“BE-ja në dorë të Gjermanisë dhe të Merkelit. Të tjerët, thjesht janë strukur”
Europa e Bashkuar varet sot nga një person i vetëm: Angela Merkel. Kjo jo sepse Merkel është e vetmja europiane që do dhe lufton për projektin e BE-së, por sepse ajo është e vemtja nga drejtuesit europianë që është e angazhuar dhe ndoshta beson në të. Ky është mendimi që jep në Deutsche Welle, Barbara Wesel, sipas së cilës nëse do të duhet ruajtur struktura e BE-së, kërkesa për zëvendësimin e Angela Merkel duhet shtyrë për ca. “Faktikisht Angela Merkel është për momentin e pazëvendësueshme. Kjo nuk është patjetër ndonjë meritë e fuqisë së saj të jashtëzakonshme drejtuese, por lidhet më shumë në atë që përveç Merkelit në BE nuk ka më politikanë të tjerë që duan apo luftojnë për projektin “Europë”. Britanikët kanë kohë që janë “çregjistruar”, edhe pse formalisht pas dy vjetësh duan të bëjnë referendumin. Francois Hollande është dhe mbetet një president i dobët, që nuk guxon t'i dalë krah Merkelit në çështjen e krizës. Ai ka frikë nga rritja e krahut nacionalist të djathtë të Front National dhe me këtë të lë të kuptosh edhe gjendjen aktuale tek fqinjët europianë: Edhe në Austri, Suedi, Finlandë dhe Danimarkë populistët e djathtë po rrisin elektoratin duke i vënë nën presion qeveritë aktuale. Në Spanjë në kohën e krishtlindjeve zhvillohen zgjedhjet, në Portugali qeverisë i mungon shumica, në Itali, Matteo Renzi përpiqet të menaxhojë fluksin e refugjatëve që hyjnë në vend, por ndryshe i shikon ata si një problem të Gjermanisë. Greqia si edhe më parë nuk është e aftë të zgjidhë problemet e veta dhe dështon rregullisht e me vullnet përballë fluksit të refugjatëve që vijnë nga Turqia. Një vështrim drejt Europës Lindore është akoma më shqetësues: Në Poloni sapo e morën pushtetin konservatorët e djathtë, kreu i të cilëve, Jaroslaë Kaczynski përdori fjalë diskredituese kundër emigrantëve nga Lindja e Afërt, fjalë që do të turpëronin edhe një neofashist. Për diktatorin e vogël, Viktor Orban është thënë gjithçka - ai me gardhet me gjemba e qentë e kufirit ndërkohë është bërë shembull në Bavari. Çekët, sllovakët, kroatët, bullgarët - kudo që të hedhësh sytë nuk gjen partnerë që të duan të marrin përgjegjësi as edhe për numrin e refugjatëve që do të shpërndaheshin në Europë në mënyrë të drejtë”, shkruan Wesel. Është e admirueshme të shohësh se është Gjermania që po lufton për Europën, pasi duket se ky vend dhe një pjesë e elitës së tij e ka kuptuar mirë leksionin e historisë. Çështja është a do t’ia dalë Merkel të kanalizojë energjitë e Unionit për përballimin e një krize serioze, pa cenuar kohezionin? Kjo është sfida dhe nëse i besojmë Ëesel, por edhe produktit të samitit të fundit, kancelarja është vetëm. Ose thuajse vetëm në këtë betejë që nëse prodhon humbje për Europën, do t’i shtonte dështimit të projektit europrian dhe vulën e një turpi. Fundja Europa akuzon përherë Ballkanin se nuk gjen dot fjalën dhe gjuhën e dialogut, ndërkohë që sot që ka stuhi, “liderët” e Europës janë struktur në çatinë e tyre.
http://www.dw.com/sq/merkeli-shtylla-me-të-cilën-qëndron-dhe-bie-europa/a-18818536
Add new comment