Prishet "Qemal Stafa". Qeveria në kërkim të konçesionarit për ndërtimin e stadiumit të ri. Pse përjashtohet modeli aksioner?

Postuar në 28 Tetor, 2015 15:47

Stadiumi “Qemal Stafa” do të shembet në fillim të vitit 2016 për t’i hapur rrugë ndërtimit të një stadiumi të ri: “Arena Kuqezi” me 22 mijë vende. Arben Dervishi, anëtarii i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit ka deklaruar për “shqiptarja.com” se projekti i ri nuk ndryshon nga projekti italian. “Pas 2-3 muajsh, ose më saktë në Janar të vitit të ri 2016 do të nisë që të shembet stadiumi aktual “Qemal Stafa. Të gjitha tribunat do të jenë të mbuluara. Godina do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi, ndërsa 4 mijë metra katrorë do të vihen në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj. Në anën veriore të stadiumit do të ngrihet një kullë e lartë, më një restorant ekskluziv të stadiumit dhe një studio televizive trasmetimi. Shembja mund të zgjasë për afro 6 muaj dhe me nisjen e Europianit të Francës mund të nisë ndërtimi i stadiumit të ri. Përsa i përket financimit, Dervishi u shpreh se ende nuk është vendosur përfundimisht sesi do të jetë skema, por FSHF dhe qeveria do të japin pjesën më të madhe të shumës. Aktualisht jemi duke negociuar për koncesionarin”, shprehet ai. Kështu qeveria ka menduar të japë me konçesion edhe stadiumin e ri, për një projekt që është gati. Dhe siç thotë Dervishi ajo është vënë në gjurmim të një konçesionari. Meqenëse ky është një biznes që ka fitim të garantuar mbetet e paqartë se përse FSHF-ja që posedon këto pasuri nuk mendon linjën e aksionerëve për një vepër të tillë. Kjo do të ishte një mundësi më shumë, por edhe një proces më i hapur. Në botë praktika është që fushat janë në pronësi të klubeve që investojnë mbi to bashkë me njësitë vendore. Kjo jep mundësi që të bëhen transaksione në funksion të standardeve. P.sh së fundmi stadiumi i Meazzas në Milano, pronë e klubit të  Milanit, po synohet të blihet apo merret nga Inter për 99 vjet. Çka derivon nga pronësia e rregulluar. Në rastin e Shqipërisë një model i dështuar siç ishte menaxhimi i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” nga FSHF-ja që i merrte fitimet vetë, pra ishte një lloja konçesionari, i kalojnë një konçesionari tjetër që merr gati fondin e investimit nga paratë publike. Arsyet se përse ndodh kjo nuk është e vështirë të kuptohen.  Por të japësh me konccesion një vepër për të cilën konccesionari nuk hedh asnjë lek, por vetëm kryen punime me para publike, kjo është një model që aplikohet vetëm në Shqipëri. Modeli aksioner do të duhet të merret në konsideratë pasi asetet publike mund të përfundojnë vërtet në pak duar, por paraprakisht i duhet dhënë mundësi të gjithëve të investojnë dhe përfitojnë. Mandej si kudo le të përcaktojë tregu rrjedhën e transaskioneve. Asnjë qeveri nuk ka mandat të zhbëjë kështu pasurinë publike. Kjo ka vetëm një emër: zhvatje.

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.