"Bolshevizmi, fashizmi, ISIS...të gjitha janë forma nihilizmi"
Martin Amis/ Shkrimtari i njohur anglez vjen në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” ndërsa pritet që në Itali të dalë një nga librat e tij më të njohur “Zona e interesit” një roman mbi Shoah-në. Së shpejti, ky roman do të vijë në shqip nga shtëpia botuese “Saras”, e cila ka marrë të drejtën e botimit në gjuhën shqipe të këtij autori të rëndësishëm të kohës
Pse nuk lexoni letërsinë e re?
Është çështje gjykimi të shëndoshë. Të lexosh shkrimtarë të rinj apo më të rinj se veten nuk është një mënyrë e efektshme për ta përdorur kohën e leximit. Lexoj vetëm miqtë e mi: Zadie Smith-in, Will Self-in… Por jo sepse janë të rinj. Gjykimin mbi vlerën e një romani, të një tabloje apo të një poezie e jep zgjatja e tij në kohë. Koha është i vetmi gjykatës i një vepre arti. Nëse një libër zgjat një shekull, me gjasë është një libër i mirë; nëse zgjat dhjetë vjet, jo shumë. Prandaj e kam zakon të lexoj vepra autorësh të vdekur, sepse veprat e tyre kanë mbijetuar, ndërsa leximi i romanit të një autori 25-vjeçar është një bast jo shumë i mençur.
Romani juaj i fundit fillon në një mënyrë romantike, por në një kontekst grotesk. Cili është roli i dashurisë në këtë histori?
Shpesh romanet fillojnë me një imazh dhe kur e ke, di që ke një pjesë narrative për të rrëfyer, dhe unë pashë një skenë dashurie me shikim të parë në këtë kontekst të tmerrshëm. Dashuria për gruan e bën më guximtar dhe bëhet një shpëtimtar. Dashuria të bën më idealist. Por në fund dështon, i mbetet një zhgënjim romantik, sepse regjimet totalitare ua bëjnë shumë të vështirë njerëzve të dashurohen. Ka shumë vdekje, që është e kundërta e dashurisë, si urrejtja: për këtë arsye në fund dashuria duhet të mbetet e zhgënjyer.
Një si Hitleri, pra, nuk mund të ketë rënë në dashuri?
Absolutisht jo. Një nga misteret e mëdha të Hitlerit, në ndryshim nga Stalini apo nga Maoja, është se nuk dimë as nëse ka bërë ndonjëherë seks në jetën e tij. Ka teori që thonë se ishte normal, të tjerë thonë se ishte krejtësisht i paseks dhe të tjerë ende se ishte një i degjeneruar. Por unë jam i prirë të mendoj se ishte një njeri pa seks. Është e pamundur ta imagjinosh tek bën dashuri me Eva Braunin dhe pastaj tymos një cigare në shtrat… E pamundur.
Pse Smzuli, personazhi hebre, ka historinë më të shkurtër?
Sepse është e vështirë të shkruash për një viktimë. Ky është romani im i dytë mbi Holokaustin dhe në të parin i pashë viktimat nga larg. Por ndërkohë u martova me një grua hebreje, familja e së cilës pësoi Holokaustin. Dhe vajzat tona janë përgjysmë hebreje. Tani ndihem pjesë e gjithë kësaj; nuk shoh më viktima kaq larg vetes.
Ju kanë bërë përshtypje polemikat që disa prej librave tuaj kanë ngjallur vitet e fundit? E keni censuruar veten?
Jo, shpresoj që jo. Përpjekja më e madhe e jetës sonë është të shkojmë drejt një demokracie më të madhe, sociale dhe kulturore. Nuk mund të jesh i vetëdijshëm për këtë kur shkruan, por kur shikoj romanet e mia të para them ende me vete: “Dreq o punë, si kam mundur ta them diçka të tillë”. Sepse është fyese. Por do të thosha se ka të bëjë shumë me të qenët i ri, budalla dhe guximtar. Sot them ende atë që dua. Natyrisht, nuk përkulesh para vizioneve fetare të njerëzve, asgjë nga të gjitha këto, por, ndoshta, je pak më i kujdesshëm ndaj ati që fyen.
Dhe ndaj arsyes ndoshta.
Po, ndaj atij që është objektivi. Por mendoj se është një çështje shumë e rëndësishme ajo e autocensurës në veprim, shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për Islamin, sepse njerëzit kanë frikë.
Sulmi ndaj Charlie Hebdo ia mbylli derën së qeshurës me të shenjtën?
S’besoj. Ose të paktën shpresoj që jo, sepse do të ishte një fitore e tmerrshme për ekstremizmin, por pesë ditë më pas, revista botoi një numër të ri me Muhametin në kopertinë.
Por tani kanë thënë se nuk do ta bëjnë përsëri?
E kanë thënë? Çfarëdolloj shfaqjeje e formës njerëzore konsiderohet blasfemi në Islam si dhe çfarëdolloj paraqitjeje e profetit; kjo nuk më duket ndonjë humbje e madhe, por është e tillë në termat e lirisë së shprehjes.
Humorizmi do të duhej të kishte kufij?
Jo. Por nuk do të isha as lejues mbi gjithçka. Çfarëdolloj teme të zgjidhet implikon përgjegjësi dhe Holokausti më shumë se cilado tjetër. Por janë përgjegjësi që i përballon në çdo faqe që shkruan, duhet të gjesh tonin e duhur. Është diçka e ngjashme me hijeshinë, që nuk do të thotë mirësjellje, por një gjuhë e përshtatshme për çdo ngjarje.
E keqja absolute duket e pranishme në pjesën më të madhe të punës suaj. Mendoni se është një nga problemet e mëdha të kohës sonë?
Nuk më pëlqen shumë koncepti i së keqes, e shoh shumë teologjik; do të parapëlqeja fjalën mizori apo ligësi. Megjithatë është diçka që vazhdon të shfaqet përherë nën forma të ndryshme. Tani, një organizatë terroriste, e lartëson mizorinë e vet dhe nuk thotë siç është zakon “na vjen keq që na duhet t’i vrasim këta njerëz, por është e nevojshme”. Jo, këta janë krenarë që vrasin civilë dhe që skllavërojnë vajza, janë krenarë për përdhunimet masive… Është me siguri një lakim i ri i ligësisë dhe ata shohin në të një justifikim fetar.
Kur shikoni atë që po ndodh në Siri, mendoni se çdo epokë ka të keqen e saj absolute?
IS-i është një shfaqje e re, një evolucion i ri i së keqes, por ndoshta është shumë të themi që është diçka tjetër. Bëhet fjalë për një formë nihilizmi; është gjithnjë nihilizëm, nazistë, bolshevikë, IS…
E ndiqni politikën britanike? Ç’mendim keni për Jeremy Corbyn-in?
Me Corbyn-in, Partia Laburiste do të reshtë së qenë një parti. Do të bëhet një grup presioni, nuk do të ketë një qeveri të kryesuar nga ai. Lideri i fundit laburist, Miliband, dështoi sepse ishte shumë i majtë dhe tani zgjedhin një që është shumë më majtas.
Përktheu Adrian Beshaj
"Shqip"
Add new comment