Reportazh/Një ditë në Passau
Vjeshta meterologjike sapo kishte hyrë. Ishte fillim-shtatori në Passau të Gjermanisë, një qytet në Landin e Bavarisë në qendër të Europës. Ishte një ditë e vrenjtur...Moti i asaj dite i jepte atij qyteti “mesjetar” romantizëm dhe turistit ndoshta më shumë dëshirë për të hyrë thellë dhe më thellë në histori dhe kulturën e tij.. Po si e ka marrë ky vendbanim emrin Passau?
Ekziston një legjendë nga kënga e njohur e Niebelung-ëve, kur Kriemhild hyn në këtë qytet dhe përmallohet me xhaxhain e saj, ipeshkvin Piligrim. Në atë legjendë ai vendbanim quhej Pazzovëe. Dhe kështu me kalimin e shekujve ai emër do të shndërrohej në Passau. Ai do të bëhej një qendër e rëndësishme tregtare ndoshta për tërë Europën. Do të kthehej në një nyje të rëndësishme në lidhjen Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim të kontinentit. Nga ajo nyje do të kalonin pelegrinë, kryqëzata të krishterësh, ushtri mbretërish dhe perandorësh, tregtarë kripe që shkarkohej me bollëk nga anijet që udhëtonin përgjatë lumit Inn; pastaj ky “ar i bardhe“ do të transportohej me kuaj nëpër pyjet e Bohemisë nëpërmjet shtegut të famshem “der Goldene Steig“ (Shtegu i Artë). Fundi i këtij shtegu do të ishte rreth 80 km larg Passaut dhe pikërisht në Prachavicë të Çekisë, dikur rajon gjermanik. Në vitin 1705 Perandoria Austro-Hungareze e ndaloi këtë ndërmarrje private duke e marrë vetë në dorë tregtinë e “arit të bardhë“.
Gjeografikisht Passau në udhërrëfyesit turistikë do të quhej qyteti “lundrues“. Sepse pikërisht atje do të bashkohen tre lumenj dhe konkretisht Ilz, Inn dhe Danub, duke i dhënë këtij qyteti vërtet formën e një trekëndëshi, kulmi i të cilit të jep pershtypjen sikur ndodhesh në bashin e një anijeje gati për lundrim. Nga emrat e atyre tre lumenjve identifikohen dhe pjesët e tjera të qytetit që gjenden në brigjet përkatëse të lumenjve, të cilat përmblidhen nën emrin Passau.
Kanë qënë dhe janë këta lumenj, që i kanë dhënë këtij qyteti aq begati, histori dhe kulturë, por edhe fatkeqësi në kohëra të ndryshme duke e përmbytur në mënyrë biblike disa herë.
Nëpërmjet Inn-it pra, sillej kripa nga rajonet e Alpeve dhe Salzburg-ut. Në Passau, mbi Danub, do të niste udhëtimin e saj princesha bavareze Sissi për në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze Vjenë, për t`u kurorezuar në fronin perandorak.
Kurse sot, mbi të lundrojnë anije turistike për të parë dhe vizituar metropolet e Europës Qendrore deri në brigjet e Detit të Zi ku dhe derdhet.
Aty, në atë qytet do të ngrihej rezidenca ipeshkvo-princërore themeluar në vitet 739. Nga ajo rezidencë ipeshkvët njëkohësisht dhe princër, me pushtetin e tyre do të qeverisnin për dekada me radhë në hapësirat deri në Lindje të Europës, duke përfshirë dhe Hungarinë, e duke e bërë këtë ipeshkvo-principatë një nga më të mëdhatë për nga sipërfaqja në “Perandorinë e Shenjtë Romake të Kombit Gjerman“ (Heiliges Römisches Reich Deutscher Nation), e cila daton nga viti 962 deri në 6 Gusht 1806.
Kjo ipeshkvi-princërore padyshim kishte lënë gjurmë të thella në këtë qytet, ku dyqanet, ëmbëltoret, shitësit e antikuiteteve, të çajrave, vajrave dhe erëzave, rrugët me kalldrëm dhe muret mbrojtëse, i japin atij një pamje tipike mesjetare, me tiparet më origjinale të saj.
Dhe si një dëshmi e asaj historie me plot legjenda, kulturë, luftërash, murtaje, përmbytjesh do të ngrihej plot madhështi në qendër, Katedralja e Shën Stefanit.
