Ku po shkohet? Janë dhënë 501 leje për ndërtime HEC-esh. Shoqatat mjedisore kërkojnë moratorium
Shqipëria trashëgoi mbi 80 hidrocentrale nga koha e Enver Hoxhës, kurse aktualisht parashikon të ndërtojë edhe 501 të tjerë. Një shifër që nuk do shumë mend të kuptohet se do rrënonte mjedisin, ose atë që ka mbetur në vendin tonë. Shifra bëhet edhe njëherë publike nga shoqatat mjedisore, të cilat kanë apeluar sot për moratorium. “Një numër maramendës prej 501 HEC-eve pritet të ndikojë negativisht në ekosistemet natyrore, dhe sidomos tek ato me ndjeshmëri të lartë, siç janë zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare. Ne kërkojmë sot masën e parë dhe të menjëhershme për moratorium lidhur me ndërtimin e veprave energjitike në lumenjtë e Shqipërisë për një periudhë 3-vjeçare ”, tha Valbona Mazreku, eksperte mjedisi. Një tjetër përfaqësuese, Emirjeta Adhami është shprehur se nuk ka studime për kapacitetin hidrik të Shqipërisë dhe potencialin energjetik të tyre, diçka që ngjan e jonormale po të mbajmë parasysh se para viteve ’90, ndërtimi i veprave të tilla kishte si premisë studimin. Po kështu vlerësohet se ndërtimi i kaq shumë HEC-ve do të ndikojë në ekonominë e qindra mijëra banorëve, duke i dhënë një drejtim tjetër një strukture demografike e ekonomike që vijon prej shekujsh.
Add new comment