Shënim: E majta e konçesioneve, ose e majta me konçesion
Shteti e jep me konçesion një shërbim apo një punë specifike që nuk e kryen dot vetë. Është delikate, e veçantë apo ka të bëjë me një sektor që është i ri dhe i panjohur për vendin. Atëherë hyjnë në lojë kompanitë e specializuara. Po çfarë specializimi duhet për të prodhuar lejet e qarkullimit të makinave dhe databazën për to (që ekziston ndërkaq), një konçesion i dhënë së fundi? Seria e fundit e një seriali të gjatë koncesionesh, të bën të qeshësh (dhe të qash) me të “majtën sociale dhe të prirë ndaj publikes”, kundrejt së cilës e majta në pushtet nuk ka asnjë pikë kontakti. Nga skanimi në dogana, që e nisi Berisha dhe e vulosi kjo qeveri, deri tek koncesioni i “shëndetësisë falas” në spitale dhe mjaft të tjera që duket se do vazhdojnë të jepen, rezulton që shteti në kohët e sotme nuk do të ketë të bëjë me asgjë që i kujton qeverisjen. Madje, si në rastin CEZ-DIA, shteti paguan dikë që ta bindë atë se duhet të japë paratë që i ka borxh shtetit… Tani mbetet që qeveritë dhe partitë të japin dhe veten me konçesion dhe thjesht të vjelin të ardhurat. Apo kjo ka ndodhur ndërkaq?
a.j
Add new comment