Një ofertë ruse për të zmbrapsur ISIS: Siria e Assadit të transformohet në një Izrael Alavit
Çfarë kërkon Rusia në Siri? Kjo pyetje ka disa javë që po qarkullon në mediat perëndimore, të cilat citojnë shpesh burime anonime të sektorëve të mbrojtjes që shprehen se “qëllimet ushtarake të Kremlinit në Siri mbeten ende të paqarta”. Deri më tani është bërë e ditur se dërgimi i mjeteve dhe forcave përfshin edhe avionë e tanke, çka i jep presidentit sirian Bashar Al Assad siguri se ai nuk ka për të dalë shpejt nga skena. Mirëpo cili është qëllimi afatgjatë i Rusisë, që pas Egjiptit shfaqet edhe në një krizë që e ka lënë Perëndimin pa alternativë serioze? Në një analizë të vetën Fyodor Lukyanov, drejtues i “Russia in Global Affairs”, sqaron deri diku se në këto lëvizje duhet lexuar një projekt i Kremlinit përmes të cilit mund t’i jepet përgjigje efektive fushatës ushtarake të Shtetit Islamik, por edhe të sigurohet një balancë gjeopolitike që kishte humbur që me rënien e Bashkimit Sovjetik. “Rënia e Damaskut në duart e ISIS-it do të kishte pasoja të jashtëzakonshme propagandistike. Damasku është një nga kryeqytetet kulturore dhe historike të botës arabe, pjesë e trashëgimisë së qytetërimit europian. Dorëzimi i tij do të simbolizonte një tërheqje të pakthyeshme të modernitetit nga Lindja e Mesme”, shkruan Lukyanov, që shtron kështu një tezë më të gjerë sesa ajo e një qasjeje diplomatike ndaj çështjes në fjalë. Është ironike gjithsesi se kartën e mbrojtjes së qytetërimit europian në këtë pjesë e rimerr Rusia e Vladimir Putinit, që sot është njëfarësoj e dëbuar nga Europa. Si mund të realizohet kjo mburojë? Oferta e analistit rus është intriguese: Siria e Bashar Al Assadit, apo ajo çfarë mund të rezultojë nga destabilizimi total i tanishëm, duhet të transformohet në një Izrael të dytë: në një Izrael Alavitësh. “Kur do të konsideroheshin të suksesshme përpjekjet ruse? Për të folur me realizëm, vetëm atëherë kur të jetë krijuar një ekuivalent i një Izraeli Alavit – një enklavë që me mbështetje nga jashtë – do të ishte e aftë për vetëmbrojtje dhe që do të shërbente si një pengesë për përhapjen e pakontrolluar të ISIS”, shkruan autori rus(http://rbth.com/opinion/2015/09/17/creating_a_defensive_island_in_syria_...). Loja po zhvillohet gjithnjë duke marrë në konsideratë rolin e ISIS në rajon, ndikimin e tij fetar dhe krizën e refugjatëve. Në këtë iniciativë të Rusisë, që ka lënë më pak hapësirë manovrimi për Perëndimin, Kremlini duket se gëzon mirëkuptimin edhe të Izraelit. Kryeministri Netanyahu vizitoi dje Moskën, ku ra dakord “për koordinim të veprimeve ushtarake me Rusinë në Siri”. Netanyahu duket të ketë marrë dakordësinë e Putinit edhe për mosfurnizimin me armë të militantëve të Hezbollahut, për të cilët ka paralajmëruar se do të godasë ushtarakisht nëse marrin ndonjë aksion(http://news.yahoo.com/israels-netanyahu-says-moscow-talks-aimed-preventi...). Në një plan më te gjerë, këto zhvillime marrin jetë ndërkohë që Irani arriti një marrëveshje me SHBA për çështjen bërthamore dhe ka vënë në vështirësi edhe monarkitë e Gjirit, përmes krizës jemenite. Në situatë të ndërlikuar duket edhe Turqia, sa kohë që Izraeli Alavit do të aktualizonte më shumë çështjen kurde.
Add new comment