Rama me ndërgjegjie të qetë: Doshin, Ndokën dhe Prengën do t’i kandidoja sërish
Kryeministri Rama ka hequr çdo përgjegjësi nga vetja për përfshirjen në listat e deputetëve të Partisë Socialiste emrave si Tom Doshi, Armando Prenga apo Arben Ndoka, duke thënë se do të bëntë të njëjtën gjë nëse do të kthehej pas në kohë. I ftuar në emisionin Top Story Rama tha se nuk mund të ishte profet për të parashikuar devijimin e deputetëve nga rruga e ligjit.
“Nëse do kthehesha në 2013, do bëja të njëjtën gjë, sepse nuk kam vendosur në listën e deputetëve as kriminelë, as persona që kanë pasur të bëjnë me krimin. Kam propozuar njerëz që në rastin konkret kanë qenë deputet edhe më parë dhe të respektuae në komunitetet e tyre”, tha Rama.
I pyetur lidhur me faktin se deputetët e Partisë Socialiste të përfolur si të lidhur me ngjarje kriminale janë përfshirë në ngjarje të rënda, ku më pas ka ardhur edhe largimi i tyre nga PS, Rama u shpreh se nuk mund të kishte dijeni për ngjarjet në të cilat do të përfshiheshin këta persona pas zgjedhjeve.
“Së pari, unë nuk kam pasur dijeni që një deputet i yni pas zgjedhjeve do të ndërmerrte një operacion mediatik mbështetur mbi halucinacione. Së dyti, nuk kisha dijeni që një deputet tjetër pasi të fitonim zgjedhjet do të shfaqej në një sherr të madh në mes të qytetit. S’kam pasur dijeni që një tjetër deputet i koalicionit do të shfaqej si i kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sa i përket deputetit që dha dorëheqjen, ai meriton gjithë respektin tim për vendimin. Ishte një dorëheqje tërësisht e vullnetshme, që i bën nder atij vetë dhe që flet për një njëri që meriton të respektohet në të drejtën për të provuar pafajësinë e tij”, vijoi Rama.
Add new comment