Lufta e deformuar kundër Ilir Metës
Në jetën e tij politike dhe jo vetëm, Meta dukshëm ka bërë shumë armiq. Fakti që ai dhe partia kushtëzojnë jetën politike shqiptare prej vitit 2005, e pra plot 10 vjet, ka arritur këto kohë në një pikë vlimi, ku tradhtohen interesa të mëdha, politike dhe të influencës së pushteteve në Shqipëri.
Kjo u kuptua qartazi në fillim të këtij viti, me farsën e trilluar trashë, për një vrasje të shumëfishtë, që Kryetari i Kuvendit paskësh porositur, por që “aksidentalisht”, nuk ishte vënë në jetë. Sepse, vrasësi i porositur dhe i ngarkuar për “vrasjen” apo “vrasjet”, kishte pësuar një krizë “humanizmi” dhe ish tërhequr nga sipërmarrja, në rrethanat absurde të brerjes së ndërgjegjes, për një vrasës profesionist.
Në këtë rast, askush nga armiqtë politikë të Metës nuk pati më të voglën pauzë reflektimi për të mos afishuar dhe shumëfishuar në publik, marrëzinë mediatike dhe politike që ishte gatuar. Një gatim i pashijshëm, në thelb amatoresk. Mirëpo kur tullumbacja u shpua nga faktet, askush nuk kërkoi falje publike. Kjo sepse publiku nga gazetarët tanë “investigativë” dhe të mirëpaguar mbi dhe nën dorë, e konsiderojnë publikun një kope delesh.
Në rastin më të fundit të CEZ, me sa duket, për fatin e mirë, madje deri në absurd, të Ilir Metës, kuzhina mediatiko-politike tradhton të njëjtën ngutje në gatimin e “Gjësë”. Mirëpo kësaj radhe mastershefat janë të tjerë dhe qartësisht të identifikueshëm. Parimi është i njëjti: E kush pyet për delet konsumatore? Kur ato ndjekin si të babëzitura telenovelat turke, përse të mos ndjekin edhe telenovelat tona?!
Që rasti i CEZ është përplot i mbushur me pika të errëta abuzivizmi shumë miliona eurosh, është më se e qartë. Që edhe biznesmeni Ismailaj, së bashku me 5 personazhe të tjerë nga fusha e sipërmarrjes, ndjenë aromën e biznesit, pas privatizimit të kolosit shqiptar OSSHE, kjo është e qartë. Sepse që në privatizimin e vet, OSSHE bartte me vete një “pajë” të majme prej rreth 200 milionë eurosh, detyrime që konsumatorët privatë dhe kryesisht ata shtetërorë, nuk ia kishin paguar kompanisë shtetërore shqiptare të shpërndarjes së energjisë.
Sigurisht, privatizimi është një gjë e mirë. Madje është një kurë shëronjëse për kompanitë shtetërore kudo në botë, e aq më tepër në vendin tonë. Në këtë drejtim, qeveria Berisha nuk bëri as edhe më të voglin mëkat thelbësor që privatizoi këtë kompani të kalbur shtetërore. E cila ishte sidoqoftë e falimentuar nga ana menaxheriale.
Mirëpo, përse u lanë pa mbledhur borxhet që institucionet shtetërore, si ujësjellës, bashki, administrate, shkolla, dikastere etj., ia kishin prej vitesh kësaj kompanie? Borxhe të cilat, përmes një shtrëngese administrative për të likuiduar faturat sipas procedurës shtet me shtet, mund të mblidheshin lehtësisht, kur OSSHE po hynte në fazën e privatizimit. Dhe këtu flitet për dhjetëra e dhjetëra miliona euro fatura, të cilat duke mos u mbledhur, i dhuroheshin de facto pronarit të ardhshëm çek, CEZ-Shpërndarja.
Përse u tolerua kjo shëndoshje e mundshme e kompanisë? Të paktën në detyrimet që organizmat shtetërorë kishin ndaj saj?
Në mediat tona agresive dhe “gjykatore të interesit publik”, askush nuk merret me këtë gjenezë të mëkatit fillestar.
Më pas, qëllimisht harrohet që mbas privatizimit, OSSHE shtetërore u shndërrua në CEZ Shpërndarja, e pra një kompani private. Një kompani private mund t’i shpenzojë paratë e saj simbas kritereve të saj menaxheriale dhe të përcaktojë tarifat e saja, klienteliste ose jo, simbas filozofisë së saj menaxheriale. Këtu CEZ dhe ata që kishin të bënin me të, nuk mund të gjykohen me standardet që kemi për një kompani shtetërore vendase. Ajo është çështje ligjore e Pragës dhe jo e Tiranës.
I gjithë sulmi ndaj Metës lidhet dhe përqendrohet rreth emrit të Kastriot Ismailajt, meqë Ismailaj gjendet në burg dhe me sa duket, është i pafuqishëm të reagojë dhe të mbrohet nga akuzat. Ndërsa për 5 kompanitë e tjera, të drejtuara dhe të ngritura nga biznesmenë të njohur, madje shumë të njohur, për të mbledhur lehtësisht këto para shtetërore nga torta 200 milionëshe, nuk flet askush. Dhe lihet të nënkuptohet se këta ishin “korrektë”, ndryshe nga Ismailaj. Sepse populli, këtë muzikë duhet të dëgjojë.
