Qindarkat për shtetin dhe i ashtuquajturi Revolucion Ekonomik

Postuar në 05 Shtator, 2015 22:02

Tatimet dhe doganat janë sektorët që kanë çaluar më së shumti në performancën ekonomike të qeverisë në këto dy vjet. Gropa e të ardhurave detyroi qeverinë të nisë një aksion kundër informalitetit, që kryeministri Rama nuk ka nguruar ta quajë Revolucion Ekonomik dhe të zbulojë më në fund platformën për nxjerrjen e Shqipërisë nga stërmundimi ekonomik.

Kreu i qeverisë ishte në Vlorë bashkë me drejtoreshën e Tatimeve Briseida Shehaj në një fushatë ndërgjegjësimi për kuponat tatimorë dhe formalizimin e ekonomisë, që ka qenë një nga pikat e Programit të Rilindjes dhe që tani prezantohet si Revolucion. Kryeministri mesa duket e ka thjeshtëzuar pikëpamjen e tij për modelin ekonomik që ka ofruar për shqiptarët, duke nisur pas dy vjetësh qeverisjeje një aksion për të mbledhur qindarkat e breberëve, këpucarëve dhe biznesit të vogël në përgjithësi. Ndaj ka zbritur vetë në terren për t’u shpjeguar edhe teorikisht qytetarëve se çfarë do të thotë Revolucion Ekonomik.

“Ky është një revolucion ekonomik dhe ju e kuptoni këtë, shumë mirë. Formalizimi i ekonomisë, dhënie e kujtdo, atë që i takon, fitimi i ligjshëm i cilitdo që bën sukses në veprimtarinë e tij ekonomike, apo që mban familjen e vet në punë me një biznes të vogël është domosdoshmëri që të mbrohet me çdo kusht nga shteti. Ndërkohë që, nga ana tjetër, çdo qindarkë që i takon qytetarëve në formë investimesh, ulje taksash dhe shërbimesh më të mira do të shkojë në arkën e shtetit”- u tha kryeministri sipërmarrësve të vegjël dhe qytetarëve në Vlorë. Pas kësaj kryeministri foli për një kancer që ka mbërthyer gjithë sistemin, duke justifikuar në këtë mënyrë rezultatet e dobëta në mbledhjen e të ardhurave dhe duke konfirmuar se edhe kjo qeveria nuk i ka shpëtuar sëmundjeve që u trashëguan nga qeveritë e kaluara. “Është një sëmundje që ka prekur prej shumë vitesh edhe këtë sistem, edhe këto trupa dhe ashtu si me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, edhe me veprimtarinë e paligjshme ekonomike dhe tregtare”-u shpreh Rama.

Ndërsa drejtoresha Shehaj tha se administrata tatimore edhe gjatë këtij operacioni do të jetë në mbështetje të konsumatorit, duke garantuar se me këtë aksion do parandalojë vjedhjen që u bëhet qytetarëve, edhe pse vetë nuk ka mundur të parandalojë rrjedhjen prej miliona lekësh në tatime, për të cilat nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi duke u shfaqur në krah të kryeministrit si e preferuara e tij. “Ne do të jemi pjesë e suportit për konsumatorin. Ne duhet me doemos ta mbrojmë konsumatorin, që askush të mos vjedhë asgjë, çdo qindarkë t’i shkojë shtetit në fund, për të mirën e të gjithëve”.

l.m

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.