A është e mundur vota e Diasporës?
Numri i lartë i popullsisë në diasporë, 1.400.000 shtetas [1], të ardhurat e konsiderueshme, qindra miliona euro, që ajo dërgon në vendlindje, [2], eksperienca e demokracive të zhvilluara dhe studimet e ndryshme mbi ndikimin e kësaj vote në zhvillimin demokratik në vend, shtrojnë një pyetje thelbësore « A është e mundur vota e Diasporës Shqiptare? »
Në përpjekje për t’ju përgjigjur kësaj pyetje lindin një numër pyetjesh të tjera : a është e mundur :
- që t’u premtosh shqiptarëve të diasporës mundësinë e votës kur ndodhesh në opozitë në zgjedhjet parlamentare të 2009[3], pastaj në pozitë në zgjedhjet parlamentare të 2013 [4], dhe kur ndodhesh në pozitë në zgjedhjet lokale të 2015 [5], kryeministri i vendit tu kërkojë shqiptarëve te diasporës të nxitin vendesit te votojne, me anë të një statuti të publikuar në profilin e tij në një rrjet social [6] ?
- që një koalicion politik[1] të parfaqësojë mazhorancën e pushtetit lokal, në një shtet të banuar nga 2.893.005 shqiptarë [7], por me 3.372.471 votues të regjistruar në listat elektorale [8], ku vetëm 1.613.054 morën pjesë në votime, dhe ku vetëm 840.180 votuan për këtë koalicion, ose ¼ e popullsisë të regjistruar në lista ?
- që abstenimi i lartë (52.15% sipas KQZ[2]-së) në zgjedhjet e fundit lokale të 2015 të jetë një formë pakënaqësie ndaj politikës shqiptare apo pamundësie e diasporës për tu rikthyer në vendlindje për të votuar ?
- që në listën e 1.759.417 shqiptarëve që nuk votuan të jenë dhe emrat e imigrantëve [9] ?
- që një opozitë (2013 - 2015), dikur në pozitë (2005 - 2013) të heshtë ndaj votës së diasporës ?
- që mungesa e votës së diasporës nuk vë aspak në dyshim demokracinë lokale, që nuk forcon pushtetin oligark të klasës politike, apo nuk influencon përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të korrupsionit ?
- që vota e diasporës do të krijojë nevojën për rinovimin e politikanëve shqiptarë, gjë e cila do të mund të kontribuojë në ndryshimin e imazhit të politikës në shkallë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare ?
- modifikimi i nenit 45, të pikës 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë [10] apo i nenit 3, të pikës 3 të Kodit Zgjedhor [11] për sigurimin e votës së diasporës ?
- mundësimi i votës së diasporës për shembull në shtetet perëndimore si Franca [12] apo Gjermania [13]?
- votimi në ambasadat dhe konsullatat shqiptare në botë, ashtu siç ndodhi për zgjedhjet parlamentare të prill 2014 në Maqedoni [14], për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershor 2014 në Kosovë [15], për zgjedhjet prezidenciale të nëntorit 2014 në Rumani [16], apo për zgjedhjet legjislative të majit 2015 në Turqi [17].
- që shoqatat shqiptare në botë [18] (një pjesë e tyre të ndjekura nga mijëra e mijëra shqiptarë në rrjetet sociale) të luajnë një rol mediatori ndaj mërgatës shqiptare duke e informuar atë se si dhe ku mund të votohet në diasporë ?
Në përfundim, çështja e votës imigrante të shqiptarëve të Shqipërisë, në shtetet ku jetojnë dhe punojnë, mbetet ende një dosje e hapur dhe realisht e papërfunduar. Ndërmjet bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm që numëruam më lart, imigrantëve shqiptarë mund t’u realizohet mundësia e votimit në distancë që në zgjedhjet parlamentare të 2017, por kjo do të varet nga vullneti, i klasës politike shqiptare, ose edhe nga vetë reagimi i diasporës ndaj kësaj teme.
Referencat
* Doc. 13648 11 décembre 2014 La participation démocratique des diasporas de migrants
[1] Ministria e Punëve të Jashtme : « Shqiptarët në botë ».
[2] Open.Data.Al, 2013 : « Remitancat në Shqipëri e Kosovë. Kontributi ekonomik i Diasporës 2008-2013 ».
[3] Gazeta Shtypi, 2009 : « Opozita, konsensus për votën e emigrantëve : Veliaj dhe Rama zyrtarizojnë konsensusin për projektin e G99 për votën e emigrantëve ».
[4] Gazeta Shekulli, 2013 : « Programi i plotë elektoral, premtimet e PS »
[5] Shyti XH., 2015 : « Edhe këto zgjedhje, pa votat e emigrantëve »
[6] Gazeta Tema, 2015 : « Rama iu bën thirrje emigrantëve për të votuar ».
[7] INSTAT – Instituti i Statistikave Shqipëri : « Popullsia 2015 »
[8] KQZ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve : « Zgjedhjet vendore 2015 »
[9] Gazeta Shqiptarja, 2015 : « Mbi 7000 mijë emigrantë kthehen në atdhe për votën e së dielës ».
