Konferenca Ipeshkvnore del hapur politikisht, ç’mendojnë katolikët për largimin e shqiptarëve dhe reformën në drejtësi
Është hera e parë që strukturat drejtuese të një organizimi fetar ekspozohen hapur politikisht mbi situatën në vend, duke parashtruar edhe kërkesa drejtuar klasës politike.Në Asamblesnë e Zakonshme të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë në datat 10 dhe 11 nëntor 2015, sipas njoftimit zyrtar u diskutuan dy prej tyre temave që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën, jo vetëm të besimtarëve katolikë, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Duke iu referuar emigrimit të shqiptarëve dhe kërkesave të larta për azil Konferenca Ipeshknove arrin në përfundimin se për largimin e shqiptarëve ka përgjegjësi politike dhe shtetërore.
“Ne mendojmë se kjo është për shkak të situatës ekonomike të vështirë që shumë familje shqiptare kalojnë dhe rritja e papunësisë për moshën e re. Nëse nga njëra anë ne bëjmë thirrje që shqiptarët të mos e braktisin vendin e tyre, por të gjejnë motive për të qëndruar e jetuar këtu, nga ana tjetër shikojmë te faktori shtetëror dhe ai politik përgjegjësit për këtë ikje të shqiptarëve e sidomos të të rinjve”-thuhet në njoftim.
Pikëpyetje ngrihen edhe mbi qëllimin e reformës në drejtësi, ndërsa jepen sugjerime edhe për njerëzit e sistemit të drejtësisë që i përkasin besimit katolik.“Ne si ipeshkvij të Kishës Katolike, edhe në emër të besimtarëve katolikë, e mbështesim dhe e inkurajojmë këtë reformë, sidomos nëse ajo ka për qëllim të godasë korrupsionin në sistemin e drejtësisë i cili është një e keqe shumë dëmshme për shoqërinë tonë.
Dhe apelojmë të gjithë që të kontribuojnë në këtë drejtim qoftë faktorin politik, partitë politike, parlamentin, punonjësit e drejtësisë etj. Në mënyrë të veçantë ne u bëjmë thirrje e u kujtojmë juristëve katolikë që punojnë në sistemin e drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë apo avokatë, që të jenë shembull në ushtrimin e drejtësisë. Besimi në Zotin nuk përputhet me korrupsionin dhe ryshfetin të cilat përveçse janë një shkelje e ligjit, janë edhe një mëkat që lyp llogari përpara Zotit dhe Kishës”-përfundon deklarata.
Add new comment