Policia e Kurbinit: “Arrestimi i Prengës në kushtet e flagrancës. Vendi i ngjarjes është i administruar me...materiale filmike”
Meqenëse ka nisur loja e deklaratave mediatike, ku rrëfehen skenarët e ngjarjes së Laçit, një nga të cilët është edhe se deputeti Prenga ka qëlluar në ajër, “por nuk ka mundur të kontrollojë drejtimin e qitjes”, po i sjellim në vëmendje lexuesit, atë që tha sot shefi i Komisariatit të Kurbinit, Nik Nikollaj. Më poshtë deklarata:
“Në vijim të njoftimeve të dhëna për ngjarjen e ndodhur në Kurbin, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, ju informojmë se:
- është arrestuar në kushtet e flagrancës deputeti Armando Prenga, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje.
Arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve të para hetimore, për të njëjtat akuza u bë arrestimi edhe i shtetasve Anton Leka dhe Gazmir Jushi.
Në pranga janë vënë gjithashtu shtetasit:
- Gjokë Cali, për vepren penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”
- Nikollë Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”
- Gjergj Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”.
Theksojmë se vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur konflikti mes personave të arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ndodhet jashtë ambjenteve të Komisariatit të Kurbinit.
Vendi i ngjarjes është i administruar me prova shkencore, përfshirë materiale filmike dhe fotografike, të referuara në Prokurori.
Policia lokale dhe më pas strukturat e tjera të Policisë së Shtetit vepruan menjëherë me marrjen e njoftimit konform procedurave standarde, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për të çuar përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Aktualisht vijon egzaminimi shkencor më i specializuar i provave të gjetura në vendngjarje apo nga kontrollet në banesa, nën ndjekjen dhe drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se do të vazhdojë të kryejë me profesionalizëm dhe përkushtim detyrën, duke garantuar se askush, pavarësisht statusit, nuk është i paprekshëm përballë ligjit”.
Add new comment