“Brigadat e Kuqe”, tallje nga Kashari për ministrin e forcës
Pas hetimeve dhe shoqërimeve që kreu policia dhe prokuroria u zbulua se autori i emailit që “kërcënoi” ministrin e Brendshëm Sajmir Tahirin nuk ka lidhje me “Brigadat e Kuqe”, madje ato nuk ekzistojnë në Shqipëri. Panorama shkruan se dërguesi i e-mailit ka pranuar se ka bërë një “shaka pa kripë”, pas së cilës nuk ka asnjë grup, asnjë formacion apo ideologji.
Ditën e djeshme policia ka shoqëruar shtetasit Klodian M. dhe Valter M. Të dy ata mësohet se janë të rinj nga zona e Kasharit, në Tiranë. Shoqërimi i tyre është bërë pasi specialistët e IT në Policinë e Shtetit arritën të zbulonin dërguesin e e-mailit në adresën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Dy të rinjve mësohet se u është sekuestruar gjatë shoqërimit edhe një kompjuter lap top dhe dy telefona celularë. Pasi janë shoqëruar në Policinë e Tiranës dhe janë marrë në pyetje, dy të rinjtë janë verifikuar në të shkuarën dhe të tashmen e tyre. “Nuk rezultoi që dy të rinjtë të kenë ndonjë lidhje me aktivitete ekstremiste. Për këtë arsye u vendos ndjekja penale e tyre në gjendje të lirë”, thanë burimet nga hetimi.
Kujtojmë se email-i “kërcënues” për Tahirin u shpërnda për mediat nga stafi i ministrit të nesërmen e atentatit në Paris, por pak kush e mori seriozisht kërcënimin për shqiptar, pasi ai vetë nuk është kërcënim për askënd dhe aq më tepër për xhihadistët.
Add new comment