Kompania në hije e ministrit Beqaj. Intech +, 28 tendera dhe 11 milionë dollarë për 22 muaj
Intech +, krijesa e ministrit aktual të Shëndetësisë Ilir Beqaj rezulton një prej më të seksesshmet në partneritetin me qeverinë dhe agjencitë në varësi të saj. ABC News raporton se në më pak se 22 muaj kjo kompani ka fituar plot 28 tendera publike me një shumë rreth 11 milion dollarë.
ABC News thotë se suksesi i papritur i kësaj kompanie lidhet me emrin e ministrit të përfolur gjithashtu për tenderimet dhe konçensionet në ministrinë e tij, Ilir Beqaj.
Me ose pa ndikimin e kryeministrit Rama, kompania ku kishte qenë pronar ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion dollarëve nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj.
Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme.
Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar "e albania". Gjithsej rreth 3 milionë dollarë
Ministri aktual i shëndetësisë ka qenë aksioner kryesor i kompanisë Intech +, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj i ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër. Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Intech + ia dogji mandatin deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike nga bashkia e Durrësit.
Pyetjet që ngrihen janë të shumta dhe dyshimet po ashtu për suksesin e kësaj kompanie që u krijua nga ministri Beqaj dhe që ka gjetur terren për përfitime të shpejta dhe të sigurta në kohën e qeverisjes socialiste.
ABC NEWS
Add new comment