Pazaret lokale dhe kriza e sistemit partiak

Postuar në 29 Shtator, 2015 16:52
Afrim Krasniqi

Brenda dy javësh procedurat teknike për zgjedhjen e kryetarëve të qarqeve kanë prodhuar lajme interesante: në Shkodër PS e PD bashkuan votat kundër LSI, në Dibër e Gjirokastër PD dhe LSI bashkuan votat kundër PS, në Lezhë e Korçë e djathta nuk votoi kundër kandidatëve të majtës për drejtimin e qarkut. Janë vetëm disa prej shumë të dhënave të “aleancave të periferisë” fenomen që po merr shtrirje gjithnjë e më të madhe. Alibia e tyre është se nuk ka problem: çdo këshilltar e parti mund të marrë vendime lokale që lidhen me interesat e tyre lokale.

Vetë partitë theksojnë se janë përfaqësuese qytetare dhe kështu, komunitetet lokale në emër të qytetarëve marrin vendime. Disiplina e hekurt, praktika e urdhrave nga lart, etj, shihen si koncepte të vjetra dhe demode në një botë gjithnjë e më të hapur dhe konkurruese. Alibitë duhen të forta, por kanë vlerë në biseda studiosh dhe kafenesh, jo në politikë, jo në jetën institucione, jo në trajtimin profesional të politikës dhe as nga leximi tej traditës eksperimentale shqiptare të rregullave demokratike dhe vlerës së pluralizmit politik.

Së pari, statutet e partive politike kryesore përcaktojnë se vendimmarrja politike në rastin e koalicioneve është akt politik, merret nga struktura më e lartë dhe është e detyrueshme për të gjithë strukturën. Po ashtu, fryma e akteve zyrtare partiake dhe e legjislacionit zgjedhor (përfshi Kodin Zgjedhor) nuk lejon koalicione lokale të ndryshme nga koalicionet qendrore, përkundrazi, çdo koalicion qendror është detyrim dhe imponim edhe për strukturat lokale.

Së dyti, përpos lajmeve në media, nuk ka pasur ndonjë mbledhje të kryesive të partive politike kryesore dhe as vendimmarrje mbi zgjedhjet e reja në krye të qarqeve. Degët kanë vepruar me autonomi, sipas interesave të tyre, kryesisht jo politike. Të ndikuar nga raportet personale lokale midis drejtuesve dhe degëve lokale, por edhe nga oferta klienteliste dhe lidhje informale biznesi, familjare, fetare, krahinore apo ekonomike, vota u përdor siç rëndom po përdoret: si mall për shkëmbim, me shënimin klasik, “i jepet blerësit më të parë”.

Së treti, të zgjedhurit të ri, në shumicën e tyre, duke mos qenë produkte direkte të votës qytetare, por produkte indirekte të aleancave dhe koalicioneve fiktive, jo transparente dhe të paqëndrueshme, krijojnë institucione të brishta, sjellin mosbesim, mospërfaqësim dhe paqëndrueshmëri. Le të shohim rastin e Kukësit, ku i zgjedhuri vjen nga partia e pestë në renditjen e zgjedhjeve të fundit lokale në këtë qark.

Së katërti, koalicionet jonatyrale mund të jenë në çdo rast bazë destabiliteti dhe ndryshimi, sapo të ndryshojnë raportet midis vetë koalicioneve. Përvoja është e freskët: pasi PD e LSI drejtuan në disa qarqe dhe më shumë se 32 këshilla bashkiakë/komune gjatë viteve 2011-2013 ndryshimi i koalicionit në nivel qendror 2013 solli ndryshime drastike edhe në raportet e bashkive/komunave, përfshirë edhe në këshillin bashkiak kryesor, atë në Tiranë. E njëjta traditë negative mund të përsëritet sa herë palët ndryshojnë interesat, aleancat dhe raportet politike, duke eksperimentuar dhe dëmtuar ndjeshëm institucionet përfaqësuese lokale.

