Deputetet e LSI braktisin Qeverinë, nuk përfshihen në debatin për rishikimin e buxhetit
Mosmarrëveshjet mes PS dhe LSI, pavarësisht deklatarave të krerëve të tyre se nuk ekziston një gjë e tillë, sërish janë të lexueshme. Kuvendi miratoi me 74 vota pro dhe 23 kundër aktin normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit. Por “Panorama” shkruan sot se ajo që ra në sy gjatë seancës plenare ishte mospërfshirja në debate, edhe pse prezentë në Parlament, e deputetëve të Grupit Parlamentar të LSIsë. Sipas “Panoramës”, edhe pse që në fillim të seancës ishte një listë e gjatë me 34 deputetë që kishin kërkuar të drejtën e fjalës, asnjë nga ligjvënësit e LSIsë nuk është përfshirë në këto diskutime. Edhe pse rishikimi i buxhetit ishte një akt i rëndësishëm për maxhorancën si rrallëherë, shumica arriti të grumbullonte 74 vota. Ndërkohë gjatë votimit akti normativ i ndryshimeve në buxhet mori edhe votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk preferoi të fliste në seancë. Deputetët e LSIsë nuk kanë reaguar gjatë seancës plenare edhe kur demokratët kanë kërkuar disa herë përgjatë seancës dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta, lidhur me përfshirjen e tij në aferën korruptive të CEZit. Kreu i Grupit Parlamentar të LSIsë, Petrit Vasili, nuk e kërkoi fjalën në asnjë moment dhe bashkë me të edhe deputetët e LSIsë. Edhe drejtimi i seancës plenare të së enjtes në pjesën më të madhe të ditës është ndarë mes nënkryetarëve të Kuvendit Valentina Leskaj dhe Shpëtim Idrizi, pasi edhe kryeparlamentari Meta gjatë gjithë ditës së djeshme ka qenë i angazhuar me aktivitete që e kanë mbajtur larg diskutimeve për rishikimin në buxhet.
Add new comment