Porosia e Gramoz Ruçit: Në PS të afrohen figurat e spikatura

Postuar në 02 Shtator, 2015 09:07

Gramoz Ruçi mblodhi këto ditë grupin për organizimin dhe koordinimin e fushatës së anëtarësimeve si dhe të zgjedhjeve të reja në parti. Sipas “Gazeta Shqiptare”, mësohet se gjatë mbledhjes së zhvilluar pak ditë më parë, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS­së, njëherësh edhe numri dy i PS­së, ka dhënë porositë që deri më 10 shtator të përmbyllet faza e parë e aksionit të anëtarësimeve të reja në PS. Porosia tjetër e kreut të grupit, Gramoz Ruçi ishte që asambletë socialiste në bashki si dhe organizata e PS­së të synojnë anëtarësimin e figurave të spikatura e me ndikim në territorin e vet, veprimtarë që kanë kryer detyra elektorale në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore, gra, të rinj që janë me ndikim në organizatat e gruas apo të të rinjve në komunitetet përkatëse. Po kështu, të deleguarit nëpër rrethe dhe drejtues të partisë në bazë janë porositur që të kenë parasysh zbatimin e kërkesave të statutit për përqindjen e anëtarëve gra e të rinj si dhe respektimin e parimit të shmangies së konfliktit të interesave, duke pasur një shpërndarje të anëtarëve të partisë që të mbulojnë çdo cep të territorit, ku drejton organizata socialiste.  “Gazeta Shqiptare”, shkruan se aksioni për anëtarësimet e reja në PS do të jetë një nga prioritetet e punës së strukturave të PS­së gjatë gjithë fazave të fushatës së zgjedhjeve të brendshme në PS deri në kongresin e partisë në janar të vitit që vjen si dhe në kuadër të 25­vjetorit të themelimit të PS­së në qershor të 2016­ës e deri në zgjedhjet parlamentare. Këtë aksion e shpalli kryetari i PS­së, Edi Rama në 24 vjetorin e partisë, këtë vit, i cili gjatë fjalës që ai mbajti në këtë ceremoni shpalli ambicien për ta çuar PS­në në një parti me 150 mijë anëtarë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.