Dikush zgjohet në KLD. Kritika për vlerësimet “shumë mirë” të gjyqtarëve
Reforma në Drejtësi dhe konstatimi se në sistemin e drejtësisë ka gjyqatrë të korruptuar, ka dëpërtuar si debat edhe në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gazeta “Panorama” zbard debatet e mbledhjes së datës 2 tetor, mes Sokol Çomos dhe Presidnetit Bujar Nishani, për vlerësimin e bërë për situatën brenda sistemit. Nga aq sa kuptohet nga përballja, rezulton se Presidenti sheh më shumë nga ruajtja e status quosë, teksa Çomo thekson se nuk ka vend për vlerësimet “shumë mirë”. Më po shtë debatet:
Sokol Çomo: Më rezulton se nga gjithë vlerësimet që janë paraqitur sot për t’u miratuar, gati 80% janë me rezultatin “Shumë mirë” dhe shpresoj që ky rezultat “Shumë mirë”, që u përket viteve 2007-2009, të vijë dhe të përmirësohet në vitet në vazhdim. …Nga ana tjetër, kam frikë se kjo shifër, 80% “Shumë mirë”, do të na çojë në pamundësinë për të na dalë ndonjëri me aftësi të pamjaftueshme profesionale, por edhe po të na dalë ndonjëri me aftësi të pamjaftueshme profesionale, ju siguroj që në bazë të ligjit, nuk do të kemi asgjë çfarë t’i bëjmë atij gjyqtari, sepse ligji “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor” parashikon që ndaj gjyqtarëve mund të merren masa vetëm për veprimtarinë e 5 viteve të fundit.
Meqenëse ne jemi duke analizuar veprimtari që del nga 5 vitet e fundit, të paktën për mua është ngushëlluese që në këto vite të largë- ta, të paktën 80% paskan qenë “Shumë mirë” dhe shpresoj dhe uroj shumë fort që sinqerisht 80%-shi të vazhdojë edhe në transhetë e tjera që do t’i paraqiten Këshillit, që të paktën të kemi mundësi t’i japim sinjale optimiste që KLD është jashtëzakonisht e kënaqur me vlerat profesionale që kanë gjyqtarët.
Dhe, me sa duket, na ngelet vetëm një problem, që kemi gjyqtarë shumë të mirë profesionalisht, por kemi gjyqtarë të krimbur moralisht dhe të ekspozuar ndaj krimit penalisht, sepse këto shifra janë në antitezë të plotë me situatën e kriminalizuar që kemi aktualisht në sistem, sepse këto shifra tregojnë që paskemi gjyqtarë shumë profesionalë, por nga ana tjetër, për fat të keq, sot kemi disa gjyqtarë, të cilët i keni nën procedime penale dhe nuk qenka momenti profesional ai që ndikoka në këtë situatë, por ndikoka thjesht elementi moral, karakteri i këtyre gjyqtarëve. …
Bujar Nishani: … Së pari më duhet që të rivendos, të ritheksoj edhe një herë punën e jashtëzakonshme që po bën ky Këshill i Lartë i Drejtësisë, anëtarët e këtij Këshilli, të cilët kanë vendosur një standard krejt tjetër dhe janë duke korrigjuar dhe duke mbajtur ngarkesën e këtij institucioni me përbërjen paraardhëse të 5 viteve të shkuara, të 10 viteve të shkuara apo të 15 viteve të shkuara, të cilët nuk e kanë pasur, jo standardin e vlerësimit, por me sa duket kanë bërë gallatë në mbledhjet e KLD-së.
E quanin KLD-në dhe punën e tyre një ndarje ofiqesh dhe i duhet këtij Këshilli të Lartë të Drejtësisë tani të stërmundohet, të punojë jashtë kohës së tij të punës normale, të marrë përsipër dhe t’u kthehet viteve të largëta, kur jo vetëm që nuk njihej standardi i vlerësimit, por që KLD ishte një mekanizëm i një kaosi dhe i një standardi qesharak.…
Unë e vlerësoj faktin se po konfirmohet që jo të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë janë të inkriminuar. Po konfirmohet nga profesionistët, që është Inspektorati, që jo të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë janë të korruptuar.
