Lojë e re elektorale me votën e emigrantëve?
Paqja mes Ilir Metës dhe Edi Ramës është në të vërtetë një bashkëjetesë në një fushë ku secili minon rrugën e tjetrit. Me atë që ndodhi së fundmi me aferën e CEZ-it dhe mënyrën sesi ajo u mbyll, u provua se deri më 2017-ën do të ketë një qetësim relativ të raporteve, por duke u përgatitur për vitin e vështirë elektoral. Dy partitë, zyrtarisht të majta, sidomos LSI favorizohen nga gjendja e tanishme e PD-së, e cila nuk po gjen dot kohezionin e nevojshëm. E megjithatë, tradita e tranzicionit mëson se ka disa instrumente që dy partitë e mëdha nuk i lëshojnë. Një nga këto është Kodi Zgjedhor, që të paktën në një rast, është hartuar me synim asgjësimin e partive të vogla në rritje, posaçërisht LSI-në. Edhe këto javë është prekur disi përciptazi fakti se mënyra sesi do të amendohet kodi do të përcaktojë edhe aleancat. Dhe nuk ka pse të mos shihet në këtë kontekst edhe takimi i sotshëm i kreut të Kuvendit, Ilir Meta, me disa përfaqësues të 40 shoqatave të emigrantëve që veprojnë në Itali, me të cilat nënshkroi edhe marrëveshje. Tha Meta: “Shqiptarët në Itali, por dhe kudo në Evropë e botë kanë dhënë e japin një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin, progresin dhe integrimin e vendit tonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe në të ardhmen. Ndaj, shpreh vullnetin tim për të drejtën e votës së emigrantëve kudo ku ata jetojnë, që të kenë të drejtë bazike për t’u shprehur për të ardhmen e vendit të tyre, por njëkohësisht edhe për të mbështetur krijimin e gjithë institucioneve që do ta forconin më tej dialogun mes vendit tonë dhe gjithë qytetarëve tanë kudo ku ata janë. Kjo do të rrisë kujdesin tonë ndaj tyre në të gjitha aspektet, sepse mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim dhe ne jemi një vend që ka një emigracion të lartë, ndaj kemi nevojë për ta mbështetur akoma më shumë këtë potencial”, u shpreh Meta. Ka një mendim të përgjithshëm se vota e emigrantëve shkon për të majtën në shumicë, ndaj edhe kështu shpjegohet një distancë e PD-së në këtë drejtim. Por me dredhi ka vepruar edhe PS-ja, e cila deri para zgjedhjeve të vitit 2013 nuk linte muaj pa dërguar Erjon Veliajn në Greqi, i cili premtoi shumë. E siç e dimë të gjithë bëri: ASGJË. Ndaj kjo zëdhënie që merr Meta, edhe për shkak të pozicionit, mund të jetë rruga e re ku mund të përplasen interesat e dy partive në koalicion, të cilat ende nuk i kanë mbyllur llogaritë me njëra-tjetrën. Në të gjitha skemat e mundshme, PS-ja e ka të vështirë të dalë në krye e vetme, pasi numri i votave që merr bie në vijimësi. Të kujtojmë se edhe në zgjedhjet lokale të fundit, kryeministri u mjaftua me një thirrje në Facebook për emigrantët. Por në ndeshje më të mëdha siç janë zgjedhjet e vitit 2017, kapitalizimi i kësaj vote ka më shumë rëndësi dhe më shumë shanse ka ai që ka organizmin më të mirë. Dhe këtu LSI nuk është se çalon.
Add new comment