Arritjet stilistikore të kryeministrit dhe shalqiri me provë..
Kanadaja zgjodhi një kryeministër që u komentua gjerësisht si një 43 vjeçar seksi dhe karizmatik për ambicjet kryesisht femërore të elektoratit kanadez. Paraqitja e jashtme e ndihmoi të kapte një sukses të paparashikuar, që shumë analistë ia dedikojnë stilit të tij.
Edhe ne kemi një kryeministër me stil, është i politikës, penës dhe penelit. Ka bërë libra dhe piktura që e kanë veshur karrierën e tij politike me një ngjyrim artistik, të cilin ai vetë nuk nguron ta prezantojë sa andej këndej si një veçori që e ka ndihmuar ta shohë botën dhe sfidat e saj si një tablo të madhe të paqes dhe rrëfim të sinqertë të rilindjes.
Edi Rama ka dhe një veçori që ka të bëjë me të shkuarën e tij si sportist, eksperiencë kjo që i shtohet polivalencës së tij si njeri i fjalës dhe veprave. Së fundmi ai doli në konferencën e 1-vjetorit të aksionit kundër vjedhësve të energjisë, ku mbajti një fjalim të gjatë përpara një publiku me punonjës të elektrikut dhe policisë.
Për disa stili i tij i të folurit pa mbarim, me presje e pikëpresje vend e pa vend është i lodhshëm, sidomos kur daljet e tij në televizor janë pothuajse të përditshme. Por ai këmbëngul të flasë gjatë në takimet me administratën, siç bën edhe në rrëfimet e tij të shkruara, ku spikatin frazat lineare të tendosura nga fillimi në fund të faqes.
Edi Rama është besnik i stilit të tij retorik dhe në çdo takim citon njerëz të famshëm apo sjell referenca nga personazhe për të cilët ai nuk e ka fshehur admirimin si Uinston Çërçill, Majkëll Xhordan, Papa Françeskun, Fishtën, Koliqin etj. Duket sikur para çdo fjalimi ai hulumton për të gjetur atë që shumica e popullit nuk e di.
Në takimin për energjinë Rama citoi një thënie të famshme sipas tij të Richard Fuller i cili ka thënë se “nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës”. Po në të njëjtin fjalim Rama falë gjetjeve komunikative zbret në zhargonin e popullit të thjeshtë duke I dhënë një tjetër larmi gjuhësore fjalimit me referencën për mizat e mjaltit dhe ato të mutit, që në këtë rast simbolizon mjalti qeverinë dhe mazhorancën, ndërsa muti PD-në dhe opozitën.
“Vazhdojnë të mendojnë se shqiptarët janë një tufë delesh, apo më keq akoma, një tufë mizash që nuk meritojnë të mblidhen mbas mjaltit, por meritojnë të mblidhen mbas të kundërtës së mjaltit. Dhe ata ju ofrojnë pikërisht të kundërtën e mjaltit. Turp!”.
Fjalimi i kryeministrit është i mbushur me emfaza për arritje historike, transformime rrënjësore, kriza të tmerrshme, reforma radikale, llumë të baltës, shëmbëlltyra të turpit, operacion fantastik etj.
Me pak fjalë këto arritje stilistikore të kryeministrit shqiptar janë të pamohueshme dhe e bëjnë atë të veçantë në llojin e tij përpos stilit të veshjes dhe tërheqjes nga arti konceptual.
Tani të fokusohemi te qëllimi politik i gjithë këtij fjalimi prej 3 mijë e 400 fjalësh.
Në ligjëratën e kryeministrit u fol për një hero të gjallë që shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa energjetike. Dhe ky hero është ministri tij, Damian Gjiknuri I kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre me pasojë një dëm ekonomik 479 milionë eurove.
Rama e ngriti në piedestal heroin Gjiknuri duke shantazhuar hapur sistemin e drejtësisë të mos e prekë ministrin e tij, për të cilin duhet të ketë mirënjohje dhe respekt e gjithë Shqipëria. “Sot është dita për t’i shprehur respektin më të thellë ministrit të Energjisë për punën që ka bërë. Një punë që do të mbetet e shënuar në gjithë historinë e përpjekjeve shqiptare, pas rënies së komunizmit, për të ndërtuar shtet dhe për të krijuar sektorë funksionalë, prej të cilëve përfiton jo një qeveri, jo një pushtet, por e gjithë shoqëria”.
Po a ishte ky kryeministër që Tom Doshit i kërkoi që të provonte me barrën e provës pafajësinë e e tij para drejtësisë. Pse Edi Rama nuk vepron me të njëtin standard edhe me ministrin e Energjisë, i cili akuzohet jo për ndonjë skenar fanta-kriminal, por për gjysëm miliardë euro. A po bën atë Edi Rama me Damian Gjiknurin atë që bëri Sali Berisha me gardistët e 21 Janarit, duke mos i dorëzuar të akuzuarit përmes shantazhit ndaj sistemit të drejtësisë? Po pse të mos e vërtetojë edhe Gjiknuri me barrën e provës se është I pafajshëm, kur ne shqiptarët e kemi si traditë që edhe shalqinjtë i marrim me provë?
l.mitro
Add new comment