Nishani flet për survejimin e familjes: Ndikimi i qeverisë mbi drejetësinë më refuzon që të hedh hapa të tjerë
“Ndikimi që ka vendosur qeveria mbi drejtësinë, më rezervojnë që unë të hedh hapa të tjerë”. Këto janë fjalët e Presidentit Bujar Nishani, gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, i cili pranon që ka mosbesim tek drejtësia dhe prokuroria në veçanti për hetimin e survejimit të familjes së tij nga njerëz që punojnë në administratën shtetërore.
“Unë e kam deklaruar edhe herë të tjera: konstatoj një ndikim dhe interferim jo të paktë të politikës, të qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Kjo është një çështje e rëndë por jo më e rëndë se realiteti shqiptar, i cili nuk mund të shmangë vëmendjet nga çështjet që janë vërtet shumë serioze dhe në interes të publikut e shtetit shqiptar që meritojnë një trajtim parësor. Është një çështje që ka problematika të rënda në vetvete. Pa dyshim që është edhe një çështje mosbesimi për shkak se përfshirja në të e pjestarëve të administratës shtetërore dhe ndikimi që ka vendosur qeveria mbi drejetësinë, më refuzon që unë të hedh hapa të tjerë. Por, është një çështje e cila nuk ka rrezik të prezumimit dhe të mos’hetimit”, thotë Nishani.
Kreu i shtetit, e quan “veprim anarkist” urdhrin e ministrit të Jashtëm për të kthyer në atdhe ambasadorin në OSBE, Spiro Koçi pa dekretin e Presidentit. Ndërsa për një tjetër çështje të përfolur, e cila u shoqërua edhe me protesta qytetare, atë të letrës drejtuar Veliajt për “bunkerin”, Nishani thotë, “ Pres përgjigje.” Dhe në fund një sqarim procedural: presidenti i ri në vitin 2017 do të votohet nga Kuvendi aktual, jo ai i paszgjedhjeve parlamentare.
Add new comment