Pse ministri Gjiknuri e quan absurd hetimin ndërkombëtar për CEZ?
Qeveria nuk do të mbështesë asnjë hetim ndërkombëtar për çështjen CEZ dhe paralelisht do të kallëzojë në Prokurori ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode.
Arsyet pse qeveria nuk është pro një hetimi ndërkombëtar i ka zbuluar ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili është I kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre gjatë negociatave për marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë çeke.
Kërkesa e opozitës për hetim ndërkombëtar është futur në procedurë parlamentare, por me shumë gjasë do të anashkalohet pasi qeveria nuk është e interesuar që çështja të futet në këto hulli.
“Hetimi ka filluar. Pse Republikë Bananesh është Shqipëria. Hetimin ndërkombëtar nuk e njeh legjislacioni shqiptar. Këto janë banalitete, absurditete. Pse kërkohet hetim ndërkombëtar sepse e dinë që nuk do të nxirret asgjë. Çështë kjo, se po do hetim ndërkombëtar, do edhe Gjykatë Ndërkombëtare. Kryeministri ka bërë thirrje, doni ekspertizë ndërkombëtare për të ndihmuar organet e hetimit, le të bëhet. Ky është vend sovran”-deklaroi ministri i Energjisë për Neës 24.
Gjiknuri parlajmëroi edhe çuarjen në Prokurori të një dosje për Berishën e Boden, që sipas tij ndikuan politikisht te Enti Rregullator i Energjisë për të ulur çmimin me të cilin CEZ duhet t’i blinte energjinë KESH-it. “Të gjithë, Boden e të tjerët. Jemi duke përgatitur një dosje. Shumë shpejt do e çojmë në prokurori”- u shpreh Gjiknuri.
Add new comment