Po konfirmohet nga specialistët që jo të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë janë të kapur nga krimi. Jo të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë nuk janë profesionistë. Ashtu siç mbetet në shqetësimin e gjithsecilit prej jush që në radhët e gjyqtarëve ka një numër, dhe jo të vogël, gjyqtarësh të paaftë, gjyqtarësh të lidhur me korrupsionin, gjyqtarë të kapur nga politika, të cilët vazhdojnë që të mbeten një problem i madh i sistemit.
Sokol Çomo: … Megjithëse ne kemi pas detyrim ligjor për të bërë vlerësim të përshpejtuar, ne për 2 vjet nuk ia hapëm rrugën në këtë Këshill vlerësimit të përshpejtuar dhe kemi vazhduar dhe kemi bërë atë që ju e quani larje gjynahesh të këshillave të mëparshëm. Ndoshta për ato gjynahe ju mund të keni edhe një perceptim të qartë, sepse keni qenë anëtar në cilësinë e ministrit të Drejtësisë dhe në këshillat e mëparshëm, por unë nuk do doja që të ndalesha te gjynahet që këshillat e mëparshëm kanë, do doja të ndalesha te paaftësia jonë që në 2 vite të ecnim me koherencë, në 2 vite të zbatonim detyrimin ligjor për të bërë vlerësime të përshpejtuara. …
Ne bëjmë vlerësime totalisht inkoherence dhe do të isha shumë i lumtur në qoftë se kjo punë do të mund të nxirrte një gjyqtar nga sistemi. Por unë po ju them që ne bëjmë një punë që e ka mundësinë teorike zero që të largojë ndonjë gjyqtar nga sistemi. …
Gjin Gjoni:…Për sa i përket momentit të dytë, për situatën kriminale. Në rast se kolegu parafolës di ndonjë situatë kriminale, është i hapur të shkojë përpara organit të Prokurorisë, të denoncojë me emra konkretë kush janë gjyqtarët dhe situata kriminale në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Mos të bëjë politikë për interesa private ose për interesa karriere. Të shkojë në organet, të cilat ne aktualisht të gjithë i respektojmë. Kur vjen problemi për të demaskuar sistemin e Drejtësisë, themi që Drejtësia nuk funksionon.
Kur vjen problemi për të kërkuar zgjidhje, prapë te Drejtësia shkojmë. Nuk më duket normale dhe unë jam totalisht dhe nuk e pranoj që në sistemin e Drejtësisë ka një situatë kriminale, ka një situatë e cila është krijuar për shkak të disa ndërhyrjeve dhe, të them të drejtën, të shohësh draftimet kushtetuese që janë bërë në momentin aktual, unë të them të drejtën kam 22 vjet gjyqtar dhe nuk kam parë – po e them, më falni për shprehjen – paçavure më të ndyrë në sistemin e Drejtësisë.
Që të mos lejosh Gjykatën Kushtetuese që të rishikojë dispozitat kushtetuese, që të ndryshosh komplet sistemin, që të mos marrësh absolutisht as edhe një model të Bashkimit Europian dhe ta adaptosh…
Bujar Nishani: Të lutem zoti Gjoni, mos të dalim nga rendi i ditës. Është jashtë rendit të ditës. Nuk ka lidhje.
Gjin Gjoni: Jo! Jo! Me situatën kriminale. Sepse u tha për situatën kriminale.
Bujar Nishani: Të mos merremi me deklaratat e kolegëve.
Gjin Gjoni: Jo! Jo! S’merrem me deklaratat e kolegëve.
Bujar Nishani: Të lutem, të rrimë te rendi i ditës.
Gjin Gjoni: Po, te rendi i ditës jam.
Bujar Nishani: Jo, nuk do të vazhdonmi më. Do të rrimë te rendi i ditës.
Add new comment