Për arsimimin e fëmijëve tanë kujdeset PS-ja, e sidomos LSI. Të paktën deri më 2017-ën, ja lista partiake e emërimeve
Kryetari i Partisë Demokratike në Lushnje, Myslym Murrizi, ka zbuluar në një konferencë për shtyp sot sesi deputetë të mazhorancës kanë kuota emërimi të mësuesve në këtë rrethe. Një situatë mjerane mësuesish me të majtën e me të djathtën, që ndoshta edhe paguajnë për të vënë emrin në bordero. Kumbarët e punësimeve të tilla janë sipas Murrizit, partia e të cilit ka shumë mëkate në këtë drejtim, deri edhe vetë zv.ministrja e Arsimit. “Në 5 muaj punë prej dhjetorit 2013 deri në maj të vitit 2014, ish-drejtoresha e Arsimit në Lushnje, Liza Tabaku punësoi 169 mësues falë ndërhyrjes së deputetëve dhe ish-kryetarëve të komunave të majta në Lushnje. Petrit Vasili 38 mësues; Bujar Çela 29 mësues; Arben Çuko 26 mësues; Erion Braçe 17 mësues; Fatos Tushe 11 mësues; Afrim Dedej (ish-kryetar i Komunës së Dushkut nga PS) 9 mësues; Teuta Korreshi 4 mësues; Nora Malaj (zv.ministre e Arsimit) 3 mësues; dhe nga 1-2 ose 3 mësues Taulant Balla, Vasilika Hysi, Agim Shema, Albert Sanxhaku, Avdis Nalla, Beqir Sulovari. Ndërsa vetë Liza Tabaku rezulton se ka futur në punë vetëm 3 mësues. Duke qenë se përflitet se merren nga 3-5 mijë euro për mësues, siç u publikua, atëherë bëjeni vetë llogarinë e këtyre kumbarëve sesa kanë përfituar”, u shpreh ai. Kjo është situata që paraqiti Murrizi. Natyrisht nevojitet një hetim dhe Murrizi e kërkoi vetë atë, por për të cilin edhe nuk ka shumë nevojë pasi për atë që jeton në Shqipëri kjo nuk përbën asgjë të re.
Add new comment