Tsipras në kërkim të një kompromisi me Turqinë
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras do të ndodhet në Turqi javën e ardhshme, duke qenë lideri i parë europian që viziton vendin pas fitores së zgjedhjeve nga partia e kryeministrit Davutoglu.
Sipas burimeve të shtypit grek, Davutoglu ka sugjeruar që dy kryeministrat të ndjekin së bashku miqësoren e futbollit Turqi-Greqi, të martën më 17 nëntor dhe pastaj të kalohet në takimet zyrtare.
Nuk dihet se cila ka qenë përgjigjja e zotit Tsipras, ashtu siç mbetet ende e panjohur nëse kryeministri grek do të takohet edhe me presidentin Erdogan.
Përtej problemeve të njohura që kanë qenë vazhdimisht burim tensionesh midis Athinës dhe Ankaras, në raportet midis të dy vendeve është hapur edhe një kapitull i nri, që ka të bëjë me problemin e refugjatëve. Në territorin turk ndodhen më shumë se 2 milionë refugjatë nga Siria, të cilët zgjedhin si rrugëdalje drejt Europës kalimin e tyre nga brigjet greke. Në mjaft raste këto kalime kanë kushtuar me humbjen e shumë jetëve njerëzore.
Aleksis Tsipras do të diskutojë me homologun e vet turk, Ahmet Davutoglu një paketë propozimesh, në kërkim të një kompromisi për t’u kufizuar flukset e refugjatëve që kalojnë në Greqi nga Turqia.
Kohët e fundit Athina ka theksuar vazhdimisht nevojën që Bashkimi Europian të financojë krijimin e qendrave të pritjes së refugjatëve edhe në territorin turk. Ndërsa kryeministri Tsipras deklaron në mënyrë konstante se procesi i rivendosjes së refugjatëve në vende të BE-së, duhet të bëhet direkt edhe nga territori turk.
Tsipras e Davotoglu kanë patur më herët një takim kortezie në selinë e OKB, në fund të shtatorit. Aty u ra dakord që të dy vendet të ngrinin një nivel më të lartë bashkëpunimin edhe për krizën e refugjatëve. Pas zgjedhjeve të 1 nëntorit, Tsipras i telefonoi Davutoglut për t’i uruar fitoren në zgjedhje, si dhe për t’i konfirmuar pranimin e ftesës për të vizituar Turqinë.
Add new comment