Parkimet me pagesë: Vetëm nevojë e qytetit, apo një parapërgatitje për konçesion?

Postuar në 16 Nëntor, 2015 16:11

Nuk ka mbushur vitin në detyrë, por Erjon Veliaj po ja del që nga një kryetar bashkie që fliste për popullin dhe hallet e tij, të kthehet në një lloj administratori i shërbimeve me pagesë që Bashkia po ofron. Pas parkingut të parë me pagesë tek sheshi “Italia”, sot, kreu i Bashkisë së Tiranës, ka përuruar një tjetër parkim me pagesë te stadiumi “Selman Stërmasi”. Mënyra sesi Veliaj e përcjell investimin është origjinale krahasuar me çdo “politikan” tjetër: “Kjo është një mënyrë se si vetëm me 100 lekë dhe me një faturë tatimore, çdo qytetar praktikisht investon në një qytet më të mirë. Me këto para që ne mbledhim nga parkimi mbjellim më shumë pemë se këto që kemi mbjellë këtu, bëjmë më shumë korsi biçikletash, si ajo që kemi bërë në rrugën “Dritan Hoxha”, shtojmë hapësirat e gjelbra, ashtu siç po bëjmë tek liqeni dhe hapësira të tjera”. Këtu do shtruar një pyetje e cila anashkalohet përherë: nëse këto para që merren nga parkimet me lekë shkojnë për gjelbërimin e Tiranës, çfarë ndodh atëherë me taksën e gjelbërimit që paguhet prej vitesh? Transparenca me paratë që jepen nga publiku është shumë thelbësore jo vetëm për të ditur se çfarë po bëhet me to, por edhe për të mos lejuar që investime si këto të parkimeve të mos trajtohen me frymë populiste siç bën kryetari aktual i Bashkisë. Si një “politikan” që preferon të mbajë të gjallë konceptin e “heroit pozitiv” për veten që lufton demonët e këqinj siç janë “dashnorët e zhulit”, apo shqupistët, Veliaj nuk mund të rrijë pa propagandën e ditës:  “Kjo hapësirë ishte një parking i paligjshëm dhe menaxhohej nga një deputet i PD. Unë besoj se është më mirë kur e menaxhon bashkia për të gjithë qytetarët, sesa një deputet që i merr dhe i fut në xhep paratë. Për të sqaruar këdo që është shqetësuar nga opozita, e di që ju janë prekur interesat, por unë jam zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Tiranës, kurse ata u zgjodhën që të mbronin interesat e deputetëve të tyre”, tha ai.

Kjo deklaratë do mbajtur shënim pasi ndërhyrjet e Bashkisë për parkimin me pagesë prek 71 rrugë, të ndara sipas akseve  të trafikut. Le të kujtojmë se pak para zgjedhjeve lokale, u diskutua edhe konçesioni i parkimeve, që parashikonte pak a shumë këtë skemë tarifimi. Veliaj sot na thotë se paratë do t’i shkojnë Bashkisë, pra arkës së përbashkët, por ekzistojnë të gjithë premisat që kushdo të ngrejë pyetjen: a mos vallë po përgatitet konçesioni i parkimeve, por kësaj radhe me një rrugë tjetër? Është legjitime kjo pyetje pasi një rast tjetër na e thotë këtë. Qeveria me të shtetëzuar OSHEE-në, deklaroi, por ende pa e futur në proces, se në një të ardhme do të ribëhet privatizimi i saj. I Shërbimeve më saktë. Pse vallë një kompani që është fitimprurëse do të riprivatizohet? E njëjta pyetje shkon edhe për parkimet me pagesë? Po kështu, konçesioni i parkimeve në Vlorë u mohua fillimisht. Vetëm kur doli shkresa në dritë dhe të gjithë panë se ajo ishte çështje e mbyllur. Çfarë na siguron se ky shërbim që sot na thuhet se shërben për të shtuar disa pemë, nuk përgatitet për nesër për t’u dhënë me konçesion? E mira e do që këto çështje të trajtoheshin në fushatën elektorale, përveç puthjeve me plakun e radhës në takim elektoral.

Në fund, por jo për nga rëndësia është edhe studimi për nevojën e parkimeve të tilla. Ato janë të nevojshme në një qytet si Tirana. Por ndërkohë që Bashkia disiplinon në këtë drejtim, një pamje nga parkimi i sheshit “Italia”, marrë në mbrëmje, na provon se parkimi nuk është emergjencë. Parkimi është tërësisht bosh. BOSH. Të jetë kjo vetëm një natë e vetme?

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.