Së pesti, raporte të tilla nuk marrin dhe as japin përgjegjësi nëse organe të tilla dështojnë, krijojnë probleme dhe qytetarët zhgënjehen. Ato nuk lejojnë që një parti/koalicion të gjykohet, dhe në secilin qark/bashki secili kërkimi i llogaridhënies mbetet pa adresë, pa emër, pa sistem kontrolli. Për më tepër, bëhet e pavlefshme praktika demokratike e presionit për mbajtjen e premtimeve, kur ata që zgjidhin, në tërësi nuk janë produkti dhe vullneti i qartë i shumicës së votuesve, pra edhe i platformave fituese të një shumice të qartë, të identifikuar dhe të votuar.

Argumenti kryesor në këtë histori shqiptare pazaresh lokale është mungesa totale e përgjegjësisë së partive politike dhe të zgjedhurve lokalë ndaj votës dhe qytetarëve, si dhe deformimi total i vendimmarrjes dhe logjikës funksionale të partive politike. Sjellje të tilla të pazarit me çdo çmim dhe me këdo që është në treg janë tipare të partive klienteliste, pa strukturë e ideologji, pa program dhe identitet, pa legjitimitet dhe sens përgjegjësie. Ata që ende i druhen nevojës që partitë të ekzistojnë e veprojnë si institucione, le të përballen me të kundërtën, atë që po ndodh: që partitë nuk veprojnë e mendojnë si institucione, nuk prodhojnë politikë, nuk kanë alternativa identifikuese, nuk bazohen në vendimmarrjen e tyre në interesin publik dhe vlerat morale, nuk japin llogari përpara qytetarëve dhe për rrjedhojë, nuk mbajnë përgjegjësi për dështimet dhe eksperimentet klienteliste.

A është ky fundi i partive apo një krizë e radhës brenda tyre? Partitë që nuk veprojnë mbi shinat e rregullave ligjore (statutit, dokumentit ligjor, ligjit të partive, nenit 9 të kushtetutës, etj) ngjajnë me disa tregtarë spekulantë informalë që shpesh shfaqen në kohë krize ekonomike nëpër trotuaret e Tiranës dhe pranë rrugëve nacionale. Ata shesin gjithçka, ofrojnë gjithçka, pa taksë, pa letra, pa garanci, pa treguar çmimin e saktë, pa respektuar ligjin dhe rregullat, pa ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve të tjerë dhe shoqërisë.

Ata thjesht duan të fitojnë, me çdo kusht, duke përfituar nga rrethanat dhe duke prodhuar blerës e treg informal në kurriz të shoqërisë, konkurrencës, shtetit së të drejtës dhe koncepteve ligjore të tregut të lirë në një sistem demokratik. Në dallim nga kjo pjesë tregtarësh që pasi shesin, shkojnë në shtëpinë e tyre për të bërë bilancin e ditës, partitë veprojnë ndryshe: ato janë në punë 24 orë, marrin vendime për jetën tonë, drejtojnë institucionet dhe hapësirën publike, imponojnë vendimmarrjen dhe sjelljen qytetare, bëjnë ligje dhe ndryshojnë kushtetutën, - dhe si të tilla, pasojat e tyre në sistem e shoqëri, nëse janë negative, janë shumëfish më të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen.

25 vjet më parë pluralizmi politik premtoi një sistem ndryshe: parti e kandidatë që konkurrojnë me ide, programe, alternativa, ndajnë shtetin nga pushteti dhe kanë sens përgjegjësie, integritet e identitet të qartë politik e social. Sot bilanci është i kundërt,-një tregues se sistemi përfaqësues mbetet i deformuar dhe se Shqipëria do vite të tjera për të fituar shansin e ndarjes nga tranzicioni.

Dhe në këtë bilanc, si në rastin e meritave për arritjet e pakta ashtu edhe për rastet e dështimeve të shumta merita e përgjegjësia u shkon partive kryesore politike, liderëve kryesorë politikë, atyre që e shpërdoruan shansin e pluralizmit për të ndërtuar sisteme piramidale e personale aty ku janë: në parti, në shtet, në shoqëri, në institucione. Duke qenë produkte të një sistemi jokonkurrues dhe një shoqërie pa formim demokratik, ata ia dolën të ngrenë statuja e piedestale të reja, por siç po shohim prej vitesh dhe në çdo ditë, ata dështuan të krijojnë institucione të forta e funksionale, besim publik dhe parti politike që simbolizojnë aspiratën utopike të 25 viteve më parë.

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.