[10] Kushtetuta e Republikës së Sqhipërisë, Neni 5, Pika 1 : « Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet ».
[11] OSCE : Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë – Neni 3, Pika 3 : « Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod ».
[12] Euroneës, 2014 : « Roumanie, le vote déterminant de la diaspora ».
[13] Euroneës, 2015 : « La diaspora Turque vote pour la première fois aux legislatives ».
[14] Diaspora Voton, 2014 : « Instruksione : Udhëzim juridik – votimi në diasporë ».
[15] Freda S., 2014 : « Diaspora voton, është më vështirë se që duket ».
[16] Euroneës, 2014 : « Roumanie, le vote déterminant de la diaspora ».
[17] Gazeta Lepetitjournal.com, 2015 : « Législatives : pour qui ont voté les turcs de France et de l’étranger ».
[18] The Albanian Diaspora – Dars (Klos), Mat – Albania, 2015 : « Lista e disa shoqatave shqiptare në botë ».
[1] ASE – Aleanca për Shqipërinë Europiane.
[2] KQZ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
http://klarabudapost.com/sq/referenca-mbi-voten-e-diaspores/#.Vg1ULHyNIQc
Comments
Artikulli ne rradhe te pare I
Artikulli ne rradhe te pare I pasakte. Ka nje ndryshim rrenjesor midis termave dhe koncepteve te "Diaspores" dhe te "Imigranteve". Te paret kryesisht nuk jane shtetas te vendit te origines (psh Arbereshet ne Itali, shqiptaret e vjeter te Kroacise apo Rumanise) ndersa te dtet jane ose te lindur ne vendin e origjines, ose jane pasardhes direct te te lindurve ne ate vend (shumica e atyre qe nohim ne termin emigrante). Autoret permendin termin "imigrate" qe eshte nje tjeter psaktesi (injorance) e madhe; ne raport me Shqiperine, imigrante mund te jene qytetaret Kineze me banim ne territorin kombetar, apo ata Italiane qe jetojne ne Tirane e Durres. Shqiptaret qe jetojne jashte Shqiperise duhet te pershkruhen nga cdo shqiptar tjeter me terin "emigrante". Keto gabime (pak trashanike) I bejne me pak te besueshme idete e metejshme te artikullit...
Por qe ti rikthehemi thelbit te gjerave, votimi I emigranteve shqiptare per zgjedhje kombetare eshte konceptualisht I gabuar. Emigrantet shqiptare (si puna e autorit te ketij komenti) e kane lidhur fatin me vendin ku jetojne. Sigurisht qe Shqiperia eshte shume e rendesishme per emigrantet, por eshte gabim qe ketyre emigranteve tu njihet aftesia per te influencuar politika ekonomike pasojat e te cilave u bien ne kurriz vetem te tjereve, atyre qe jetojne ne Shqiperi. Dikur ne Amerike, kur u be lufta e Pavaresise, u tha se "nuk duhet te kete taksim pa perfaqesim". Perse qytetareve shqiptare qe jetojne ne vend perfaqesimi u jepet po aq sa ne te tjereve qe nuk paguajme taksa fare? Nese ne emigranteve na njihet e drejta e votes, kjo do te na inkurajonte ne qe te votonim per qeveri qe do te kishin (bie fjala) imazh dhe retorike te bukur, por politika te keqija ekonomike... Personalisht une do te votoja po te me jepej ajo e drejte ketu; por praktikisht une pranoj qe kjo do te ishte nje privilegj I padrejte.
Përse i padrejtë?!
Përse i padrejtë?!
Janë shumë shqiptarë që punojnë jashtë Shqipërisë dhe dërgojnë para në Shqipëri.
Unë nuk mund të votoj edhe pse ia paguaj online familjes sime energjinë elektrike, edhe pse paguaj tatimet për tokë dhe shtëpi, edhe pse dërgoj para të thata çdo vit në Shqipëri edhe pse paguaj tatime për pastrime, gjelbërime etj. Në vendin ku qëndroj jam i huaj. Paguaj taksa si të gjithë të tjerët, madje edhe më shumë, por nuk votoj. Nuk ndikoj dot në këtë shtet që qëndron mbi mua. Duke zotëruar shtetësinë shqiptare, e ndiej detyrim të shoh çdo ditë çfarë po ndodh në Shqipëri. Sipas logjikës së kryetarëve të kooperativave partiake për vjedhjen e Shqipërisë KKPVSH, unë jam emigrant në vend të huaj dhe "klandestin" në vendin tim. Nëse kthehem aty, si "klandestin" dënohem për shkelje të kufirit. Ligje të pashkruara, por janë në një gjatësi vale me ligjet e para 90-s! Madje mund cilësohemi edhe si diversantët e viteve 2000.
Është e kuptueshme se ata që folitikojnë shumë në Tiranë, paratë nuk i kanë nga puna e ndershme që bëjnë shqiptarët nëpër botë, prandaj askush nuk pyet për ne dhe familjet e shumta që mbahen nga këto para. Kanë frikë se nuk mund të na trazojnë mendimet dhe të na përdorin në votime.Votimi do të ishte fundi i shumë syresh që vegjetojnë në kuvend.
Add new comment