Presidenti del me kritika direkte për procesin e reformës në Drejtësi dhe për raportin analitik

Postuar në 14 Tetor, 2015 15:35

Pas opozitës parlamentare edhe Presidenti i Republikës kritikon procesin e reformës në Drejtësi. Në një letër drejtuar komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Bujar Nishani, përcjell rezervat e veta edhe për aspektin proceduriail, ashtu edhe për përmbajtjen e draftit. “Procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë. Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj”, shprehet kreu i shtetit. Kur vjen puna tek përmbajtja Presidenti deklaron se materiali analitik nuk përfaqëson shumësinë e informacioneve që lidhen me problemet në drejtësi. “Në muajin Maj 2015, u realizuan me shpejtësi 6 tryeza pune, dhe Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një prej tyre, në datë 18 Maj 2015. Raporti Analitik për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, nuk reflekton shumësinë e informacioneve dhe analizës së përcjellë nga aktorët e tjerë të përfshirë qoftë edhe formalisht në proces, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE, (si p.sh. rasti i Ukrainës)”, vijon Nishani. Vërejtje ka patur më herët nga opozita edhe për disa amendime kushtetuese siç është ai që i jep të drejtën qeverisë të vendosë dërgimin e trupave jashtë apo të lejojë kalimin e trupave të huaja. E drejtë që më parë i përkiste Kuvendit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.