A po e miraton heshturazi qeveria ikjen e shqiptarëve?
Enver Robelli sillte në opinionin e tij të sotshëm në “Koha Ditore” edhe një fragment nga intervista e kryeministrit shqiptar, Edi Rama me gazetën “Süddeutsche Zeitung”: “Ne nuk jemi si Zvicra. Por ne as që duam të jemi si Zvicra, sepse kjo do të ishte monotone. (...) Është e tmerrshme të shohësh se si disa vende të mëdha dhe të pasura po dështojnë t’i pranojnë refugjatët. BE-ja sot duket si një federatë përplot me egoistë që mendojnë vetëm për kombet e tyre. Jo si familje me vlera të njëjta, e cila bashkëpunon. (...) Derisa të jetoj unë ne nuk do të arrijmë që gjermanët të vijnë në Shqipëri, sepse shpresojmë në një jetë më të mirë. Udhëtimi do të shkojë përherë në drejtimin tjetër. Nuk mund ta mendojmë më të ardhmen vetëm brenda kufijve të vendit tonë. (…) Do të isha i lumtur nëse shqiptarët do të kishin mundësi të punonin në Gjermani. (...) Nuk jam magjistar”.
Duke qenë se përgjatë kësaj vere u fol shumë për azilkërkuesit shqiptarë, për të cilët qeveria shqiptare heshti, ose nxori versionin se ikin nga Greqia, ka legjitimitet pyetja: A mos vallë qeveria aktuale e miraton ikjen e shqiptarëve njësoj si në vitin 1991? A mos vallë kjo qeveri sheh tek ikja një valvul shfryrjeje? Me aq sa na thotë kryeministri, por edhe nga një lloj këmbëngulje në disa masa represive, kuptojmë që po. Jemi gjithnjë në fushën e hamendësimeve, por sa kohë askush nuk është në gjendje të japë rrugëdalje, ikja sugjerohet heshturazi si e vetmja politikë efektive. Dhe kjo është fatkeqësi për të gjithë.
Add new comment