Politikanë fitimtarë dhe artistë dështakë

Postuar në 10 Nëntor, 2015 14:13
Erion Gjatolli

Fitimtarët e Kryeministrisë

Pak ditë më parë u mbajt në Qendrën për Hapje dhe Dialog brenda Kryeministrisë, prezantimi i librit Fitimtarët, i gazetarit britanik Alastair Campbell, këshilltar historik i Tony Blair-it, por edhe i Edi Ramës gjatë fushatës së vitit 2013. Aktiviteti filloi me një performancë multimediale ndërtuar nga Fatos Berisha, regjisor filmi, teatri dhe televizioni nga Kosova. Një pult për DJ dhe ndriçim i gjelbër për atmosferë në njërën anë të sallës, një bateri – instrument i fuqisë, ritëm i fitores – në këndin tjetër, dhe një ekran në qendër ku ndërthureshin vazhdimisht imazhe personash të suksesshëm.

Bill Clinton dhe Edi Rama janë ata që shfaqen më shpesh e më gjatë. Vijon një fjalim falënderimi i gjatë thuajse sa vetë performanca, por më në fund promovimi mund të fillojë, e në panel ulen, veç autorit të librit dhe Kryeministrit, edhe dy fitimtarë të tjerë, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, dhe trajneri legjendar i Milanit dhe i kombëtares italiane, Arrigo Sacchi. Si zakonisht fjalëmatur dhe i përkorë, është e vështirë t’i nxjerrësh ndonjë deklaratë De Biasi-t; po aq e vështirë është të ndërpresësh hovin tregimtar të Sacchi-t, kujtimet e kohëve të arta dhe shkëmbimet epike me kampionët.

Ndërsa Alastair Campbell flet për fitimtarët e tij, politikanë, sipërmarrës, sportistë, për OST-in dhe tri fjalët kyçe: Objektiv, Strategji, Taktikë. Ndalet te lidhja e ngushtë mes politikës dhe sportit, mes strategjisë së udhëheqjes dhe lojës në skuadër. U bën thirrje drejtuesve të ardhshëm t’i kthejnë sytë pikërisht nga sporti, nëse duan të jenë të suksesshëm, si hap i pashmangshëm për të përvetësuar rregullat e lojës. Ashtu siç ka kuptuar dhe ka bërë më së miri edhe Kryeministri shqiptar, fitimtar, sipas Campbell-it, falë aftësisë për të ngritur një skuadër (siç do të thoshte). Mbrëmja mbyllet në mungesë komunikimi, me protagonistët të humbur, pa përkthim, për shkak të problemeve teknike me mikrofonat dhe një cocktail për të ftuarit.

Dështakët e Muzeut

Ndërkohë, në fund të bulevardit, në Muzeun Historik Kombëtar, është hapur që prej datës 1 nëntor ekspozita ACAS – Salloni i Artistëve Bashkëkohorë Shqiptarë, aktivitet i kuruar nga një ekip ekspertësh dhe kuratorësh francezë me qëllim përzgjedhjen, ekspozimin dhe promovimin e punëve të artistëve të rinj shqiptarë në Francë.

Nga punët e trembëdhjetë artistëve të përzgjedhur duket se, veç aftësisë për të përcjellë “dinamizmin e aktivitetit artistik shqiptar”, vëmendje të veçantë i është kushtuar përballjes së artistëve me historinë apo me ato tipare të veçanta, për të mos thënë ekzotike, të realitetit shqiptar, të sotëm dhe të djeshëm; vëmendje për elemente të një regjimi të shkuar që vazhdojnë të shënjojnë përditshmërinë shqiptare. Ishin ekspozuar punë që depërtojnë thellë dhe bindshëm në të shkuarën e mbuluar (Dani) dhe të dhembshme (Zonja), punë ku mbivendosen pikturat e ricikluara nga e kaluara (Zguro), rikthehen pamjet e librave fantastiko-shkencorë të regjimit (Shkurti), bashkohen sakrificat e djeshme dhe tjetërsimi i sotëm (Teli), riorganizohen ushtarët jetëshkurtër të ëndrrave utopike enveriste (Kaso).

Punët ishin thuajse të gjitha të ekspozuara më parë, pra të njohura për publikun – fatkeqësisht i paktë, por të paktën besnik – e skenës bashkëkohore tiranase, por artistët ndërkaq po përgatiten për shpërnguljen e ardhshme në Paris, ndërsa publiku i këtushëm ka rastin t’i rishikojë punët të vendosura denjësisht në një ambient posaçërisht të rikonstruktuar dhe si rrallëherë të përshtatshëm për ekspozim. Për faktin që ekspozita mbahet në një muze historik, pa ndonjë lidhje të dukshme me artin bashkëkohor dhe pa vëmendje kuratoriale ndaj hapësirës, mund të vendosim njëzëri të mos bëjmë zë.

Veç ekspozimit të punëve, disa prej artistëve mbajtën edhe takime publike për të shpjeguar artin dhe procesin e tyre krijues, si dhe për t’u përballur me kureshtjet e të pranishmeve. Ndër këto, më datë 7 nëntor, të nesërmen e prezantimit në COD, u takua me publikun Driant Zeneli, i vetmi ndër artistët që për aktivitetin kishte paraqitur një punë të re, një performancë site specific, ku u kërkonte studentëve të Universitet të Arteve të Tiranës të rikrijonin brenda muzeut mozaikun e ballinës së ndërtesës, për të dhënë imazhin e Shqipërisë së sotme, të heronjve bashkëkohorë.

