"Elbasan Arena” kthehet në Gulag për ndeshjen Shqipëri - Serbi
Afrimi i ndeshjes Shqipëri-Serbi ka vënë në gatishmëri shtetin shqiptar. Ka ditë që tani lexohen lajme për angazhim forcash masive, kontrolle nga toka e ajri, angazhim të Shërbimit Informativ e deri në ndalim të tifozëve ultras në disa pjesë të stadiumit. “Panorama Sport” shkruan se çmimi i biletës ka arritur deri në 1000 euro dhe padyshim që përgjegjëse për këtë është Federata Shqiptare e Futbollit. Sikur të mos mjaftonin këto, shqetësimi po rritet edhe për dhunën që po vjen nga policia. Ka disa ditë që ka ankesa nga tifozeria për dhunën e policisë në stadiume e askush nuk do të dijë më. Absurditeti i një ndeshjeje arrin deri aty sa fyhet sedra e çdo njeriu kur merr vesh se për hir të kontrollit nga ajri, nuk do lejohen njerëzit as të shohin atë nga ballkoni. Në një intervistë për “Panorama Sport” një banor i Elbasanit, njëkohësisht ndërtues, ankohet pikërisht për këtë gjë: “Policia mund të narrë të gjitha informacionet për banorët, por jo të vendoset “perde hekuri” për të mos e parë, sepse kjo është një mundësi që ua ka dhënë Zoti”, shprehet ky qytetar. Në të njëjtën faqe, Saimir Demi shkruan një opinion me titull: “Hamë dru se po na vijnë serbët”. Demi flet për marrëzinë e policisë, barbarë siç i quan ai disa prej tyre, që kanë nisur kontrollin fizik nëpër stadiume. “Përfundimisht jetojmë në një kohë kur disa njerëz besojnë se na kanë në dorë edhe jetën, madje ka gjasa që të na përdhosin edhe banesat. Të na pengojnë të ftojmë miq në ballkonin e shtëpisë që kemi hipotekuar, ose do të na kërkojnë nga një kupon tatimor për kafenë turke që do të na shërbejë mamaja, edhe ajo tifoze me Shqipërinë”, shkruan ndër të tjera Demi. Me sa duket askush nuk duhet që të prishë asgjë, as të bërtasë, as të thërrasë, megjithëse ka paguar 1000 euro, vetëm e vetëm që ndeshja të shkojë fjollë. Këtë e dëshiron gjithkush, por nuk mundet që sa herë ka zhvillime të tilla, të nxirret kërbaçi e të drejtat e gjithkujt të hidhen në kosh. Çfarë ndeshje futbolli na qenka kjo vallë?
Add new comment