseduesin, një zdap nja dy metra që nuk po dinte sesi ta niste muhabetin. Dhe nuk kishte faj se ishte në hall të madh.

- “Çfarë the se nuk të dëgjova?”,  e pyeti si befas. “Marrëveshje? Po ti e njeh I. para meje. Si të bëj Marrëveshje me të, kur ai këtë e quan fitore dhe poshtërim timin? Pastaj nuk ka besim ndaj meje fare”.

- “Sa i pagdhendur që është! Ose e bën frika dhe padurimi të tillë”, mendoi krejt padashje A. me vete.  

- “Shiko",  i tha butë. “I. mua më kujton atë përrallën e Qerosit me Katallanin. Qerosi, nuk ja mbushte mendjen askujt. Se në një vend si ky i yni, po nuk qeve i pashëm, e i prapë, nuk të vë njeri në refene. Po ja që populli kështu e ka menduar: ta falë e fshehë zgjuarësinë gjetkë, jo tek i bukuri. Qerosi u nis e vrau Katallanin dhe shpëtoi fshatin dhe gjindjen nga një hall i madh. Me siguri që u kthye prapë në fshat. Ja zëre se I. e ndryshon përrallën: e vret Katallanin, jo për të shpëtuar fshatin, por për t’i zënë vendin”.

- “Qerosi dhe Katallani. Çfarë prrallis ky mor aman se më çmendi? Ç’hall kam unë e ça thotë ky”.

 Pastaj befas i shkrepi: “Hej bela. Edhe këtu shkojmë në të kundërt me botën”.

Iu kujtua ajo rrëfenja e Biblës për Samsonin që e kishte fuqinë te flokët. Kollaj fare: duhet t’ia shkurtoje dhe i ikte fuqia. Po si i bëhej këtu tek Ne, kur fuqinë e ka Qerosi; si vallë t’ia rrisësh flokët? Për dreq edhe I. kishte shumë kohë që qethej thuajse zero.

- “Pikë e zezë”, mendoi. “I mbushet mendja atij të zgjasë flokët! He ç’e ndolli ters ky tani?! Nga ma futi në mendje këtë përrallë budallaqe...”. Por edhe pse e torri kaq në mendje, sërish goja i foli para mendjes:

- “Pa dale, qeros jam edhe unë...”, i shpëtoi. “Qeros jam edhe unë...”.

A. e pa pa lëvizur sytë, e thithi edhe njëherë duhanin, lëshoi ngadalë shtëllungën e tymit dhe nisi gjithë kënaqësi të përsëriste:

Pa ejani ta mburrim njëri-tjetrin/ Dhe mos kursejmë as fjalë lavdërimi,

T'ia bëjmë shoku-shokut komplimentin/ Në çaste dashurie dhe pendimi.

Pa ejani dhe çiltërisht të qajmë/ Kur veç e veç dhe ku me shoqërinë,

Mëri për fjalët sharëse mos mbajmë/Se dashuria fqinje ka mërinë.

Pa ejani, dhe gjysmë fjale qoftë Për ne pendim, pajtim dhe marrëveshje:

Që kush gaboi, më tutje mos gaboftë/Nëse kupton se jeta ka një vdekje...”.

- “Po, e vërtetë. Edhe ti je qeros”.  

 

"Shaptilografisti"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.