Pranohet se me CEZ është çeduar. Por çfarë apo sa?
Akuza për aferën e CEZ-it po përshkallëzohet, por tani në drejtim të përgjegjësisë për mbylljen e marrëdhënieve me kompaninë çeke. Dhe me kallëzimin penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, po hapen disa të vërteta, që marrin rrugë nga shqetësimi i zyrtarëve socialistë. Për këtë mjafton të shikohet se çfarë thonë dy të kallëzuarit, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokati i Shtetit, Alma Hicka. Të dy, në qëndrimet e sotme kanë nënvizuar se marrëveshja e bërë me CEZ, pra shkëputja e marrëdhënieve me të, ka ardhur si rrjedhojë e praktikës së privatizimit dhe klientelizmit gjatë zbatimit të kontratës. “Sektori i shpërndarjes do 20- 30 milionë euro minimalisht në vit. Me konfliktin që ju e latë hapur, ku do i gjente operatori paratë?! Si do e linim ne vendin në krizë, për atë zjarrin që i vutë shtëpisë e thoni mos e fikni? Kush është zgjidhja juaj?! Apo kënaqeni e i thoni atij, meqë ne bëmë atë m… e madhe, kur i thonë, ju që po e pastroni mbani erë. A e kuptoni çfarë po thoni?!”, tha Gjiknuri në Parlament. Kurse Avokati i Shtetit, Alma Hicka, përmes një reagimi të vetin, përveçse ushtron të drejtën e dhënies së leksioneve juridike e morale, apo edhe të kritikave për cilësinë e auditit të KLSH-së, nënvizon një fjali që zbërthen më mirë atë që ka ndodhur: “Si profesioniste mund të them me siguri se çështja CEZ e ka gjenezën te mënyra e privatizimit”. Pra me marrëveshjen e Mirëkuptimit pranohet se është bërë një lëshim shumë i madh, për shkak të komplikimit që ka sjellë privatizimi. Le t’i shtojmë këtij diskutimi të ri edhe atë që deklaroi para disa javësh Janez Kopac: “Procedura e arbitrazhit zakonisht zgjat deri në 10 vjet dhe i gjithë vendi do mbetej peng për 10 vite. Ne si sekretariat ishim të përfshirë në këtë çështje. Marrëveshja përfundimtare mes qeverisë dhe CEZ-it u nënshkrua në zyrën time. Ishte kusht që të hiqej veto nga ana e Republikës Çeke në bisedimet për statusin. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën time, Republika Çeke hoqi veton. Marrëveshja nuk është kurrë perfektja për të gjitha palët sepse marrëveshja është kompromis dhe kompromisi duhet të ketë diçka për të dyja palët”. Lind një pyetje legjitime: Çfarë është lëshuar nga pala shqiptare? Kjo ka nevojë të sqarohet nga qeveria, përndryshe shifra 479 milionë euro do të mbetet e vetmja e besueshme. Dhe nëse është lëshuar diçka, çfarë është marrë përtej premtimit për investime? Afera CEZ po konfirmon paradoksin e madh, kur teksa opinioni i përgjithshëm konsiston në atë se gjatë qëndrimit të kompanisë çeke u shpërdorua shumë paraja publike, me afera dhe klientelë të komanduar nga pushteti, akuza më e madhe po adresohet te Marrëveshja e Mirëkuptimit me insinuatën e çedimit të qindra milionave euro. Nëse qeveria nuk ka aftësinë dhe vullnetin për transparencë, atëherë me siguri që nga kjo çështje të gjithë dalin pis.
Add new comment