Email-i drejtoreshës së Tatimeve: Analizë urgjente, shkurtimet e të punësuarve në biznese alarmante
"Dua urgjent analizën sidomos drejtoria e VIP, janë 4800 largime dhe është alarmante. Kontaktoni çdo subjekt”. Me këtë tekst u është drejtuar Briseida Shehaj vartësëve të saj pas konstatimit të shkurtimeve drastike që kanë kryer bizneset në puninjës. Revista Monitor thotë se për periudhën shtator-tetor të këtij viti janë rreth 73 mijë largime nga puna të deklaruara. Shumë prej të larguarve u përkasin industrisë së këpucëve e veshjeve dhe të call center, dy sektorët që kanë qenë gjeneruesit kryesorë të punësimit në vend.
Sipas listave, rekordin e mban Tirana me rreth 29 mijë largime. Edhe bizneset VIP kanë shkurtuar në dy muaj rreth 9500 punonjës. Këto shkurtime masive të vendve të punës përkojnë me fushatën anti-informalitet, me një presion të shtuar ndaj bizneseve dhe ashpërsimin e gjobave për punonjës të pasiguruar dhe deri te kërcënimet për burgim.
Krahasimi me muajt e mëparshëm, për të parë nëse numri i të larguarve ka qenë po aq i lartë, apo kjo dukuri është përshpejtuar në shtator-tetor është disi i pamundur, pasi tatimet nuk i kanë mbajtur të dhënat e detajuara në këtë formë më parë, por gjithsesi vlerësohet se situata është përkeqësuar. Nga tabelat e largimeve dhe punësimeve rezulton që sipërmarrjet që kanë larguar punonjës nga puna, nuk kanë marrë të tjerë, ndërkohë që ka dhe biznese që kanë pushuar 20-30 punonjës njëherësh.
Largimet masive nga puna tregojnë se rreth 73 mijë familjeve (apo 10% të totalit të famijleve shqiptare) u ka ikur të paktën një burim të ardhurash.
Add new comment