“Gazetarët tanë nevrotikë” për drejtësi dhe antikorrupsion, duke ngritur pluhur dhe zjarr kundër Ismailajt, nënkupto, Metës, me ose pa të drejtë, po ndërtojnë një alibi kolosale për të fshehur aktorët e tjerë, që kanë ngrënë shumë më tepër llokma nga torta 200 milionëshe, që OSSHE la si dhuratë në prehrin e CEZ, mbas privatizimit.
Nëse dikush apo disa duan të na bindin se “tortën” e hëngri vetëm Ismailaj, shifrat e përgënjeshtrojnë frikshëm, këtë deformim. Mirëpo këto shifra nuk dalin gjëkundi, sepse ato përmbysin raportin me të vërtetat e pjesshme, e pra të rreme që janë futur në qarkullim. Dalja e tyre do të rrëfente se DIA e Ismailajt, nuk ka mbledhur më shumë se 20% të tortës.
Të bësh sikur investigon, për të kapur vëmendjen e opinionit publik dhe për ta asociuar këtë vëmendje, vetëm me një emër, Ilir Meta, nuk është më gazetari, por thjesht një operacion marketingu politik. E pra, me aspak lidhje me të vërtetën e plotë.
Për të mos folur pastaj për aktet dhe nënaktet e tjera, me telenovelën CEZ, me ulje të habitshme çmimesh energjie dhe negociata “amatoreske” juridike, që larguan CEZ, me një kosto të frikshme për taksapaguesin shqiptar.
Por edhe për këto, si edhe për shumë emra të “ndritur” nuk flitet. Investiguesit dhe gazetarët tanë radikalë nuk kanë radar për këto çështje, ku thuhet se rrjedhin dhjetëra miliona euro të tjera.
Aspak rastësisht, sepse ata janë gazetarë inteligjentë dhe të mirëinformuar.
Dhe kjo do të thotë, që kjo ndodh sepse nuk kanë “frikë” nga Ilir Meta, ose ndoshta sepse, mjerisht janë të porositur ta godasin vetëm atë. Dhe kjo “mospasje frikë” nga Meta, “organizator likuidimesh fizike”, kthehet krejt në favor të Ilirit, dukshëm deri tash, për nga sulmet masive që i bëhen, po fiton meritën e një politikani “jo hakmarrës”.
Ngutja e mastershefave, ashtu si edhe çuditë spekulative të qëndisura, zgjasin tri ditë. Deklarata e Metës, që pranon dhe nxit një hetim të gjerë ndërkombëtar për këtë çështje, i kapi dukshëm “mastershefat” që tundin fatura dhe video të pakuptueshme, me sa duket në befasi.
Dhe menjëherë e për 24 orë u vu re një zbythje, e përgjithshme dhe qesharake.
Ndërsa dëmi që i bëhet gazetarisë vijon të na gjunjëzojë. Sepse jam i sigurt që, edhe për këto radhë që po shkruaj, sulmin destruktiv e kam të sigurt. Ndoshta edhe pjesërisht të merituar, sepse duhet shkruar më shumë për papunësinë dhe varfërinë e perspektivës ku jetojmë.
Por, si do të ishte ky vend të nesërmen e “likuidimit” mediatik, e më pas politik, e të kurdisur të kundërshtarit, në favor të tretëve?
Të Padukshëm dhe të Paprekshëm?!
E pra, frikëndjellës apo korruptonjës të pashoq e të pagjemb në këmbë?
Hiç më pak se një Regjim, komanduar nga një Kastë dhe një Kupolë super e pasur, që komandon media e pushtete, në mënyrë të padukshme. Krijuese realitetesh dhe krijuese fajtorësh pa gjyq real dhe pa prova të vërteta.
Si dikur gjyqet kundër armiqve të popullit në kohën e diktaturës. Me të njëjtën teknologji: shplarjen paraprake të trurit të opinionit publik! Fill më pas, toga e pushkatimit.
E pra, nëse Meta është fajtor apo i pafajshëm, këtë hetimi ndërkombëtar le ta thotë. Mirëpo kleçka është se hetimi ndërkombëtar nuk ka klientë në Shqipëri.
Dhe mund të marrë të pandehur edhe vetë Kupolën apo Kastën e të Padukshmëve dhe të të Paprekshmëve të deritashëm. Prandaj ndoshta po këta, mbasi frenuan me telekomandë sulmin ndaj Metës, do t’i luten Metës të heqë dorë nga kjo “marrëzi ndërkombëtare” dhe do të harxhojnë orë të tëra dhe me verë të shtrenjtë, për t’i shpjeguar që gjithçka ndodhi ishte thjesht një keqkuptim.
Dhe le të mos habitemi nëse ndodh edhe kështu.
"Mapo"
Add new comment