Është një Katedrale e veçantë e stilit barok, përfunduar në vitin 1668. Vepër arkitektonike madhështore, që kishte kaluar në rrjedhat e shekujve përmbytje dhe djegie, shkatërrime dhe rrënime, të cilat e kishin bërë akoma më të madhërishme. Afresket biblike, altarët e larë me ar, 3 organot, nga integrimi i të cilave kishte lindur një organo e vetme, tashmë
më e madhja në botë, të krijojnë përshtypjen se je në një ambient “përjetësie“. Prej saj buronin tingujt e Johann Sebastian Bach-ut, Paul Gerhard-it dhe të tjerë në koncerte 30 minutëshe të cilat jepeshin në ditë të caktuara të javës.
E si mund të lihet pa përmendur vepra madhështore e profesorit të skulpturës, Henselmann nga Mynih-u i cili punoi nga vitet 1947-1953 për të nxjerrë nga duart e tij veprën “Gurëzimi i Shën Stefanit“ (Die Steinigung des Heiligen Stephanus), që i kushtohet martirit të parë të krishtërimit, Shën Stefanit, i cili linçohet për të vrarë bashkë me të dhe vizionin e tij blasfemik, sepse kishte parë “në qiellin e hapur rishtaz per të, Jezus-in që qëndronte në krah të djathtë të Zotit“?
Të bën përshtypje ajo vepër me ngjyra të errëta mbi altar brenda katedrales, e cila në përmbajtjen e saj, sipas Vatikanit kishte “një gabim“ në paraqitjen e kultit hebraik, temë e cila ngjalli diskutime të mëdha në Koncilin e Dytë të Vatikanit në vitin 1965.
Ajo ishte një vepër që zor se mund ta përshkruaj për nga kompleksiteti dhe madhështia e saj.
Mbi të gjitha ajo përçonte një tematikë aktuale, tematikën e mbrojtjes së pakicave etnike dhe fetare ndaj dhunës dhe brutalitetit, e cila pikërisht sot, është më prezente se kurrë.
…
Për koincidencë, pas asaj dite tejet të ngarkuar me histori mesjetare, kthehem dhe ulem për të shfletuar disa faqe libri nga kujtimet e Mehdi Frashërit me titull “Vitet 1913-1933“, për të kaluar si për ironi të fatit nga kohët e mesjetës gjermane në kohët e “mesjetës” shqiptare.
Por dhe pa gjë nuk më doli.
Gishtat e dorës së djathtë si për çudi më mbetën në faqen 183 të atij libri.
Fillova t’i hidhja një sy atyre rreshtave:
“...Vermosh quhej një lumë i vogël që del nga mali Montevilla, përçan një luginë me një fushë të vogël dhe shkon përfund Gusinjës dhe Plavës, merr emrin Lim dhe derdhet në Danub”.
Ishte me të vërtetë si e rënë nga qielli. Sot, në këto ditë pranë Danubit mësoj një fakt të tillë. Dhe këtë fakt e gjeja në kujtimet e një Frashërlliu, pavarësisht se aty bëhej fjalë për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nga një komision ndërkombëtar.
Dhe ja pra, Danubi nga ku buron si një rrëkezë uji diku në afersi të Freiburg-ut në Jug të Gjermanisë, në të cilin gjatë rrugës derdhen dhe derdhen pa pushim vijëra uji, rrëkenj, lumenj si kapilarë të një trupi nga shtete të ndryshme të Europës, përshkon plot begati qytete, kryeqytete dhe metropole europiane duke u kthyer në një lumë të madërishëm për t’u derdhur në fund në Detin e Zi.
Ja pra, që dhe ne kemi një pjesë fare, fare të vogël në këtë rrjedhë që përshkon Europën kryq dhe tërthor.
Nuk e di, se përse ky lum gjigand më solli nëpër faqet e fiziologjisë së njeriut, duke bërë që ta quaja në mendjen time “Vena Cava“, e cila mbledh dhe mbledh gjak nga venat, të cilat po ashtu e mbledhin gjakun nga kapilarët prej çdo skaji të trupit dhe më në fund e derdh atë në zemër, ashtu siç dhe derdhet lumi Danub në Detin e Zi për të filluar përsëri ciklin e tij agregat nga e para.
Jam i sigurtë që kam lënë pa thënë shumë gëera, por dhe aq sa kam shkruar besoj sa kam dhënë një tablo modeste për qytetin “lundrues“ me emrin Passau dhe për Shqipërinë…“danubiane“.
Add new comment