"Miku me ryshfet", armiku i shoqërisë shqiptare
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe miku dhe ryshfeti përshkruhen si më poshtë :
- Ai me të cilin kemi miqësi; ai që na do të mirën, na ndihmon me gjithë zemër e na gjendet në çdo nevojë; një i njohur, me të cilin kemi lidhje të ngushta, njeri i afërt .
- Para ose diçka tjetër që i jepet falas nën dorë një nëpunësi ose punonjësi në detyrë që të bëjë një punë a një shërbim jashtë ligjit.
Në qoftë se fjala mik është plot kuptim ashtu si në rastin e përshkrimit që i bëhet në fjalorin e gjuhës shqipe, ajo do të ketë një tjetër kuptim në rastin e këtij shkrimi. Ishte në shkëmbim me Julian Dedën në një rrjet social që më nxiti të shkruaj mbi këtë temë, shumë e përhapur në jetën e përditshme shqiptare, ku talentet, njerëz me potencial, dije apo zanat, e kanë shumë të vështirë të rezistojnë përballë "talenteve".
Çfarë do të thotë kjo ?
Një lloj specie "talentesh", duke e ditur fare mirë që s’kanë asnjë talent (aftësi), por kanë para (s’po hyjmë më thellë për origjinën e këtyre të ardhurave), e blejnë atë me "mik", dhe këtu fjala e vërtetë mik, ndërmjet parasë apo njohjeve, transformohet në një lloj virusi që arrin të depërtojë në venat e shoqërisë shqiptare dhe ta infektojë fare lehtë atë. Ju që jetoni në Shqipëri mund ta keni konstatuar akoma më mirë se unë që shumë aksione ose veprime realizohen me anë të "mikut". Po marr disa shembuj për të diskutuar rreth kësaj teme. Në Shqipëri futet "mik" për :
- të zënë një vend pune në administratën publike : Sa drejtorë janë emëruar në administratën publike pa dhënë provat e tyre? Është e domosdoshme që të futet patjetër konkurimi për të zënë një vend pune në administratë, sepse është e vetmja mënyrë për të bërë dallimin mes të aftëve dhe paaftëve, por kjo gjë s’po ndodh akoma. Në Francë kjo ekziston prej vitesh dhe që të zësh një post për një periudhë të gjatë duhet të konkurosh dhe patjetër të fitosh.
- të hyrë në univerisitet dhe për të marrë një diplomë : Askush s’mund ta mohojë që një pjesë studentëve paguajnë "mikun" për të hyrë në filan universitet me emër, dhe s’po flasim për ata që blejnë diplomat pa shkuar në leksione, ose kur shkojnë, prezantohen me duar në xhepa. Gjatë studimeve të mija në Francë, nuk kam parë një student të vijë pa libra ose të mungojë më shumë se tri herë gjatë vitit shkollor. Universitetet franceze kanë rregulla të rrepta. Tri mungesa pa arsye dhe viti shkollor digjet. U kape duke kopjuar, pesë vjet i dënuar të mos pranohesh nga asnjë lloj universiteti. Kurse "mikun" harrojeni, vetëm aftësia inkurajohet. Të diplomohesh në Francë është një sfidë e vërtetë, kurse për "talentet" në Shqipëri është fare e lehtë. akoma më shumë për zyrtarët e lartë. Sa zyrtarë të lartë kemi në Shqipëri që kanë marrë nga dy – tre diploma këto vitet e fundit, e kuptoni ju diploma që të bëjnë njeri të « zgjuar», diploma « me emër » si juridik, shkenca politke, ekonomik.
- për t’u shëruar, mjekuar : Lutemi Zotit të mos sëmuresh në Shqipëri, që një i afërt të mos na sëmuret, se të shkundin ekonomikisht. Duhet të njohësh kirurgun, apo të gjesh një "mik" ndërmjetës, pastaj të bësh pazar me të sikur të jemi kafshë (kushton kaq, nuk bëj dot ulje etj.)- dhe më në fund të lë të kuptosh që ke "shans – nder" që të operon. Nga kirurgu, zbret tek infermierët që të rrjepin, s’të bëjnë një shërbim, një gjilpërë pa dhënë një bakshish. Në rregull, rrogat s’janë mbase në nivelin e duhur, por çfarë faji ka populli ? Po shteti pse nuk reagon, flas këtu për spitalet publike? Dhe meqë po flasim për shëndetësi, e bëri Edi Rama falas?! Ishte një premtim i tij para dy vitesh më duket.
- të fituar një tendër në punimet publike : Është e çuditshme dhe anormale kur dëgjon që një pushtetar i atribuon tenderin firmës së tij apo firmës së mikut. Kësaj i thonë vetë vendos e vetë vulos. A respektohet ligji? Ka transparencë në vendimet që merren? Kam punuar në administratën publike franceze dhe kam atribuar tendera, por gjithçka analizohet: metoda e punës, ekipet, buxheti, programi etj., dhe vetëm pas kësaj analize zgjidhet më i afti ; dhe u shpjegohet të gjithë konkurentëve të pazgjedhur arsyet përse nuk e fituan tenderin (mangësitë e tyre) dhe u dërgohet në të njëjtën kohë edhe dosja e fituesit për t’i bindur. Ndodh kjo në administratën publike shqiptare?
Kjo puna e "mikut me ryshfet" duhet marrë seriozisht, sepse mbetet një problem tepër shqetësues dhe nevojitet të luftohet në mënyrë absolute. "Miku" dembelizon shoqërinë tonë (Mos e vrit mendjen vëlla se gjejmë një mik, dhe kjo çështje zgjidhet për dy sekonda) dhe dekurajon të aftët (Nuk ia vlen të merresh më këtë punë motër, është luftë e humbur). Ndërsa në të njëjtën kohë, të paaftët, "talentet" që administrojnë, drejtojnë vendin as nuk rilindin Shqipërinë dhe as nuk e çojnë atë në drejtimin e duhur. Me mikun në thonjza do të jetë shumë e vështirë të progresojmë dhe akoma shumë më e vështirë të futemi në Bashkimin Europian. Ky tip "miku" nuk është gjë tjetër veçse armiku i shoqërisë shqiptare.
Comments
lomi1935@yahoo.com
Pjeserisht e vertete sepse shume shume here me te rezikshem jane drejtuesit dhe nepunes te shtetit qe kerkojne pjese ose para ne dore (ne valixhe a çante) qe te te bejne nje pune ose kur japin nje pune shteti - me parat publike (investime, koncesione , blerje etj,) . Ky eshte korupsioni I vertete jo bakshishi apo peshqeshi(ne gjuhet avropiane honorar apo komision) I mikut qe ti mbarosh punen.
Add new comment