Nuk u pakësua evazioni, apo u ngadalësua rritja ekonomike?
Në kushte të tjera të pandryshuara, rritja dramatike e kontrolleve tatimore gjatë shtatorit, duhet të sillte uljen e evazionit fiskal. Thënë ndryshe, duhet të rriste ndjeshëm të ardhurat buxhetore të muajit shtator, krahasuar me shtatorin e vjetshëm. Por në fakt, rritja ishte vetëm 1% në krahasim me shtatorin e vjetshëm.
Në korrik, Ministria e Financave bëri një rishikim të buxhetit të shtetit, sipas të cilit të ardhurat buxhetore në shtator do të ishin 35 miliardë lekë. Ky parshikim i korrikut u bë duke patur parasysh një rritje ekonomike të pritshme 2.7% (me bazë vjetore) dhe bazuar në pakësimin e parashikuar të evazionit fiskal, që do të rezultonte nga fushata kundër informalitetit. Por të ardhurat buxhetore të shtatorit u realizuan vetëm në masën 31 miliardë lekë.
Dhe pyetja është: Nuk u pakësua evazioni fiskal, apo u ngadalësua rritja ekonomike?
Bazuar në rritjen e pritshme ekonomike (2.7% me bazë vjetore), i bie që Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në muajin shtator të ketë qenë rreth 125 miliardë lekë dhe shteti të vilte 27.2% të tij (35 miliardë lekë). Në fakt, shteti voli vetëm 25% të PBB-së. Kjo, në qoftë se PBB-ja vërtet ka qenë 125 miliardë lekë, siç pritej…
Por indicie të jashtme e të brendshme na tregojnë se PBB-ja mund të mos e ketë arritur nivelin 125 miliardë në shtator. Kështu, tregjet ndërkombëtare për eksportet tona kryesore (mineralet, nafta, lëndët e para) u përkeqësuan edhe më tej gjatë shtatorit. Ndërsa në tregjet e brendshme, u pakësuan furnizimet e importuesve/prodhuesve drejt dyqaneve me pakicë, si rezultat i synimit të këtyre të fundit për të shitur sa më shpejt mallrat gjendje pa fatura tatimore, të akumuluara para 1 shtatorit.
Bazuar në këtë logjikë, gjasat janë të mëdha që PBB-ja të mos ketë qenë 125 miliardë lekë në shtator (siç pritej), por rreth 115 miliardë.
Për muajt në vazhdim, Ministria e Financave i ka parashikuar të ardhurat buxhetore në nivelet 36 miliardë lekë (tetor e nëntor) dhe 40 miliardë në dhjetor. Në qoftë se këto parashikime nuk materializohen, atëherë ose rritja ekonomike nuk do ta arrijë nivelin e pritshëm vjetor 2.7%, ose evazioni fiskal nuk do të pakësohet. Ose, ose, do të kemi një kombinim të të dyjave…
Add new comment