Gjatë takimit, Zeneli prezantoi trilogjinë Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri: në videon e parë, Ëndrra e Ikarit ishte të bënte një re (2009) artisti përpiqet të krijojë një re duke fluturuar me deltaplan, në videon e dytë Disa thonë është e lehtë të prekësh hënën(2011) hidhet me litar elastik në përpjekjen për të prekur hënën në ditën kur është më afër Tokës, ndërsa në videon Mos e shih Diellin kur pret ta përshkosh (2014) kërkon t’i shkojë tejpërtej diellit, porsi kometa Lovejoy që në vitin 2011 kaloi perimetrin e orbitës së Diellit dhe doli e pacenuar.

Siç na e shpjegon vetë Zeneli, ëndrra është dëshirë, të bësh një re ose të prekësh qiellin është një nevojë dhe përpjekja për të kurorëzuar ëndrrën ose utopinë, atëherë kur bëhet me punë dhe angazhim, ia zhvesh dështimit nuancën përkeqësuese që jemi mësuar të dallojmë. Nëse ëndrra kultivohet nuk mund të zbehet përballë mosarritjes, dështimi nuk është mohim, por një ndalesë, një çast reflektimi, një mundësi për të zbuluar një alternativë. Vetëm duke u përpjekur dhe duke dështuar, kemi një pamje më të plotë të jetës, vetes dhe punës sonë, një mundësi më shumë për t’u përmirësuar, si duke këmbëngulur në përpjekje, ashtu edhe duke marrë një rrugë tjetër. Suksesi dhe dështimi, ashtu si e qeshura me vajin, shpjegon Zeneli duke bërë bashkë kurrizin e duarve, duken të kundërta, nuk e shohin njëri-tjetrin, por padashje mund të bashkohen, ngase nuk ka fluturim pa rënie, arritje pa angazhim, kurorëzim pa përfshirje, art pa punë, pa lodhje, pa mundim, pa afate dhe pa komunikim.

Zeneli e mbyll prezantimin me një nga punët më të hershme, Kur të rritem do të bëhem piktor (2007), ku artisti i kërkon të atit, dikur piktor i udhëheqësve, ta pikturojë siç bënte me portretin e Enver Hoxhës. Është edhe kjo një histori dështimi, ku dëshira për të qenë artist nuk përputhet me standardet e vendosura për artin gjatë regjimit apo me nevojat për mbijetesë pas rënies së tij. Në video, piktori i ulur me shpinë nga kamera rrëfente teknikat e realizimit të portretit të Hoxhës, tregonte sesi portretet ishin “thjesht fasadë”, piktura ku subjektet “nuk dukeshin si diktatorë, ishin shumë karizmatikë, shumë të dashtun, mënyra sesi pozonin nuk kishte të bënte aspak me diktaturën, kishte të bënte me hipokrizinë, me mashtrimin”.

Rrëfimi i piktorit më sillte ndërmend videon e F. Berishës të shfaqur një ditë më parë në COD me pamje të kryeministrit gjatë fushatës së përsosur zgjedhore të para dy vjetëve dhe fjalimit të njohur në TED mbi ngjyrat e qytetit, por leksioni i dështimit që na ofroi Zeneli m’u duk nga shembujt e rrallë të kthjelltësisë artistike dhe ndershmërisë intelektuale të një artisti; prezantim shterues që nuk linte vend për pyetje apo diskutime mbi artin politik ose më saktë artin në shërbim të politikës.

Leksione demokracie

Menjëherë pas Zenelit fjalën e mori artisti Gentian Shkurti, i cili paraqiti, ndër të tjera, veprën Pikturë Demokratike (2011), ku pikturimi paraqitet si është, proces aspak demokratik, ngase piktori nuk pranon asnjë ndërhyrje në realizimin e punës. Për ta bërë procesin sa më demokratik, Shkurti u kërkoi njerëzve të zgjidhnin, nga një spektër i thjeshtë ngjyrash, të parapëlqyerën e tyre. Nga sondazhi krijoi një pikturë të kompozuar me qindra katrorë të vegjël ngjyrash, nga një për secilën preferencë të votuesve. Dy ngjyrat më të zgjedhura ishin e kuqja dhe bluja. Shpesh kam menduar se demokracia nuk është as e kuqe, as blu, por një ndërthurje – bashkëpunim ose kompromis – ku secila palë sjell diçka nga botëkuptimi i vet, me qëllimin për të nxjerrë një produkt me ngjyrë të ndërmjetme, le ta quajnë vjollcë disa e mavi disa të tjerë. Ndodh edhe më shpesh që ngjyrat të jenë thjesht ngjyra, ndërsa hapja dhe dialogu thjesht fjalë që i mbivendosen rastësishëm një institucioni. Këto ditë, në Tiranë, fitimtarët e vërtetë ishin ata që vunë në lojë veten dhe punën, që u përballën çdo ditë me publikun, shpjeguan artin dhe këndvështrimin e tyre, iu përgjigjën pyetjeve dhe kritikave. Të tjerët, deri tani, vazhdojnë të mbeten të ngujuar në aktivitete me të ftuar ekskluzivë dhe dyer të blinduara.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.