Vezët dhe kryeministri
Shumëkush, kur sheh ato vajza e djem studentë, krejt të pastër në sy, në zë dhe në qëllim, ndjehet befas i ngazëllyer për veprimin e tyre, të ndërgjegjshëm dhe të pafajshëm. Pati madje edhe një ngutje për t’i “heroizuar” dhe ndoshta ata, po shkojnë me shpejtësi mediatike drejt mitizimit. Për një veprim, në thelb, të thjeshtë dhe në përputhje të plotë me moshën e tyre. Duket kështu sikur mjaft mllefe, të drejta apo të padrejta, ndaj pushtetit të Ramës dhe të mënyrës disi “të habitshme”, se si ai, Kryeministri pra, po e administron këtë pushtet, mezi prisnin, duart dhe vezët e studentëve “sypatrembur”.
Ky entuziazëm, rrëfen, simbas mendimit tim, së paku tri pritshmëri të rrejshme, njëra më vanitoze se tjetra.
E Para, gjestet ekstreme të revoltës studentore, sado “simpatike” të duken, sepse evokojnë, reagimin trimëror të të Voglit, ndaj të Madhit, mbeten vetëm gjeste dhe asgjë më tepër. Sigurisht mund të duken dhe mund të jenë edhe këmbana kuptimplota, të një shqetësimi të palexuar mirë të botës së tyre, porse sidoqoftë, reagimet mbeten reagime. Ato prodhojnë emocione, por nuk zgjidhin dot ekuacionet me disa të panjohura të realitetit tonë shqiptar.
Sepse nga Reagimi, deri tek Bërja e gjërave, nga më Keq, në më Mirë, qëndron në mes, nevoja e një Pune Kolosale Reformatore.
Që duhet bërë. Dhe që mjerisht, nuk mjafton dhe nuk bëhet dot,vetëm me Vezëhedhje. Pa mohuar këtu legjitimitetin e Vezëhedhjes në demokraci.
E Dyta, ndjesia e “sadisfaksionit kolegjial” dhe duartrokitja e brohorishme ndaj Vezëhedhjes, e gocave dhe çunave studentë, përbën në të vërtetë një alibi, a thua se jemi kësisoj në Rrugën e Zgjidhjes së gjërave. Sa mirë do të ishte pra, të ishte kaq e thjeshtë.
Sa mirë do të ishte pra, që Vezëhedhja të mund të zëvendësonte Reformat e domosdoshme kombëtare, apo së paku, gjendjen e korrupsionit trasversal universitar, të shitjes së diplomave, apo të blerjes së provimeve, me para, apo me blatime fizike e seksuale.
Sepse, për turpin tonë, janë disa kafenera në Tiranë, ku ka edhe nga ato studente, që vetëfinancojnë studimet e tyre dhe leckat e shtrenjta që veshin, me epshmërinë dhe me linjat dhe të fryrat e trupave të tyre. Dhe askush nuk flet për këtë dukuri. As në Tv dhe as në blog. Dhe kjo është një e përditshme dhe e tmerrshme!
Mirëpo njëkohësisht mendoj pra, që stimulimi kolektiv, i studentëve “heronj”, që gjejnë përtej gjestit, një ngushëllim plot adrenalinë të Anarkia Revolucionare, e jetuar kjo ndjenjë në ekstrem në vitet 1968, në të gjithë botën, nuk shndërrohet dot në një Zgjidhje, për zymtësitë që projekton realiteti shqiptar. Mjerisht ky gjest, apo gjestualiteti i këtyre reagimeve, krijon, mbas baticave dhe zbaticave të para, iluzione të zjarrta dhe intensive, por që mbeten sidoqoftë iluzione. Iluzione që fashiten dhe avullojnë po aq shpejt, sa vesa e magjishme e mëngjesit. Pas pak ditëve dhe të pashoqëruara me Një Zgjidhje.
E Treta, ka të bëjë me politizimin e nxituar të këtij gjesti, që sidoqoftë është politik në vetvete. Politik por pa parti. Padyshim, ato vezë të hedhura nga studentët simpatikë, janë dhe duhet të jenë, sinjale të rëndësishme dhe direkte për Kryeministrin.
Sepse përtej faktit që kemi një kryeqeveritar që flet mirë e bukur dhe shpesh shkoqit me sukses dhe plot surpriza e kalambure gjuhësore, edhe tema mjaft të koklavitura, duke krijuar një standard të ri komunikimi, Kryeministri duhet të mprehë e të ushtrojë, me durimin që dukshëm i mungon, Artin e të Dëgjuarit.
Artin dhe Zejen e të Dëgjuarit, të të gjitha pjesëve të Popullit të vet, qoftë ky edhe “laraman” apo “shejtan budalla”, si edhe të atyre, që edhe nëse nuk e duan, apo ai, Kryeministri nuk i Do dhe nuk i Beson, duan fort, Atdheun e tyre.
Sepse, edhe nëse Kryeministri nuk të do, apo edhe nëse dikush nuk e do, dhe nuk e beson këtë kryeqeveritar, raporti kryesor është me vendin ku të gjithë jetojmë.
Qeveritë shkojnë e vijnë, Shqipëria mbetet. Por si mbetet? Kjo është Çështja!
Sepse jam i bindur që ata, Studentët e Vezëve, sot për sot, dhe përpara se sa të kanalizohen në ndonjë lëvizje politike, falë edhe famës së shpejtë që fituan, e duan Shqipërinë. Në mos shumë më shumë, të paktën po aq, sa policët që i ngritën prej teshash, drejt e në komisariat. Por sigurisht, ata, në mënyrën e tyre, ndoshta naive dhe postfëminore, e duan Shqipërinë e përfytyrimeve të tyre, shumë më shumë, se sa turma e aparatçikëve që rrinë si zogj apo zoçka në furrikun e zyrave të ngrohta të qeverisë, të bashkive apo të ndërmarrjeve shtetërore, shpesh Asgjëbërëse.
Kur simbas legjendës, eksploratori i famshëm dhe zbuluesi i Amerikës së sotme, Kristofor Kolombi, u përpoq më kot të gjejë për vezën, një pozicion vertikal qëndrimi, e më pas e theu atë, për ta vënë në këmbë, nuk e dinte që ajo vezë dhe ai gjest do të jetonte simbolikisht edhe mbas 500 vitesh.
Dilema mbetet e pazgjidhur. Legjenda e vezës së Kolombit jeton prej 500 vitesh, sepse ishte në vetvete një gjetje, tejet e rrallë dhe tejet befasuese, apo sepse Kristofor Kolombi u përjetësua si zbulonjësi i Amerikës?
Kuptohet se shumica, me të drejtë mendojnë se po të ishte një zoti Askushi, që do të thyente thjesht një Vezë në një bast tavoline 500 vite më parë dhe jo Detari i famshëm, zor se do të mbahej mend e të kujtohej sot e kësaj dite.
E pra, motrat e vëllezërit tanë të rinj, që u bëtë kaq të famshëm me një vezëhedhje, “ky vërtet është vetëm Fillimi”, si edhe thatë në media.
Fillimi për t’u bërë si Kristofor Kolombi, besoj dhe shpresoj fort e më fort. Eksploratorë të dijes dhe të vlerave të vërteta e të qëndrueshme. Dhe jo, Zot na ruajt, Vezëhedhës profesionistë. Rrugë që nuk ua uroj dhe nuk ua dëshiroj si të ardhmen tuaj.
"Mapo"
Add new comment