Dritaret e vogla të evazionit të madh
Deri në fund të vitit 2007, pothuaj në çdo dyqan ku kërkoje të blije një paqetë cigaresh, shitësi të pyeste: “Me pullë apo pa pullë?”. (Bëhej fjalë për pullën fiskale, e cila tregonte se, gjatë rrugës nga importuesi tek dyqani, akcizat dhe tatimet e tjera ishin paguar për paqetën.) Pra, evazioni fiskal kryhej hapur mu poshtë hundës së shtetit, megjithëse herë pas here atij i ishte shpallur luftë.
Duke filluar nga 2008-ta, qeveria Berisha vendosi që, më në fund, të ishte serioze në luftën ndaj evazionit fiskal tek cigaret, dhe pyetja “Me pullë apo pa pullë?” u zhduk nga qarkullimi. Si rezultat, zhdoganimi i cigareve arriti në nivelin 4700 ton në vit, nga 2500-3000 që kishte qenë më parë. Kjo, sepse importuesit e cigareve nuk kishin më në dispozicion dhjetra mijra dyqanxhij, që më parë ishin të pafrikësuar për të shitur paqeta pa pullë fiskale. (Si rezultat i rritjes graduale të akcizës së cigareve dhe luftës ndaj evazionit tek cigaret, u rrit e vazhdon të rritet prodhimi dhe konsumi vendas i duhanit të grirë, i cili është më i vështirë për t’u kapur nga rrjeta fiskale, por kjo është një histori më vete).
Në vitin 2007, u aprovua ligji anti-duhan, i cili ndalonte pirjen e duhanit në ambjentet e brendshme të lokaleve. Fill pas kësaj, inspektorët vunë gjoba të bujshme në rastet e shkeljes së ligjit. Por gjobat nuk u volën dhe pirja e duhanit nëpër lokale vazhdoi si më parë. Herë pas here, zhvilloheshin disa aksione mujore, që përfundonin si të mëparshmet, deri sa qeveria Rama filloi një luftë serioze për zbatimin e atij ligji. Si rezultat, sot është fare e rrallë ose e pamundur të shohësh dikë që pi cigare brenda një lokali.
Në mënyrë të ngjashme, vendosja e kasave fiskale në çdo dyqan ka qenë një luftë e dështuar e shtetit. Shumë dyqane i kanë blerë ato, të detyruara nga aksionet e herëpashershme të qeverisë së mëparshme, por vetëm supermarketet e mëdha i përdorin për çdo mall që shesin. Tani qeveria Rama ka filluar një luftë të vërtetë për vendosjen dhe përdorimin e kasave fiskale kudo dhe për çdo mall apo shërbim që u shitet konsumatorëve. Dhe në qoftë se kjo luftë do të jetë aq e sukseshme sa e qeverisë Berisha kundër cigareve pa pullë, apo e qeverisë Rama kundër duhanpirjes në lokale, pas një viti do të jetë e rrallë ose e pamundur të blesh diçka pa kupon tatimor.
Në mënyrë të ngjashme me ndalimin e shitjes së cigareve pa pullë, ndalimi i shitjes pa kupon tatimor, do t’u mbyllë tregëtarëve me shumicë dhjetra mijra dritare, ku mund t'i kalonin deri më sot mallrat e tyre pa faturë tatimore nga magazinat, drejt e tek konsumatori. Në qoftë se të gjithë dyqanet e vegjël do të shesin vetëm me kupon tatimor, tregëtarët e mëdhenj nuk do të kenë ku t’i çojnë mallrat pa faturë tatimore. (Një dyqanxhi që shet me kupona tatimorë do të kryente vetvrasje financiare po të pranonte furnizime pa faturë, sepse e gjithë barra tatimore për mallin që do të shiste do të binte pastaj mbi të).
Se sa e sukseshme do të jetë lufta kundër shitjeve pa kupon tatimor do të duket në fund të vitit tjetër, kur të dalë shifra e të ardhurave të Thesarit të Shtetit nga TVSH-ja. Në dekadën e fundit (kur TVSH-ja ka qenë 20% mbi çmimin e mallit apo shërbimit), të ardhurat prej saj kanë qenë në nivelin 9%-10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në kushtet e mungesës absolute të evazionit, ajo duhej të ishte në nivelin 13%-14% (në vartësi të konjukturave botërore të çmimeve). Në qoftë se vitin tjetër, i afrohemi sadopak këtij tavani, mund të thuhet se lufta kundër shitjeve pa kupon tatimor ka qenë e sukseshme.
E.Zaloshnja
Add new comment